“Shtrigat e Salemit”, mbrëmë në Teatrin Kombëtar

Mar 25, 2011 | 9:22
SHPËRNDAJE

Një histori përndjekjeje që na vjen që nga Mesjeta, por me rezonancë në ditët e sotshme, u ngjit mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar. Nën regjinë e Spiro Dunit, u shfaq një nga kryeveprat e dramaturgjisë botërore me autor Arthur Miller, “Shtrigat e Salemit”. Një vepër impenjative, jo vetëm për nga mesazhi i fortë që përcjell, por edhe nga numri i madh i karaktereve. Regjisori Duni, ngjiti në skenë disa nga aktorët më të mirë të teatrit shqiptar, duke filluar që me protagonistët, Timo Flloko, Eva Alikaj, Drita Pelinku, Fatos Sela, Vasjan Lami, Neritan Liçaj etj. Debutuese në skenën e Kombëtarit ishte Elia Zaharia, së cilës regjisori i kishte besuar një nga rolet kryesore të veprës, atë të Abigejlit. Jo thjesht për titullin e veprës dhe emrin e autorit, por edhe të aktorëve që interpretojnë, interesi i publikut ka qenë shumë i madh ndaj kësaj vepre. Në të gjitha rastet publiku ka treguar se i do aktorët Timo Flloko e Eva Alikaj dhe kjo përzgjedhje i shton një plus veprës së Dunit. Ngjarja që zinte fill në shek. XVII, por që Milleri ia referonte kohës kur jetoi u zhvillua në një skenografi të përgatitur nga piktori Bashkim Ahmeti dhe me kostume të stilistes Anila Zajmi Katanolli. Drama do të vijojë të shfaqet edhe në ditët në vijim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura