Shtohen të helmuarit/ Në spitalin e Krujës 500 pacientë, mbi 70 fëmijë. Qytetarët: Këtë e bëjnë drejtuesit e paaftë. Drejtori i Ujësjellësit të mbajë përgjegjësi

Oct 27, 2021 | 9:39
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Numri i personave me simptoma helmimi ka ardhur gjithnjë në rritje në Spitalin e Krujës.

Mbi 500 pacientë, mes të cilëve mbi 70 fëmijë, kanë kërkuar ndihmë mjekësore në urgjencën e spitalit që prej ditës së diel. “Në 48 orët e fundit, i janë drejtuar spitalit rreth 300 pacientë”, tha Yllka Kukalaj ditën e djeshme, drejtoreshë e Spitalit “Stefan Gjoni”.

Sipas saj, të gjithë personave po u jepet shërbimi shëndetësor dhe deri tani situata është menaxhuar me sukses.

“Të gjitha kanë qenë dhe nuk ka munguar asgjë, as personeli, as shtretërit dhe as medikamentet. Urgjenca funksionin me një kod treazhimi dhe ka një kod emergjence. Kështu që nëse njerëzit presin, presin sepse ashtu e ka gjykuar infermieri i pritjes dhe mjeku i pritjes. Nuk është problemi i shtretërve, pasi i gjithë spitali është në funksion dhe shtretër ka”, shton Kukalaj

QYTETARET E HELMUAR

Qytetarët e sëmure thonë se kanë simptoma të ndryshme, ndërsa janë të bindur se helmimi ka ardhur nga konsumimi i ujit.

“Jam e sëmurë si gjithë të tjerët. Shërbimi është i rregullt. Dje më ka filluar dhe mbrëmë kam ardhur në spital”, thotë Drita Kalaj.

Ndërsa një nxënëse tregon se u detyrua të ndërpresë mësimin, pasi nuk u ndje mirë.

“Sot nuk kam shkuar në shkollë ngaqë nuk ndjehem mirë. Dje kisha pak dhimbje barku dhe sot kisha të vjella”, thotë Romina, nxënëse në shkollën 9-vjeçare të Krujës.

Numri i lartë i personave të sëmurë gjatë 48- orëve të fundit ka shtuar frikën te qytetarët e Krujës. Ata janë të bindur se ky helmim masiv ka ardhur nga ndotja e ujit të pijshëm.

“Mbrëmë kam qenë me djalin dhe sot me vajzën, nga uji. Gjendja tani është më e mirë. Mjekët dhe infermierët, gjithçka në rregull. Ka plot të sëmurë në spital”, thotë Suzana Baka.

Një tjetër qytetar kërkon që të nxirret sa më parë shkaku i këtij helmimi, pasi në këtë situatë janë sërish të rrezikuar.

“Problemi është se mos bëhet fenomen puna e ujit, sepse te uji fillon gjithçka dhe në qoftë se nuk zgjidhet puna e ujit, atëherë hajde sa të duash këtu te spitali. Le të bëjnë punë doktorët dhe doktoreshat këtu, po s’u gjet shkaku është e kotë sepse aty është problemi”, thotë qytetari.

Ndërsa një tjetër thotë se institucionet përgjegjëse duhet të mbajnë përgjegjësi për situatën e krijuar.

“Unë kam dy fëmijët e vëllait tim të helmuar. Dje i kanë vënë serum, mbrëmë në serum, sot në serum. Drejtori i Ujësjellësit duhet të mbajë përgjegjësi për këtë punë. Këtë e bëjnë drejtuesit e paaftë. Si nuk është shqetësuese? Ka njerëz sa të duash që të flasin për këtë punë”, thotë qytetari.

Mjeku i urgjencës: S’ka pasur raste të rënduara që t’i çonim në Tiranë

“Që nga dita e diel e deri tani, në Spitalin e Krujës jemi përballur me një fluks shumë të rritur të pacientëve, kryesisht me çrregullime gastrointestinale, me diarre, të vjella, në raste të rralla, temperaturë dhe dhimbje barku. Deri tani janë afërsisht 70 persona, moshë pediatrike, ndërsa pjesa tjetër janë të rritur. Pasi kanë marrë mjekimin në terapi ditore dhe në repartin e pediatrisë gjendja e tyre është përmirësuar. Mjekimet i kemi pasur të gjitha”, shpreh një nga mjekët e Urgjencës së Krujës, që ka pritur pacientët.

I pyetur nëse ka pasur raste të rënduara, ai thotë së nuk ka pasur raste të tilla që t’i nisnim drejt Tiranës.

“Megjithatë, disa prej pacientëve janë shtruar në repartin infektiv. Gjithsesi, edhe reparti i patologjisë është vënë në shërbim të urgjencës, ku janë hapur disa shtretër dhe po marrin mjekim ambulator pacientët, pasi urgjenca është ezauruar”, thotë mjeku. Sa i përket shkaqeve, ai thotë se kjo situatë do analiza të thelluara. “Faktikisht, ISHP-ja ka qenë në alert për këtë situatë dhe ka marrë analizat të ushqimit dhe të ujit, por përgjigjet zyrtare akoma nuk kanë ardhur”, thotë ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura