“Shtëpia në udhëkryq”, Vassilis Vassilikos flet shqip

Jun 10, 2019 | 12:07
SHPËRNDAJE

JETA HAMZALLARI

Vassilis Vassilikos (Kavallë, 1934) studioi për Drejtësi në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut e më pas për Regjisurë Televizive në Universitetin e Jalës dhe në School of Radio & Television në Nju Jork. Kundërshtar i regjimit diktatorial të kolonelëve në Greqi, për gati 26 vjet (1967-1993) jetoi në emigrim midis Italisë, Francës e Shteteve të Bashkuara. Në vitin 1994 u kthye përfundimisht në atdhe.

Debutimin si shkrimtar e bëri në moshë fare të re (më 1953) me “Rrëfimi i Jasonit”, një vepër me karakter mitologjik, që shumë shpejt u pasua nga dhjetëra të tjera, kryesisht me tema politike e shoqërore. Sot, Vassilis Vassilikos është autor i rreth 120 romaneve e vëllimeve me tregime, drama, poezi etj., dhe një nga shkrimtarët më të njohur e më të përkthyer të letërsisë greke, i dyti pas Niko Kazanzaqit.maxresdefault

Lexuesi shqiptar u njoh për herë të parë me Vassilikos në vitin 2016, kur Sh.B.DITURIA botoi romanin e tij të famshëm politik “Z. Orgjia e pushtetit”, një manifest i rezistencës së popullit grek për liri. I botuar fillimisht në Greqi më 1966, ky roman-dokumentar tronditës, që ka në qendër vrasjen e politikanit të shquar grek Grigori Lambraki, personazhi “Z” në vepër, u prit ngrohtë nga lexuesi shqiptar dhe u prezantua në Tiranë me praninë e autorit. Këtë herë, Vassilis Vassilikos “flet” sërish shqip, me një tjetër roman shumë të suksesshëm me titull “Shtëpia në udhëkryq”. Një roman shoqëror tejet interesant, në një shtrat psikologjiksentimental, që nuk ishte i pari i këtij lloji i Vassilikosit.

Kur u botua më 1996 befasoi lexuesin dhe kritikën, sepse mbi të gjitha u duk si një trajtim tepër origjinal i marrëdhënieve intime dashurore që përjetojnë personazhet e saj. Romani është pasqyrim i asaj gjendjeje emocionale që përjetoi sidomos rinia europiane pas Luftës së Dytë Botërore, kalimi nga traumat dhe tmerret e luftës në një liri të shfrenuar. Raportet sensuale dhe seksuale shpesh duken si të tepruara në roman dhe sikur kapërcejnë dashurinë e natyrshme. Dashuria e personazheve ka herë-herë aspekte neurotike dhe shpesh përfundon në një seksualitet të devijuar. Lexuesi lëviz kështu në një atmosferë mjaft të tensionuar e të paqetë, që stili, përgjithësisht parataktik dhe me shumë dialog, ndihmon për ta bërë atë të përhershme. Rrëfimi rezervon zbulime të shumta, që e bëjnë historinë të paparashikueshme dhe krijojnë për lexuesin një gjendje pezullie, mes asaj që shihet dhe asaj që fshihet në skutat më të fshehta të shpirtit njerëzor. Një roman erotik, plot sensualitet dhe seksualitet, që përshkruan ambicie të zhgënjyera e ëndrra të parealizuara, të cilat pa dyshim shënjojnë karakterin dhe jetën e personazheve qendrore.

Në roman spikat veçanërisht një figurë femërore, Magda, nënë e dy fëmijëve dhe gruaja e muzikantit të famshëm Jakov. Shumë e dashuruar, në vitet e para të martesës Magda detyrohet të durojë izolimin dhe talljet nga të afërmit e të shoqit e vite më pas edhe shpërfilljen për shkak të angazhimeve muzikore dhe përfshirjen e tij në skandale seksuale. Por gjithçka merr tjetër rrjedhë, kur në shtëpinë e tyre shfaqet Jani, një student i ri plot energji, tek i cili Magda sheh shpëtimin prej maktheve dhe fobive. Historia mes tyre shtrihet thuajse në të gjithë librin, me ulje-ngritje, me zënka e çaste paqtimi, me dashuri e urrejtje, me ndarje e bashkime, që vijnë mbi të gjitha për shkak të karakterit të paqëndrueshëm dhe të shqetësuar të të riut.

Gjatë rrëfimit mjeshtëror mbushur me erotizëm, që ndihet përmes atmosferës së ngjarjeve dhe më gjerë, në shtëpinë e muzikantit Jakov duket sikur të gjitha personazhet janë, kush më pak e kush më shumë, të përfshira në marrëdhënie sekrete apo joshje, që deformojnë raportet e tyre intime, por në të njëjtën kohë i shtyjnë ata të kërkojnë kënaqësi të reja, edhe pse me dhembje. Në roman përvijohet në mënyrë shumë interesante atmosfera dinamike e madje e shfrenuar e Athinës së mesit të shekullit XX, ajo atmosferë që sundonte edhe në Europë, në kërkim të lirisë së pakufishme.

I vlerësuar për portretizimin mjeshtëror të personazheve, me gjithë botët e tyre të brendshme tejet të ndërlikuara, “Shtëpia në udhëkryq”, vepra më erotike e Vassilis Vassilikos që shënoi majën në krijimtarinë e tij letrare, është përkthyer në 40 gjuhë dhe ka fituar Çmimin Shtetëror për Prozën e Shkurtër më 1980, si dhe shumë çmime të rëndësishme letrare. Romani vjen në shqip nën përkthimin e arrirë të Kleo Latit dhe është pjesë e projektit “Histori fatesh njerëzore: Udhëtim nëpër dritëhijet e shpirtit njerëzor”, me mbështetjen e programit “Europa Krijuese” të Bashkimit Europian. Pak ditë më parë, në bashkëpunim edhe me ambasadën e Greqisë në Shqipëri, libri u prezantua në librarinë Friend’s Book House në Tiranë.

Në aktivitet, ku morën pjesë dhjetëra studentë të Fakultetit të Filologjisë dhe atij të Gjuhëve të Huaja, përfaqësues nga ambasada greke në Shqipëri, pedagogë, përkthyes, shkrimtarë, gazetarë etj., u diskutua për vlerat e veçanta që mbart letërsia greke në përgjithësi dhe vepra e Vassilikos në veçanti, për çështje të përkthimit dhe rëndësinë që ka njohja dhe pranimi i kulturës së tjetrit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura