Shtëpia e Bardhë bën bilancin e partnerëve që dëbuan diplomatët rusë, reagon dhe Ambasada në Tiranë

Mar 27, 2018 | 10:36
SHPËRNDAJE

Shtëpia e Bardhë ka bërë bilancin e shteteve që janë bashkuar dhe kanë vendosur dëbimin e diplomatëve rusë nga vendet e tyre, mes tensioneve që janë krijuar mes Moskës dhe Britanisë pas helmimit me agjent nervor në Britani të një ish spiuni rus dhe vajzës së tij.

Përmes një fotoje në Instagram, SHBA rendit vendet që kanë dëbuar rusët, e aty përfshihet edhe Shqipëria, që dëboi dy diplomatë rusë ditën e hënë.

shtepia e bardhe“Presidenti Donald Trump urdhëroi dëbimin e dhjetëra punonjësve të inteligjencës ruse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbylljen e Konsullatës Ruse në Siatëll. Me këto masa, SHBA dhe aleatët tanë i kanë bërë të qartë Rusisë se veprimet e saj kanë pasoja”, lexohet në përshkrimin e fotos së postuar në Instagram.

Shqipëria dëboi Vladislav Filipovin, atasheh ushatarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashovin, sekretar i parë i Ambasadës.

Vendimin e bëri të ditur Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila thirri ambasadorin e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Aleksandër Karpushin.

“Ambasadorit rus iu komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”, njoftoi dikasteri i kryesuar nga Ditmir Bushati. Ky veprim i Shqipërisë është në sintoni me atë të një sërë vendesh të Aleancës së Atlantikut Verior, duke nisur nga Shtetet Bashkuara të Amerikës.

Sakaq, sot Ambasada amerikane në Tiranë ka shpërndarë një postim të Departamentit Amerikan të Shtetit ku thuhet:

“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Rusisë të marrë përsipër përgjegjësinë për veprimet e saj dhe t’i tregojë botës se është e aftë të përmbushë angazhimet dhe përgjegjësitë e saj ndërkombëtare si anëtare e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, në mbështetje të paqes dhe sigurisë kombëtare”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura