Shqipëria nënshkruan kërkimin e viktimave të komunizmit mes skepticizmit

Jul 19, 2018 | 12:43
SHPËRNDAJE

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme Rovena Voda dhe Drejtori i Programit për Ballkanin Perëndimor Matthew Holliday, nënshkruan një marrëveshje të shumëpritur të mërkurën, e cila do të lejojë ICMP të ndihmojë autoritetet shqiptare të kërkojnë dhe identifikojnë një pjesë të viktimave të regjimit komunist si dhe të ndihmojnë për krijimin e kuadrit ligjor dhe administrativ për të vijuar procesin në të ardhmen.

“Kjo është një mundësi e jashtëzakoshme për shoqërinë që të përballet me të shkuarën e dhunshme dhe të krijojë një të ardhme të bazuar në themelet e të drejtave të njeriut, respektit për dinjitetin njerëzor dhe sundimit të ligjit,” tha Holliday.

ICMP-marreveshja

“Përballja me të shkuarën është një detyrim ligjor, por para së gjithash, moral,” tha Voda.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë miratoi një projekt prej 600 mijë eurosh vitin e kaluar për të financuar punën e ICMP-së në Shqipëri.

Por autoritetet shqiptare duket se kishin nevojë për pak inkurajim dhe shtytje nga ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin, për të ecur përpara me projektin dhe miratimin e tij – një proces që u zvarrit për shumë muaj dhe nuk është përfunduar ende.

Pasi u firmos, marrëveshja do të duhet të kalojë në ratifikim parlamentar para se të hyjë në fuqi, gjë që pritet të ndodhë jo më herët se sa shtatori i këtij viti.

Disa prej të afërmve të viktimave që u ekzekutuan dhe u varrosën në varre sekrete falënderuan delegacionin e BE-së në Tiranë për financimin e kërkimeve.

Artan Lleshi, gjyshi i të cilit u vra më 1946, tha se ai ende shpreson se një ditë do të jetë në gjendje të vendosë në lule në varrin e tij.

“Për mua, kjo është një nga ditët e para të demokracisë, e cila para së gjithash është respekt për të drejtat e njeriut,” tha ai.

Por të tjerë shprehën dyshime mbi angazhimin e autoriteteve në trajtimin e problemit. Ata argumentuan se gati tri dekada pas rënies së komunizmit, Shqipëria vijon të refuzojë të përballet me të shkuarën e vet të dhunshme.

Agron Tufa, kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, tha se ishte e vështirë të besohej se autoritetet do të ishin tërësisht të angazhuara në proces për shkak se në administratën publike ka ende njerëz që e kanë nisur karrierën në kohën e komunizmit dhe vijuan të mbajnë pozicione pushteti për shumë vite më vonë.

“Mbaj mend një takim në zyrën e kryeministrit mbi këtë çështje në vitin 2014. Para meje, duke marrë pjesë në takim, ishte Ilirjan Mustafaraj, i cili ishte zëvendësministër i Brendshëm në atë kohë dhe kishte pasur të njëjtin pozicion para rënies së Komunizmit,” tha Tufa. Mustafaraj doli në pension në vitin 2016.

Nevila Nika, ish-drejtoreshë e Arkivit Qendror të Shtetit, tha se ajo mendonte se procesi i gjetjes së të dhënave dokumentare në arkivat e vendit do të jetë i gjatë dhe i vështirë.

“Arkivat janë në gjendje të keqe në Ministrinë e Brendshme dhe në institucionet e tjera ku mund të gjendet informacion mbi viktimat e komunizmit. Do të duhet shumë punë,” tha ajo.

ICMP shprehu fillimisht dëshirën për të ndihmuar Shqipërinë për gjetjen e viktimave në vitin 2010, kur kërkimet private zbuluan një varr masiv të kohës së komunizmit në Tiranë. Megjithatë, u deshën tetë vjet për të mbërritur në një marrëveshje.

Bashkimi Europian vendosi financimin e fazës pilot të projektit në qershor të vitit të kaluar ndërsa në mars, ICMP dhe qeveria shqiptare arritën marrëveshjen, e cila deshi tre muaj të tjera për t’u miratuar në fillim të qershorit në Këshillin e Ministrave si dhe një muaj më shumë për t’u firmosur formalisht.

Ambasadorja Vlahutin u falënderua nga organizatat përfaqësuese të viktimave të komunizmit si dhe nga funksionarët e ICMP për mbështetjen e saj personale për të shtyrë përpara projektin.

“Familjet, e gjithë shoqëria dhe në veçanti të rinjtë, duhet të mësojnë të vërtetën, për shkak se pa të vërtetë, nuk mund të ketë drejtësi,’ tha Vlahutin./Reporter.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura