Shqipëria në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve

Mar 21, 2015 | 12:17
SHPËRNDAJE

LEFTER KOKA

   Data 21 mars, e shpallur më 21 dhjetor 2012, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, u vendos për herë të parë vitin e kaluar në kalendarin mjedisor të vendit tonë. Kjo ditë është tejet e veçantë për shqiptarët pasi na bën të kujtojmë vlerat e jashtëzakonshme dhe të patjetërsueshme të pyjeve në jetën e shoqërisë sonë.“Për të ndërtuar një të ardhme me klimë të qëndrueshme dhe të  përshtatshme për të gjithë, ne duhet të investojmë në pyjet e botës sonë. Mbështetja e pyjeve të shëndetshme dhe zbutja e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike janë dy anët e të njëjtës medalje. Pyjet janë depozitueset më të mëdha të karbonit pas oqeaneve. Pyjet janë në vijën e frontit të ndryshimeve klimatike. Është thelbësore, pra, që ne të punojmë për të ruajtur dhe menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme pyjet tona.” Është ky mesazhi i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, që përbën edhe sloganin kryesor të këtij viti për rritjen e ndërgjegjësimit të mbarë njerëzimit lidhur me rolin e rëndësishëm të pyjeve në jetën e shoqërisë njerëzore dhe mbi të gjitha rolin e rëndësishëm të politikave menaxhuese, legjislative dhe financiare.
Mesazhi sjell në vëmendjen e çdo individi rolin e pyllit si burim rigjenerimi të ajrit nëpërmjet rolit konservues të karbonit. Duhet konsideruar ky funksion i pyllit si roli kryesor për nga rëndësia lidhur me efektin në zbutjen e ndryshimeve klimatike, që kërcënojnë sot jetën në planetin tonë.
Më 21 mars të këtij viti, Ministria e Mjedisit vjen me një sërë arritjesh në fushën e shtimit të sipërfaqeve të mbjella me dy milion e gjysmë fidanë pyjorë në objekte të ndryshme pyllëzimi me rëndësi për rehabilitimin e pyjeve të degraduara dhe sipërfaqeve të eroduara; marrjen e masave për të përmirësuar eficiencën dhe forcimin e zbatimit të ligjshmërisë, reduktimin e abuzimeve dhe rehabilitimin e zonave të eroduara; shtimin e popullimit të botës së egër, masat në ristrukturimin institucional për përmirësimin e situatës në pyje, në zonat e mbrojtura në funksion të ruajtjes së biodiversitetit etj.
Fatkeqësisht, situata e pyjeve në vendin tonë ka qenë në gjendje alarmante. Natyrës iu deshën mijëra vite për të na dhuruar kushte të jashtëzakonshme jetese, ndërsa neve na u deshën vetëm pak vite për ta shkatërruar atë dhe për t’i vandalizuar pyjet e vendit tonë. Për këtë arsye ishte emergjente të nisnim platformën e mbjelljes së dhjetë milionë fidanëve brenda një periudhe katërvjeçare.
Pyjet tona kishin nevojë imediate për mbrojtje dhe rehabilitim, ndaj forcuam kontrollin dhe morëm masa të rrepta administrative ndaj çdo abuzuesi apo shkelësi të ligjit, ndërkohë paralelisht rehabilituam zonat më të degraduara në vend.      
Gjatë sezonit të pyllëzimit të nisur në muajin dhjetor kemi arritur të rehabilitojmë zonat më delikate në mbarë vendin. Ndër të tjera, në nder të kësaj dite, ne organizojmë mbylljen e fazës së parë të punimeve për rehabilitimin e objektit Kodër Currila, një nga zonat më të degraduara të qytetit të Durrësit. Në përfundim të zbatimit të projektit, kjo zonë do të kthehet në një zonë të rehabilituar me vlera jo vetëm të mbrojtjes kundër erozionit, rigjenerimit të ajrit, por edhe me vlera peizazhike dhe sociale për qytetarët e Durrësit e jo vetëm. Gjithashtu, inaugurojmë përfundimin e rehabilitimit të Kurorës së Sarandës, e cila deri më dje ishte një panoramë e shëmtuar e këtij qyteti, ndërsa tani do të shërbejë si oksigjen për qytetarët e Sarandës dhe një mantel i gjelbër për vetë qytetin.  
Në këtë ditë të veçantë nuk mund të mbetemi pa shprehur mirënjohjen tonë për të gjithë ata njerëz që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre të çmuar në pylltarinë shqiptare.
Rigjenerimi i plotë i pyjeve shqiptare është një sfidë e madhe. Qeveria shqiptare i ka dhënë rëndësinë e duhur mjedisit dhe tashmë ky sektor i harruar në të kaluarën është vendosur në qendër të opinionit publik dhe ka fituar vëmendjen e të gjitha kategorive shoqërore, ndaj të gjithë së bashku, qeveri dhe qytetarë, media dhe vullnetarë, mund t’ia dalim t’i mbrojmë pyjet e vendit tonë si pasuria më e çmuar që kemi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura