Shqipëria e nis mbarë, golat vijnë nga stoli

Sep 8, 2012 | 12:54
SHPËRNDAJE

Lojtaret e Kombetares, duke festuar shenimin e golit

Kuqezinjtë fitojnë përballjen me Qipron, marrin përkohësisht kryesimin e grupit.

Vendos një perlë e Erjon Bogdanit dhe koka e Edgar Çanit.

Spektakël, atmosferë elektrizuese, emocione me tepri, gabime foshnjarake, vuajtje pafund, gola të mrekullueshëm dhe një trepikësh mëse i merituar. Kjo është Shqipëria e parë e kualifikimeve të Botërorit 2014. Italiani nuk doli as në këtë ndeshje nga roli, duke surprizuar jo vetëm me 11-shen titullare, duke lënë Bogdanin në stol, por edhe me ndryshimet taktike gjatë ndeshjes. Sakaq, duhet thënë se nuk bëmë ndeshjen më të mirë historike, madje edhe këtë herë e pamë veten për minuta të tëra të frikësuar, por ndryshimi qëndron te grinta dhe dëshira për të marrë rezultat, aq sa nuk i “ulëm armët” deri në minutën e fundit të lojës, paçka se tabela elektronike tregonte 3-1 për kuqezinjtë. Vendos sërish një “ujk të vjetër”, Erjon Bogdani, ose më mirë “mister 17 golësh” (kaq ka shënuar me Kombëtaren, në 71 ndeshje të luajtura). Gjigandi kuqezi hyn nga stoli dhe përveç perlës në minutat e fundit, tregoi edhe një herë se është gati i pazëvendësueshëm për këtë skuadër.
Ndeshja – Nën një “Qemal Stafa” i tëri kuqezi, ku ishte e zorshme të gjeje një vend bosh, startoi aventura e Kombëtares shqiptare për Botërorin brazilian. De Biazi e nis me mënyrën e tij duke lënë në pankinë një si Erjon Bogdani dhe duke i besuar Armando Sadikut. Sakaq, nga minuta e parë luajnë edhe dy debutuesit, Meha dhe Kukeli, teksa Vila preferohet në vend të Roshit. Zgjidhje taktike të kuptueshme, por duhet thënë se të paktën për më shumë se një orë lojë nuk dhanë rendimentin e kërkuar. Sadiku është i lëvizshëm, por nuk mban dot topin. Salihi ende jo në formën e tij më të mirë, gabon dy-tri raste të pastra, ndërsa Kukeli prek shumë pak topa në 45 minutat e para. Ndërkohë nuk zhgënjen Meha, nga këmba e të cilit kalon çdo goditje dënimi dhe pasimet në vertikale. Mbrojtja është e blinduar me Canën dhe Mavrajn, por çalojmë shumë në të djathtë, ku si Dallku, edhe Vila nuk janë në mbrëmjen më të mirë. Që të dy gabojnë shumë topa dhe ndihmojë shumë pak sulmin nga ai krah. Madje, edhe kur De Biazi urdhëron për ndryshim pozicioni të Vilës me Mehën, sërish nuk jep rezultat, pasi mesfushori i PAS Janina është larg performancave të tija më të mira. Ndërkohë, duhet thënë se përballë kemi një Qipro që duket qartë se ka ardhur në Tiranë për të marrë një pikë, pasi luan me shumë forca në mbrojtje, duke përdorur më së shumti kundërsulmin.
Golat – Duheshin pritur 36 minuta për të parë golin e parë kuqezi për këto eliminatore. Meha, një futbollist i zgjuar, kroson bukur në zonë, aty ku Sadiku sa më trup dhe me kokë, i ndihmuar dhe nga kapiteni i qipriotëve, Konstantinu, devijon topin në rrjetë. Shpërthen stadiumi, shokohen ishullorët. Shqipëria arrin të kalojë në avantazh dhe tenton të shfrytëzojë edhe momentin e mirë për të dyfishuar, por Salihi gabon të pagabueshmen. Dhe kur nuk shënon, do pësosh. Dalja e parë e qipriotëve në gjysmëfushën tonë, kros nga 35 metra në zonë, topi nuk preket nga askush dhe përfundon në rrjetë. Ujkani nuk u beson syve, kapiteni Cana skërmit nën dhëmbë. Ndërkohë fraksioni i dytë i lojës nis me sulme nga tanët, por mesfushorët nuk kanë qartësinë e duhur dhe sulmi mbetet jetim. De Biazi kupton se ku çalon ekipi, ndaj lëshon “asat” në fushë: Çani dhe Bogdani. Kaq u desh që një kros i Hykës të gjente mrekullisht kokën e Çanit dhe perla e “Bogut” të ngrinte në këmbë 15 mijë tifozët në impiantin kuqezi. Nuk ka më kohë dhe Shqipëria merr tri pikët e para dhe kryesimin e grupit, për shkak të golavarazhit më të mirë.

Xhani de Biazi: Vuajtëm, por e merituam fitoren
Trajneri Xhani de Biazi ka përgëzuar skuadrën për tri pikët e marra dhe pohoi se ishte një fitore e vuajtur. “Qipro nuk është një skuadër që të lejon të luash, ndaj edhe vuajtëm, por gjithsesi e nisëm mirë. Këtë sukses ia dedikoj vajzës sime, sepse sot (dje) kishte ditëlindjen dhe ishte një ndeshje e veçantë, duke qenë se edhe unë debutoja si trajner i një kombëtareje në Botëror”, ka thënë italiani pas ndeshjes. “Ishte një ndeshje e vështirë dhe unë e kisha thënë edhe më parë. Qipro është një skuadër që nuk të lejon të luash. Unë mendoj se duhet durim. Kemi një skuadër të re, dy lojtarë si Meha dhe Kukeli, të cilët nuk kishin luajtur kurrë me njëri-tjetrin, por edhe me Kombëtaren. Kundër Zvicrës do të luajmë me krenari dhe me durim. Është skuadra më e fortë e grupit, të paktën unë kështu e konsideroj. Do shkojmë në Zvicër me kokën lart. Këtë sukses ia dedikoj vajzës sime që sot (dje) ka ditëlindjen dhe mbush 20 vjeçe. Mendoj se bënë një paraqitje të mirë. Kukeli hasi pak vështirësi në pjesën e parë, por në të dytën pati një rritje të konsiderueshme. Nëse u referoheni dy sulmuesve që futa në fund, po ju them se Bogdani dhe Çani nuk janë në formën e tyre optimale, ndaj edhe mendova të shfrytëzoj freskinë e tyre në 20 minutat e fundit”, tha De Biazi.

Shqipëri-Qipro    3-1
Shënues: Sadiku 36’, Çani 84’, Bogdani 87’/ Laban 45+4’
Kartonë të verdhë: Cana 11’, Meha 45+2’, Sadiku 56’, Bogdani 88’/ Laban 45+2’, Makridis 90+1’
Gjyqtarë: Artjom Kushin/ E.Belski dhe S.Zhapasbajev (KAZ)
Arbitër i 4-t: Pavel Saliy (KAZ)
Shqipëria: Ujkani, Lila, Dallku, Cana, Mavraj, Bulku, Vila (Bogdani 72’), Kukeli, Meha, Sadiku (Hyka 58’), Salihi (Çani 81’). Trajner: Xhani De Biazi
Qipro: Giorgalides (Mastrou 46’), Dosa Xhunior, Haralambus, Merkis, Aloneftis, Haralambides (Kristofi 56’), Konstantinou (Avram 76’), Makridis, Demetriou, Laban, Nikolaou. Trajner: Nikos Nioplias

Grupi E/ Kalendari
Islandë-Norvegji    2-0
Shqipëri-Qipro    3-1
Slloveni-Zvicër    0-2

11.09.2012
Qipro-Islandë
Norvegji-Slloveni
Zvicër-Shqipëri

Renditja
Ekipi    ND    F    B    H    Gola    P
Shqipëria    1    1    0    0    3-1    3
Islanda    1    1    0    0    2-0    3
Zvicra    1    1    0    0    2-0    3
Qipro    1    0    0    1    1-3    0
Norvegjia    1    0    0    1    0-2    0
Slloveni    1    0    0    1    0-2    0

Nioplias: “Humbja s’na falet, mund të fitonim”
Trajneri i Qipros, Nikos Nioplias, nuk e ka pritur aspak mirë humbjen në Shqipëri. Sipas tij, Shqipëria nuk e meritoi këtë fitore. “Mund ta kishim fituar ne ndeshjen. Pas golit të barazimit patëm raste për të shënuar golin e fitores, por gabuam. Shqipëria nuk e meritoi këtë trepikësh, pasi ne luajtëm më mirë. Por, ata (kuqezinjtë) e bënë diferencën me zëvendësimet që bënë në pjesën e dytë. Nuk munda që të bëjë të njëjtën gjë edhe unë, pasi humba portierin në pushim të ndeshjes, ndaj edhe një zëvendësim e bëra të detyruar”, ka pohuar tekniku i Qipros.

Duka: Pata  frikë se do humbnim
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka pohuar se ka qenë nën tension gjatë ndeshjes, pasi ka pasur frikë se kuqezinjtë edhe mund ta kishin humbur takimin e parë ndaj Qipros. Kisha shumë emocione. Më shumë se çdo herë tjetër. Doja të fshija shijen e hidhur të humbjes me Luksemburgun dhe në disa momente pata edhe frikë se mos humbnim. Jam i kënaqur, sepse fillimi i mbarë është gjysma e punës. Ua thashë lojtarëve që në fillim të kësaj jave, që të mendojnë vetëm për ndeshjen e radhës, se vetëm kështu mund të jemi të fokusuar”, ka thënë presidenti i FSHF-së.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura