“Shpëtoni Partinë nga Enveri”- Zbulohet letrat dhe raportimet e fshehta të shefit të misionit të BS, Nexhmije Hoxha rrëfen: Mehmeti s’e dinte që do e tradhëtonte e shoqja dhe…

Jan 25, 2020 | 23:23
SHPËRNDAJE

Nga miq të ngushtë, Mehmet Shehu u kthye në një armik të rrezikshëm, që gjatë gjithë jetës ishte përpjekur të eliminonte Enver Hoxhën, në shërbim të misioneve angleze, amerikane, jugosllave e sovjetike.

Në librin e saj më të fundit, “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”, Nexhmije Hoxha “zbulon” anët e errëta të Mehmet Shehut, të gjitha gabimet që ai kishte bërë gjatë viteve, akuzat nga vetë Hrushovi dhe të dërguar të KGB-së.

Ndër të tjera, ajo arsyeton se përse Enver Hoxha, edhe pse kishte kaq shumë të dhëna, nuk dyshoi asnjëherë te Mehmet Shehu, por e justifikonte gjithçka me karakterin e tij të vështirë dhe ambicioz.

Nexhmije Hoxha zbulon se çfarë përmbante dosja sekrete në kasafortën e Hysni Kapos dhe deponimin e Fiqiret Shehut në gjyq, pas vetëvrasjes së të shoqit.

nexhua

Në veprimtarinë luftarake të lavdërueshme të Brigadës së Parë, Enver Hoxhës nuk mund të mos ia tërhiqte vëmendjen fakti që, dy a tri herë, Mehmet Shehu nuk zbatonte “urdhrat” e Komandantit të Përgjithshëm, si në rastin kur iu kërkua që me forcat e tij të kalonte Shkumbinin dhe të marshonte drejt zonave verilindore të Shqipërisë për çlirimin e tyre. Në këto raste, Enveri, duke u treguar i matur në gjykimet e veta, këto qëndrime të Mehmet Shehut i shihte thjesht si shfaqje të mendjemadhësisë, të prirjes për t’u treguar si ushtaraku më me përvojë, ngaqë kishte studiuar në Kolegjin Ushtarak në Itali dhe si pjesëmarrës në Luftën e Spanjës.

Megjithatë, nuk përjashtohet që Enver Hoxha të ketë bërë lidhje e të mendojë se qëndrimi i M.Shehut për moszbatimin e urdhrave ose për zbatimin e tyre me shumë vonesë, mund të ishte i ndikuar nga misionet aleate angloamerikane në Shqipëri, që vepronin sipas porosive që merrnin nga zyrat e Qendrës së tyre në Bari dhe Kajro. Është e njohur që shefat e këtyre i kishin drejtuar vetë Enverit, si Komandant i Përgjithshëm, radiogramin a kabllogramin ku kundërshtonin lëvizjen e forcave partizane drejt veriut të Shqipërisë.

Kaq mund të supozonte atëherë Enver Hoxha për atë gabim të Mehmetit, duke ditur që misionet anglo-amerikane, e nxitjen nga “Qendra” e tyre, provokonte rëndom dhe ndërhynin pranë shefave të reparteve partizane dhe atyre të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar. Por në atë kohë, këto qëndrime dhe gabime të M.Shehut, Enveri i shpjegonte edhe me ndikimin e Harri Fullcit, pasi i dinte lidhjet midis tyre dhe që të dy këtu kishin një vlerësim të veçante për njëri-tjetrin. Fullci njihej si “pagëzuesi” i Mehmet Shehut dhe për aq kohë sa qe në Shqipëri, u mor me organizimin, si të agjenturës së vjetër amerikane, ashtu edhe me agjenturën e re.

Gjatë luftës, Enveri ka konstatuar edhe që Mehmeti shfaqte herë pas here pakënaqësi. Por a mund të dyshonte ai se këto pakënaqësi dhe hatërmbetje vinin jo thjesht nga tiparet e karakterit të tij dhe nga ambiciet që ai kishte për karrierë dhe për pushtet? Ku ta dish? Vetëm Enveri e dinte se çfarë mbante fshehur në kokën e tij lidhur me këto. Vetëm pas vetëvrasjes dhe nga gjyqi i Fiqiret Shehut, Enveri u njoh me fakte që dëshmonin se Mehmeti bashkë me të shoqen ishin rekrutuar që në kohën e Luftës nga Dushan Mugosha i OZNA-s (UDB-së) jugosllave. Me këtë shpjegohen qëndrimet e Mehmetit, menjëherë pas çlirimit në mbështetje të politikave grabitqare të Jugosllavisë titiste ndaj Shqipërisë. Kontaktet me zyrtarët jugosllavë, lidhjet me punonjës të ambasadës jugosllave në Tiranë, të cilët në fakt ishin agjentë të UDB-së ai i bënte duke pasur si ndërlidhës Feçor Shehun. Nga dokumentet sekrete të vitit 1960, të nxjerra nga kasaforta e Hysni Kapos, doli se Mehmeti kishte vepruar në rrogoz dhe fshehtas shokëve dhe Partisë.

Enver Hoxha- MEhmet Shehu

Ai i kishte shkruar letra me raportime të fshehta jugosllavit Dushan Mugosha, shefit të misionit të BS, major Ivanovit, të cilëve u bënte thirrje “të shpëtonin Partinë tonë Komuniste nga Enver Hoxha”. Enveri nuk kishte si ta dinte që Mehmet Shehu nga fundi i vitit 1944 gjente kurajën për t’iu drejtuar të huajve prapa shpinës së Partisë dhe se çfarë lidhjesh kishte krijuar me ta. Në disa botime të bëra në këto vitet e fundit janë gjetur materiale dhe të dhëna mbi korrespondencën e organizmave dhe të personaliteteve zyrtare britanike gjatë Luftës Nacionalçlirimtare në Shqipëri.

Në disa prej tyre duket interesi që kanë pasur këto organizma për Mehmet Shehun. Sigurisht që ky interesim nuk ka qenë i rastësishëm dhe pa synime. Në librin e historianit dhe publicistit anglez Xhon Hillidej, i cili ka studiuar dosjet mbi Shqipërinë në arkivat angleze, ndër të tjera citohet një raport i Shtabit të SOE (Special Operations Executive-Drejtoria e Veprimeve të Posaçme), me qendër në Kajro, në Bari-Forca 399, i datës 11 nëntor 1944. Në këtë raport ishin përmbledhur të dhënat nga dymbëdhjetë misionarë anglezë të kthyer nga Shqipëria, që flisnin lidhur me influencën e Anglisë. Ndër të tjera, aty thuhet: “…Ka rëndësi të mbahen parasysh opozita e fortë brenda Lëvizjes dhe krerët e saj të mundshëm”.

Ndër pesë emrat e radhitur në listën e kësaj opozite, i dyti vjen ai i Mehmet Shehut. Përbri emrit të tij ishte një shënim, ku thuhej: “..njeri ambicioz e vanitoz, i cili për njëfarë kohe është mbajtur nën fre nga Partia… Është komunist, por ka ambicie personale që ia kalon besnikërisë së tij ndaj Partisë” (shih Jon Halliday, “Shqiptari dinak”, SHB “SHPATI”, Zvicër, 1993, f.233). Më tej, në këtë libër thuhet se “…Kuadrot e SOE-s në Shqipëri e mburrin Shehun… se ishte i vetmi shqiptar, nën urdhrat e të cilit oficerët anglezë i vunë njerëzit e tyre… ka shumë të ngjarë që anglezët (ose ndonjë anglez) të jenë përpjekur ta ‘rekrutonin’ Shehun… Këtë supozim e përforcon akoma më tepër fakti që grupi i SOE-s që punonte me Shehun, në mesin e vitit 1944 shprehej në atë kohë se parashikonte çarje ndërmjet Shehut dhe Hoxhës” (shih Jon Halliday, po aty, f.233-234). Ndërsa për lidhjen e Mehmet Shehut me amerikanët qysh gjatë Luftës, flitet edhe në librin e publicistit shqiptaroamerikan, Lukas, që e ka shkruar duke u bazuar në dokumente sekrete të misioneve amerikane në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndër të tjera aty thuhet se Nik Kukiç, zëvendësshef i misionit amerikan në Shqipëri, në tetor të 1944-ës ndodhej pranë Divizionit të Partë të Ushtrisë Partizane, të drejtuar nga Mehmet Shehu, dhe kontaktonte me të në ambiente të hapura, ku nuk kishte njeri tjetër pranë. Në këtë libër pohohet gjithashtu që Kukiç i raportonte qendrës së tij informacione me konsiderata për M.Shehun. Bazuar në dëshmitë e vetë Kukiçit, libri sjell edhe një bisedë autentike të tij me Mehmet Shehun, të bërë në fund të muajit tetor 1944, ku ai i ka thënë Mehmetit të eliminonte Enver Hoxhën e të bëhej ai vetë i pari i Shqipërisë.

Aty thuhet që edhe ky propozim u refuzua nga M.Shehu, i cili i ishte përgjigjur: “Nik, mos bisedo me mua për gjëra të tilla. Unë s’mund të jem i pari, unë jam ushtarak, Enveri është politikan” (shih Peter Lucas, “Misioni amerikan në Shqipëri”, SHB Bota Shqiptare, Tiranë, 2008, f.233). Siç shihet, Mehmeti i ka dhënë një përgjigje të mirë, por problem është se ai nuk e njoftoi Enverin për këtë propozim kaq të drejtpërdrejtë për eliminimin e tij. Përse ia mbajti të fshehtë, edhe nëse e konsideronte thjesht një provokim? Në fakt, ky propozim që i bëri Kukiçi nuk ka qenë aspak i rastësishëm.

NEXHMIJE-DHE-ENVER-HOXHA-ME-FIQIRET-E-MEHMET-SHEHUN

Siç shkruhet në libër, Kukiçi që e njihte mirë Mehmetin, i ka thënë Lucasit ndër të tjera: “Edhe nëse Shehu fshihte ndonjë armiqësi ndaj Hoxhës, ai nuk e shfaqte atë”. (Shih: Peter Lucas, po aty). Nga kjo del që misionari amerikan kishte biseduar për shumë gjëra me Mehmetin, kishte mësuar për idetë dhe qëndrimet e tij, përderisa guxonte ta udhëzonte, pa dorashka që të hidhej në veprim e të vriste Enverin, pa u tutur se mos Mehmeti e denonconte. Siç dukej, kishte njëfarë sigurie. Këtë siguri, zëvendësshefi i misionit amerikan e kishte krijuar ngaqë e dinte që Mehmeti kishte kaluar nëpër duart e Harri Fullcit, prandaj dhe takohej e fliste me të vetëm për vetëm, në mënyrë aq konfidenciale dhe në mjedise ku nuk kishte njeri. Ndërsa nga deponimet e Fiqiretit dhe të akuzuarve të tjerë në gjyq doli që Mehmeti kishte lidhje të vjetra dhe mbante kontakte me CIA-n amerikane. Në ç’kohë ishte rekrutuar si agjent nga CIA nuk dihet saktë, por në deponimet e bëra në gjyq del që në vite të ndryshme, ai është kontaktuar nga agjentë të saj, të cilët e kanë udhëzuar të vepronte pa u kompromentuar vetë. Ata e kishin urdhëruar të bënte plane konkrete për përmbysjen e regjimit në Shqipëri, madje i kishin dhënë të gatshme edhe disa variante për eliminimin fizik të Enver Hoxhës.

Kohët e fundit po deklasifikohen mjaft dokumente të arkivave të CIA-s dhe të KGB-së, nga të cilat kanë dalë materiale dhe fakte që flasin se Mehmet Shehu ishte vënë edhe në shërbim të agjenturës ruse. Në një dokument të Departamentit Amerikan të Shtetit (“Foreign Relatios”, 1949, faqe 299), thuhet shprehimisht: “Rusia ka pushtuar Shqipërinë… Kontrolli politik ushtrohet përmes regjimit të Hoxhës dhe njeriut të Moskës, Shehu, që është ministër i Brendshëm dhe anëtar i Byrosë Politike…”

Edhe në botime të ndryshme të arkivave ruse, në disa pjesë të përkthyera në shqip nga Ymer Minxhozi, del se M.Shehu qysh në vitet e hershme pas çlirimit të Shqipërisë bënte “informatorin vullnetar” të ambasadorit sovjetik në Tiranë, duke e hedhur fjalën për “vendime të padrejta” që, sipas tij, merrte Enver Hoxha, me të cilat ai nuk ishte dakord. Këto dokumente mbështesin atë që tashmë është bërë e njohur, se menjëherë pas çlirimit të vendit Mehmeti i kishte shkruar një letër shefit të misionit sovjetik në Tiranë, prapa kurrizit të Partisë dhe të Enverit.

Me këtë raportim të fshehtë që ai bën në këtë letër, me sa duket Mehmeti kishte hapur rrugën që më vonë të lidhej me KGB-në, shërbim inteligjent ky i një tjetër fuqie të madhe. Lidhur me këtë është folur edhe se ishte Fullci që i rekomandoi Mehmet Shehut të depërtonte në shërbimet sekrete sovjetike, pa përjashtuar këtu edhe rolin që mund të ketë luajtur Kim Filbi, i cili si agjent i dyfishtë që ishte mund t’ua ketë shitur sovjetikëve M.Shehun, kur ky qe ministër i Brendshëm dhe vepronte kundër diversantëve që hidheshin në Shqipëri nga anglo-amerikanët.

Nga ana tjetër mendohet se edhe vetë Shehu, qysh kur ishte në Moskë për studime në Akademinë Ushtarake në BS, i ka ofruar shërbimet e veta KGB-së. Dihet që për të arritur qëllimet e tyre, shërbimet e huaja të inteligjencës kur ua do puna veprojnë në bashkëpunim me njëra-tjetrën. Ndaj ka ndodhur shpeshherë që Mehmeti të merrte instruksione dhe urdhra prej tyre veç e veç, ose duke u kombinuar së bashku. Kështu mund të përmendim që në fillim të viteve ’70, kur Mehmeti ndodhet i shtruar në një spital të Parisit, apo kur e shoqja shkoi në disa kryeqytete të vendeve perëndimore, u kontaktua nga agjentura të huaja që i dhanë udhëzime se si të vepronte Mehmet Shehu për likuidimin e Enverit.

Duke mos ditur që për veprime dhe lidhje të fshehta të Mehmetit dhe duke pasur besim te shokët, pra edhe te Mehmeti, pas çlirimit të vendit, Enver Hoxha, si ministri i parë i Mbrojtjes dhe Komandant i Përgjithshëm që ishte zgjedhur në Berat nga Këshilli i Përgjithshëm i Frontit Nacionalçlirimtar, e shpërbleu Mehmetin për meritat që ai pati në drejtimin e luftës së lavdishme për çlirimin e Tiranës, duke e dërguar për studime në Akademinë Ushtarake në Moskës dhe më pas e mori pranë vetës duke e emëruar shef Shtabi të Ushtrisë sonë të re Popullore. Edhe në vitet 1945-1948, megjithëse në dy-tri plenumet më kryesore të KQ të Partisë, M.Shehu u akuzua për anim nga propozimet e Jugosllavisë së Titos, si për unifikimin e ushtrisë sonë me atë jugosllave etj., Enveri nuk pati ndonjë aludim për Mehmetin, por besoi në autokritikën dhe në kthesën e fortë që ky bëri në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste, në nëntor të 1948, dhe M.Shehu u zgjodh aty anëtar i Byrosë Politike.

Qëndrimi i matur dhe dashamirës i Enverit ndaj Mehmetit është vënë re në vazhdimësi, edhe kur ky gabonte dhe bënte autokritikë dhe një varg premtimesh se do të ndreqej. Edhe kur u prishëm me BS-në dhe Hrushovi i drejtoi KQ të Partisë sonë një letër ku M.Shehu akuzohej si agjent i imperializmit, Enveri nuk e mori në konsideratë këtë akuzë. Ai vetëm e lexoi letrën në Byronë Politike në praninë edhe të Mehmetit dhe e mbylli letrën duke thënë: “Ky është vetëm provokacion, ‘udhëheqja hrushoviane’ përpiqet të thyejë unitetin e udhëheqjes sonë”.

Ashtu mendoi Enveri edhe kur mësoi që KGB-ja sovjetike kishte ngarkuar një person të paidentifikueshëm, që u paraqit në ambasadën tonë në Vjenë dhe dorëzoi një pako me dokumente (autentike) që provonin se Mehmet Shehu ishte rekrutuar si agjent në kampin francez, pas Luftës së Spanjës. Ambasadori ynë ia përcolli ato dokumente Hysni Kapos, i cili menjëherë informoi Enverin për to. Duke e lidhur momentin e shfaqjes së këtyre dokumenteve me situatën e acaruar në marrëdhëniet me hrushovianët, Enveri konsideroi se ato ishin një provokacion tjetër i sovjetikëve.

Ndaj, vetëm sa u hodhi një sy atyre kartelave në gjuhën angleze dhe i tha Hysniut: “Mbylli në kasafortën tënde, nuk është nevoja ta shqetësojmë Mhmetin”. Shumëkush mund të pyesë: “Edhe kur i bie në dorë një dokument autentik (qoftë i fotokopjuar) me firmën e Mehmetit, me pagesat që kishte marrë, madje edhe me një pseudonim agjenturor, nuk dyshoi Enveri?” Fakti që Enveri as me shokun e tij më të ngushtë Hysni Kapon nuk bëri ndonjë koment për këto dokumente dhe as mua, gruas së tij, nuk ma zuri në gojë, tregon se ai ishte i prirur të mos nxitohej për të akuzuar shokët, aq më pak Mehmetin, gabimet e të cilit i ka parë si të bëra në punë e sipër të paqëllimta dhe pa prapavijë armiqësore. Ishte filozofia e tij që të mbante qëndrim të matur e të kujdesshëm ndaj gabimeve të Mehmetit, duke u përpjekur kështu si e si ta ndihmonte atë që t’i kuptonte gabimet dhe të korrigjohej. Rasti në fjalë nuk ishte as i pari dhe as i fundit që Enveri vepronte në këtë mënyrë. Edhe në vitet ’70 kur ndodhën ngjarjet në ushtri, Enveri u tregua përsëri i kujdesshëm ndaj Mehmetit.

Duke mos pasur fakte komprometuese për të, ai nuk hodhi dyshime ndaj tij, aq më pak kur pa që Mehmeti u hodh në sulm kundër gjeneralëve komplotistë. Por pas aktit të vetëvrasjes dhe leximit të letrës që la, Enveri u ndal në faktin që Mehmeti konsideronte edhe Kadri Hazbiun si armik. Si është e mundur? – pyeste ai. Sa qe gjallë, Mehmeti nuk e denoncoi në udhëheqjen e partisë, as larg e larg këtë armik. Përse vallë? Marrëdhënia e tij me Hazbiun kish qenë shumë e ngushtë, jo vetëm nga puna dhe bashkëpunimi për një kohë të gjatë në Ministri të Brendshme, por edhe në jetën shoqërore e familjare. Me sa duket, prapa kësaj shoqërie e miqësie të dy ata fshihnin veprimtarinë e tyre agjenturore. Dhe ja, tani, njëri e quan tjetrin armik!

Nëse midis tyre njëri ndër ta e kishte tjetrin “armik”, kjo do të thoshte se prej tyre është kryer edhe veprimtari armiqësore… Për t’u bindur edhe më shumë për këtë, Enveri kërkoi menjëherë sqarime të hollësishme për zarfin me dokumentet për Mehmet Shehun, që e dinte se ishin mbyllur në kasafortën e Hysni Kapos. Në fakt, këto shpjegime nga ambasadori ynë në Vjenë, Gaqi Nesho, për këto dokumente Enveri nuk i kërkoi lidhur me Kadri Hazbiun, por sepse donte të bindej nëse ai personi i paidentifikueshëm që i kishte dorëzuar ato prova në ambasadën tonë dhe që fliste anglisht, a kishte ndonjë theks që të dëshmonte se ai mund të ishte rus, domethënë i dërguar nga KGB-ja, në këto dokumente, siç e kam përmendur, provohej që Mehmeti ishte vënë në shërbim të agjenturës britanike.

Por problemi u qartësua edhe më shumë nga rrëfimet që bënë në gjyq Fiqireti dhe të akuzuarit e tjerë. Këtu nisën të dalin në dritë anët e errëta, sekrete të veprimtarisë agjenturore të Mehmetit. Deponimet e tyre sollën shumë fakte të rënda rreth veprimtarisë armiqësore të Mehmetit në dekada. Siç duket, Mehmeti nuk e kishte shkuar ndër mend se e shoqja dhe bashkëpunëtorët e tij do ta tradhtonin dhe do të nxirrnin në shesh jetën e tij sekrete. Tashmë, Enver Hoxha krijoi një tablo të qartë për anën e zezë të Mehmet Shehut, për implikimin e tij me shërbimet agjenturore të huaja dhe ndjeu një zhgënjim tronditës nga kjo. (Përgatiti – Panorama.al)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura