Shoqata e Bashkive letër qeverisë: Apartamentet para ‘93 të taksohen 60% më pak, kurse garazhet…

Feb 18, 2018 | 22:11
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, nëpërmjet një letre zyrtare, i ka dërguar qeverisë propozimet për metodologjinë e taksës së pronës.

Më herët, qeveria hartoi projektvendimin me metodologjinë e përcaktimit të vlerës së pronës së taksueshme që do të zbatohet nga 1 prilli, ku para miratimit po konsultohet edhe me pushtetin vendor.

agron-haxhimali

Gazeta zbardh të plotë propozimet e Shoqatës së Bashkive drejtuar qeverisë për taksën e pronës.

Pas konsultimit të projektvendimit, Shoqata e Bashkive vlerëson se hartimi i metodologjisë zgjidh problemin e regjistrimit të pronës në vend, por kundërshtojnë nivelin e taksës për apartamentet e ndërtuara para 1993-it, garazhet, bodrumet, zyrat dhe të mos taksohen ndërtesat e braktisura.

“Metodologjia është shumëpërfshirëse dhe ka një diapazon të gjerë veprimesh dhe alternativash, që i japin rrugëzgjidhje kësaj situate shumë kakofonike në regjistrimin dhe vlerësimin e pronave. Përpos këtij vlerësimi, ne kemi këto komente që mendojmë se do ta pasurojnë këtë projektvendim dhe do ta bëjnë më funksional dhe social për qytetarët së pari, si edhe për institucionet”, thuhet në letër.

APARTAMENTET

Shoqata e Bashkive i kërkon qeverisë për apartamentet e ndërtuara para 1993-it të privatizuara me çmime simbolike, që taksa 0,05 për qind të llogaritet për 40-50 për qind të vlerës së shtëpisë. Propozimi i bashkive e ul me 20 deri në 30 për qind vlerën e shtëpisë, krahasuar me drafatin e qeverisë.

“Këto ndërtesa për shkak të amortizimit, mendojmë të taksohen në masën 40–50% të vlerës së banesës sipas zonës dhe nënzonës”, thuhet në komentet e bashkive. Qeveria parashikon diferencim të taksës për apartamentet e privatizuara me ligjin nr. 7652/92. Drafti i qeverisë parashikon se në rast se mbi këto shtëpi nuk është kryer asnjë transaksion, taksa të llogaritet mbi 70 për qind të vlerës së shtëpisë. Në rast se apartamentet e para ‘93 janë shitur apo blerë, taksa do të llogaritet me 100 për qind të vlerës.

GARAZHET DHE ZYRAT

Drafti i qeverisë parashikon që çmimi për garazh të mbuluar është sa 70% e vlerës së banesës.

Mbi këtë vlerë do të llogaritet taksa 0,05 për qind. Llogaritja e vlerës së garazhit kundërshtohet nga bashkitë, ku kërkojnë që në rast se garazhi përdoret për qëllime vetjake, vlera e tij të jetë sa 35 për qind e çmimit të shtëpisë.

“Mendojmë që kjo vlerë të jetë 35% e vlerës së banesës, pra, sa 1/3 e vlerës së banesës kur garazhi përdoret vetëm për makinën familjare dhe jo për qëllime biznesi”, thuhet në komentet e bashkive.

Sipas propozimit të qeverisë, për zyrat çmimi është sa 1 m2 e banesës. Shoqata e Bashkive rekomandon që për ambiente zyrash, që nuk kanë qëllim fitimi, këto mjedise të mos taksohen, ndërsa për ambiente të tjera zyrash biznesi me qëllim fitimi, niveli i taksimit të jetë 30 – 50 për qind të vlerës së banesës sipas zonës dhe nënzonës.

Për bodrumet, ndryshe nga sa përcaktonte qeveria që çmimi për 1 m² bodrum është sa 70 për qind e vlerës së shtëpisë së banimit, rekomandimi i Shoqatës së Bashkive është: edhe bodrumi kur nuk është për qëllim fitimi apo biznesi, të taksohet në masën 30 për qind të vlerës së banesës.

Shoqata e Bashkive kërkon që të taksohen në masën 30 për qind nga 70 për qind, sipas propozimit, për bizneset e lincensuara në mbarështim bagëtish. Po ashtu, të përjashtohen nga kjo taksë fermerët dhe fshatarët që kanë një ndërtesë tip kasolle për bagëtitë e familjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura