Shok në Durrës, nëna hedh vajzën e veten nga pallati

Nov 3, 2012 | 14:10
SHPËRNDAJE
Elona Dhaskali me vajzën 6 vjeçe

Policia: Depresion pas divorcit. Ngjarja, teksa çonte fëmijën në kopsht.

Vdes në spital 31-vjeçarja, shpëton mrekullisht e bija 6 vjeçe.

Nëna 31-vjeçare hedh fëmijën dhe më pas hidhet edhe vetë nga kati i katërt. Elona Dhaskali ndërroi jetë pak orë më vonë në Spitalin e Durrësit, ndërsa e bija 6 vjeçe shpëtoi me fraktura të lehta. Ngjarja shokuese që tronditi mbarë opinionin ndodhi rreth orës 08:30, në Lagjen Nr. 16 në Durrës, në afërsi të stadiumit, pranë shkollës “Adem Reka”, ndërsa nëna e re po çonte të bijën në kopsht. E vogla ka qarë gjatë rrugës duke mos dashur të shkonte në kopsht, çka ka sjellë dhe dhunimin e saj e më pas dhe reagimin ekstrem të së ëmës, divorcuar para 5 vitesh. Kanë qenë banorë të zonës që kanë njoftuar Policinë mbi ngjarjen. Me shpejtësi nënë e bijë janë dërguar në Spitalin e Durrësit. Me gjithë ndërhyrjen e menjëhershme të mjekëve, 31-vjeçarja nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të frakturave dhe plagëve të shumta që ka marrë në kokë e trup. Ndërsa vajza e vogël 6-vjeçare, sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetën dhe e ka kaluar me disa fraktura të vogla, të shkaktuara nga kontakti që ka pasur me asfaltin. Mjekët bënë të ditur se fëmija ka dëmtuar lehtë pjesën e legenit, pasi ka rënë me të ndenjura.

Pallati ku ndodhi ngjarja në Durrës

Dëshmitarët: E rrahu fëmijën
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili fillimisht ka ndërtuar skenën e ngjarjes në bazë të dëshmive të dhëna nga banorë të zonës, por edhe për nga pozicioni që kanë rënë nëna dhe vajza e saj 6 vjeçe, kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes shokuese. Nga ekspertët mësohet se 31-vjeçarja Elona Dhaskali, fillimisht ka hedhur vajzën e saj 6-vjeçare nga sheshpushimi i shkallëve në katin e katërt të një pallati, ndërsa vetëm pas këtij akti, ajo është hedhur edhe vetë nga e njëjta lartësi. Ky version është përforcuar edhe nga dëshmitarë që kanë parë të gjithë ngjarjen. Sipas tyre, nëna e re ndihej e lodhur nga fëmija e saj, e cila i qante dhe ankohej se nuk donte të shkonte në kopsht, pasi kishte dhimbje barku. Të qarat e saj mendohet të kenë rënduar gjendjen psikologjike të nënës, ku sipas dëshmitarëve, fillimisht ka nisur t’i bërtasë dhe më pas i ka qëlluar disa herë. Pas disa tentativash për t’u ngjitur në një nga pallatet e Lagjen 16, ajo më në fund ka hipur në sheshpushimin e shkallëve të një pallati 5-katësh, duke kryer vetëvrasjen e dyfishtë. Grupi hetimor ka marrë në pyetje një numër të madh personash që ishin dëshmitarë të ngjarjes, por edhe familjarë të nënës 31-vjeçare. Sipas Policisë lokale, 31-vjeçarja vuante nga depresioni, për të cilin merrte kurime të vazhdueshme prej disa vitesh, çka dyshohet të jetë bërë shkak për ndërmarrjen e aktit të rëndë.
Fqinjët: Ishte tip i qetë
Viktima ishte divorcuar pesë vite më parë, gjatë kohës që jetonte në Itali me bashkëshortin e saj. Prej asaj kohe ajo ishte kthyer dhe jetonte me prindërit në Durrës. Mësohet se vajza e vogël jetonte me të ëmën, por kjo e fundit e çonte rregullisht të takonte të atin në Itali. Madje, herën e fundit kishte qenë rreth një muaj më parë. Fqinjët e 31-vjeçares kanë pohuar se Elona nuk kishte shfaqur sjellje të paqëndrueshme, përkundrazi, dukej e qetë dhe jo problematike, përveç se kishin dijeni për krizat që i shkaktonte dhimbja e kokës dhe për të cilën mjekohej rregullisht. Personi i fundit pas familjarëve që e kanë parë të dalë nga banesa ka qenë dhe fqinja e saj, Sanie LL., e cila deklaron se “e pashë Elonën të dilte nga shtëpia rreth orës 08:10 të mëngjesit me vajzën për dore, për ta çuar atë, si çdo ditë, në kopsht. Më përshëndeti dhe e përshëndeta si zakonisht dhe në sjelljen e saj nuk kishte asgjë të pazakontë”. Sipas fqinjës, Elona nuk punonte, pasi ishte mirë financiarisht në shtëpinë e të atit, ku jetonte së bashku me motrat e vëllezërit.

Dy dëshmitaret: Si e pamë skenën tragjike
“Nëna e tërhoqi deri në kat të katërt”
Ngjarja e rëndë që tronditi mëngjesin e djeshëm qytetin e Durrësit është parë “live” nga dhjetëra qytetarë të rastësishëm dhe nga shumë banorë të zonës. Dy prej tyre, Lumturia dhe Bajamja, tregojnë për gazetën të gjithë tragjedinë që ndodhi përpara syve të tyre.
Ku ishit në momentin që fëmija ra nga pallati?
Lumturia: Ishim këtu përpara të dyja. Shkova në dyqan dhe kur dola takova Bajamen. Po bisedonim për disa minuta në këmbë. Kishte lëvizje në lagje dhe nuk e kishim mendjen, por të qarat e fëmijës na tërhoqën vëmendjen dhe e shoqëruam me sy fëmijën e vogël që qante ndërsa mbahej prej dore nga një grua e re. Ajo qante vazhdimisht dhe ankohej se i dhembte barku. Ndërsa gruaja i bërtiste dhe i thoshte që të pushonte, ndërkohë e tërhiqte prej dore fëmijën.
Po më pas çfarë ndodhi?
Lumturia: Me fëmijën për dore ajo hyri te pallati dhe pas pak sekondash pamë fëmijën të binte nga një lartësi e madhe. Më pas pamë që edhe vajza që e shoqëronte u hodh edhe vetë nga i njëjti vend. U tmerruam! Nuk po u besonim syve kur i pamë të dyja të shtrira në asfalt. Fillimisht m’u duk sikur ra ndonjë çarçaf nga ballkoni.
Bajamja: Tmerr, tmerr kemi parë! Nga kati i katërt ranë që të dyja. Ajo vajza po e shoqëronte për dore dhe po i bërtiste së voglës, por fëmija nuk pushonte së qari. Nuk i njihnim dhe u bëmë kurioze për sjelljen e tyre. Pastaj, kur pashë që fluturuan nga kati të dyja njëra pas tjetrës, e humba fare… dhe e vetmja gjë që më erdhi në mëndje ishte t’u kërkoja ndihmë personave që ndodheshin aty. Ata i morën dhe i hipën në makinë për t’i çuar në spital.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura