Shkon në 14 numri i shkollave të kyçura/ Kushi: Në shumicën e rasteve ka qenë problemi i rrugës për të shkuar nxënësit

Nov 22, 2022 | 8:08
SHPËRNDAJE

Nuk ishin përmbytjet e shkollave arsyeja e pezullimit të mësimit, por infrastruktura e dobët rrugore.

kushi

Këtë deklaroi ministrja e Arsimit, Evis Kushi në seancën e djeshme dëgjimore në Komisionin e Edukimit dhe Mjetet e Informimit publik. “Jo në të gjitha shkollat ku mësimi është pezulluar për shkak të përmbytjeve, është faji i shkollës. Disa prej këtyre shkollave janë mbyllur për shkak të rrugëve të bllokuara për të ikur në shkollë”, tha Kushi, duke shtuar më tej se numri i shkollave ku mësimi është pezulluar deri në përmirësimin e motit ka arritur në 20, nga 16 të komunikuara ditën e mëparshme.

Ndërsa në mbrëmje numri u ul në 14. Zonat më problematike pas vëzhgimit të terrenit, sipas ministres, kanë rezultuar ato të Shkodrës, Vaut të Dejës dhe Malësisë së Madhe ku një numër shkollash, kryesisht vartëse, me numër të ulët nxënësish kanë paraqitur vështirësi për shkak të rrugëve. Aktualisht, ekipe të ministrisë janë në terren për të marrë një vendim mbi ditën e nesërme. Pasditen e së dielës, me përkeqësimin e motit, MAS mblodhi virtualisht drejtues të arsimit dhe zyrave arsimore nga ku dolën me vendimin për shtyrjen e mësimit në disa shkolla të qarkut Shkodër, pa një afat të përcaktuar. Ministrja e arsyetoi këtë me shmangien e rreziqeve të mundshme për nxënësit e mësuesit, teksa theksoi se situata është nën kontroll.

PAGAT E PEDAGOGËVE

Në mbledhjen që zgjati pothuajse tri orë nuk u la mënjanë çështja e shumë diskutuar e pagave të pedagogëve. Sipas informacioneve zyrtare, deri më tani, tetë institucione të arsimit të lartë kanë bërë realitet vendimin për rritjen me 8% të pagave duke e çuar në 15% totalin e rritjes, sa gjysma e asaj që kërkuan pedagogët për këtë vit. Shtatë përqindëshi i qeverisë është bërë fakt i kryer që në fillim të muajit tetor, por jo të gjitha universitetet i janë përgjigjur thirrjes së qeverisë. Katër universitete: ai i Arteve, Universiteti “Eqerem Çabej” Gjirokastër, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë dhe Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë janë në proces analize dhe brenda këtij muaji do të kenë një vendimmarrje, sipas asaj që komunikon ministrja.

Nga ana tjetër, sipas informacioneve nga sindikata e punonjësve të universiteteve të Shqipërisë, universiteti i Shkodrës ka realizuar një rritje prej vetëm 2%, nga 8%-shi i sugjeruar nga qeveria. Sa i përket kërkesave të Sindikatës së Pedagogëve, ministrja u shpreh se për të gjitha kërkesat e tyre janë ngritur grupe pune, por disa prej kërkesave janë vetë universitetet që duhet të marrin masa, si për shembull transparenca e vendimeve të universiteteve. Ministrja bëri sërish thirrje që universitetet të marrin pjesë në më shumë projekte të programit “Horizont Evropa”, duke shtuar se statistikat dhe performanca e bën optimiste për përfitimet e universiteteve në të ardhmen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura