Shkolla e Kombinatit/ Veliaj: Ata që në 4 vite në bashki nuk ndërtuan asnjë shkollë, e kanë kollaj të japin mend, por…

Sep 14, 2020 | 14:03
SHPËRNDAJE

 

Veliaj shkolla kombinatitShkolla 9-vjeçare ‘1 Qershori’ në Kombinat hapi sot dyert për nxënësit, e rikonstruktuar. Nga mjediset e reja të shkollës, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi nxënësit dhe mësuesit për vitin e ri mësimor, si dhe i këshilloi për respektim të masave të protokollit të higjienës.

Ai kujtoi se ndryshe nga administrata e mëparshme, e cila nuk ndërtoi asnjë shkollë, vetëm këtë vit kryeqytetit i janë shtuar 4 shkolla të reja.

“Për ata që, në katër vite në Bashkinë e Tiranës, nuk bënë asnjë shkollë, është kollaj të japin mend për çdo gjë; dikush që s’ka prekur top me këmbë, mund të japë mend si bëhet goli; dikush që s’ka zënë punë me dorë, sigurisht të jep mend si bëhen punët. Ama, në katër vite bënë zero shkolla! Kurse ne, vetëm këtë vit, kemi hapur 4 shkolla të reja, plus rikonstruksionet e disa të tjerave. Është shumë kollaj të hapësh panik, të përdorësh politikisht prindërit e merakosur ose fëmijët që kanë qenë të izoluar, por është shumë më vështirë të japësh zgjidhje, të bësh shkolla të reja, të rindërtosh nga e para shkolla të amortizuara, siç ka qenë “1 Qershori”, apo t’u gjesh zgjidhje problematikave që nuk varen nga ne, siç ishte rasti në Pezë Helmës”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi se Bashkia e Tiranës do të vijojë misionin e saj për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave. “Sot vërtet fillon shkolla, por misioni ynë nuk mbyllet këtu. Do të vijojmë me shkollat e reja që po bëjmë në të gjithë Tiranën. Viti tjetër do na gjejë edhe me më shumë shkolla; do punojmë me shkollat e reja që fillojnë nga zero, edhe me shkollat e dëmtuara nga tërmeti. Siç e patë, nuk po lëmë gur pa lëvizur, edhe fondet e qeverisë, edhe fondet e Katarit, edhe fondet e Çekisë, për t’i dhënë zgjidhje fëmijëve të Tiranës. Nuk do të kursejmë asnjë njohje, asnjë lidhje, asnjë ambasadë, asnjë partner, asnjë mik të Shqipërisë”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura