Shkëlzen Berisha: “Rama dhe Balla t’i provojnë akuzat në gjyq”

Dec 30, 2012 | 10:15
SHPËRNDAJE
Taulant Balla

PS: Pasuritë e Berishës  në hetim pas 23 qershorit.

Deputeti i PS akuzon familjarët e Kryeministrit, vjen përgjigjja.

Shkëlzen Berisha: Rama dhe shpifësi i tij t’i provojnë akuzat në gjyq.

Partia Socialiste kërkoi sërish shpjegime lidhur me pasurinë e fëmijëve të Kryeministrit Sali Berisha.  Deputeti socialist, Taulant Balla, tha se ndërkohë që shqiptarët përjetojnë krizë ekonomike, familja e kreut të qeverisë po pasurohet çdo ditë e më shumë.  “Duke iu referuar ekzaktësisht vetëm deklaratave të plotësuara nga vetë Sali Berisha, Argita dhe Shkëlzen Berisha, Jamarbër Malltezi dhe anëtarë të tjerë të afërm të familjes së Kryeministrit, ne kemi vërejtur se në bazë të deklarimeve të këtyre personave, pasuria e tyre është rritur në mënyrë marramendëse, në raport të zhdrejtë me gjendjen ekonomike dhe sociale të shumicës së qytetarëve shqiptarë, në raport të zhdrejtë me mungesën e lirive e demokracisë në vendin që qeveriset nga babai. Ndërsa të gjithë shqiptarët e thjeshtë janë duke e provuar në kurriz të tyre peshën e krizës ekonomike, një familje në Shqipëri, familja biologjike Berisha, po pasurohet çdo ditë e më shumë”, tha Balla. Ai kërkoi shpjegime nga kreu i qeverisë për pasurinë e tij të deklaruar prej 1 milion lekësh, të cilën e ka gjendje cash në shtëpi, si dhe rrogën prej 146 milionë lekësh në vit që merr Argita Berisha nga mësimdhënia. “Edhe për 176 ditë, deri më 23 qershor. Pas 23 qershorit do të rilindë Shqipëria. Do të rilindë edhe drejtësia e munguar. Një drejtësi e vërtetë që do të mundësojë hetimin e plotë dhe gjykimin e paanshëm të pasurimit të bllokmenëve të rinj në pushtet. Do të hetohet se si janë larguar nga Shqipëria 1.3 miliard dollarë në pesë vite të qeverisjes së Saliut. Prandaj, Sali Berisha, bën mirë të fillosh të mendosh mirë dhe me këmbë në tokë për transparencën e pasurimit tënd, të fëmijëve dhe të të afërmve të tu. Viti 2013 është viti i ndryshimit”, theksoi Balla.

Shkëlzen Berisha

Shkëlzen Berisha
Pas akuzave të deputetit të PS-së, reagoi dje djali i Kryeministrit, Shkëlzen Berisha. “Detyrimi im ligjor në emër të transparencës është të depozitoj çdo vit deklarimin tim të pasurisë në ILDKP, i cili verifikohet dhe kontrollohet nga ky institucion që, ndër të tjera, përcakton nëse është vënë ose jo në konflikt interesi. Këto ditë ILDKP, institucion i pavarur, i dha përgjigje publike shpifësve Rama – Balla duke certifikuar pas kontrollit, korrektësinë dhe mungesën e konfliktit të interesit në aktivitetin tim privat. Përveç kësaj, unë kam çelur padi gjyqësore duke i mundësuar z. Rama dhe shpifësit të tij të paguar të provojnë mashtrimet e tyre para institucioneve të Drejtësisë”. Sipas tij, “e ftoj Edi Ramën të mos inkriminojë dhe denigrojë bashkëpunëtorët e tij me shpifje, por t’u shpjegojë qytetarëve si ka mundësi që pasi ka betonizuar gjithë Tiranën, pasi është akuzuar publikisht me emër se ka kërkuar miliona euro për leje ndërtimi, pasi njihet rëndom si Mister 20%, deklaron se ka vetëm 3 mijë euro kursime jete dhe si i pastrehë strehohet në shtëpitë e shokëve dhe të mamit”.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura