Shkatërrohet për turp Monumenti i Pavarësisë, shteti nuk e mbron

Jun 9, 2015 | 14:10
SHPËRNDAJE

Tashmë është e kotë të numërosh se sa pllaka mungojnë. Mbi 10 syresh janë zhdukur, të tjera kanë mbetur në tentativë. Dhe e gjithë kjo ka ndodhur nën hundën e institucioneve që gjenden vetëm pak metra më tutje apo forcave të rendit të çfarëdolloj uniforme, të shtetit apo bashkiake.

Monumenti i Pavarësisë

I mbetur si një mall pa zot, askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për ta mbrojtur e aq më pak për ta rikonstruktuar. Institucionet ia kalojnë topin njëri-tjetrit, duke thënë se nuk është në kompetencat e tyre. Por, nëse askush nuk bëhet merak për simbolikën e tij, të paktën t’u dhimbsen ato 360 mijë euro që ka kushtuar ngritja e tij.

PËRGJEGJËSIA

Në Ministrinë e Kulturës mësojmë se ky monument ende nuk është marrë nën dorëzim nga ana e MK. Për shkak të disa problemeve që janë hasur në realizmin e tij, autorët nuk e kanë dorëzuar veprën dhe ligjërisht ajo nuk është pronë e MK. E megjithatë, nga sa mësojmë, do të ngarkohet Qendra e Realizimit të Veprave të Artit për ta meremetuar disi monumentin e shqyer.

Sa i takon mbrojtjes, MK thotë se bëhet fjalë për një detyrë të Bashkisë së Tiranës. Drejtori i Artit dhe Kulturës pranë Bashkisë, Arben Skënderi, e hedh poshtë një pretendim të tillë. Sipas tij, asnjë monument nuk mbrohet me policë dhe nuk ka asnjë mbështetje ligjore për ta bërë një gjë të tillë. “Imagjinoni sikur pranë çdo monumenti të vendosej një polic.

Është e pamundur. Askund nuk ndodh kjo”, thotë Skënderi. “Monumentet ndahen në lokale dhe kombëtare. Objekti në fjalë është një monument kombëtar e, si i tillë, Bashkia e Tiranës nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në të. Nuk kemi asnjë autoritet mirëmbajtjeje, madje ne nuk kemi të drejtë as ta lajmë atë.

Janë Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Qendra e Realizimit të Veprave të Artit, që i kanë të gjitha akseset për të ndërhyrë dhe për ta mirëmbajtur”, thotë drejtori i Artit dhe Kulturës pranë Bashkisë së Tiranës. Ai konfirmon gjithashtu që Monumenti i Pavarësisë ende nuk është marrë në dorëzim nga Ministria e Kulturës.

Sipas tij, si kudo, edhe monumentet e këtij lloji duhet të jenë të siguruara financiarisht prej dëmtimeve, dhe për këtë është biseduar edhe me ministren Mirela Kumbaro, për t’u ulur së bashku e për të gjetur një zgjidhje. Por deri sa kjo zgjidhje të gjendet, Monumenti i Pavarësisë nuk do të jetë më aty. Ose do ta kenë çmontuar të gjithin njerëzit e skrapit, ose vetë shteti do ta heqë monumentin që nuk ngjall më respekt, por turp.

HISTORIKU

Monumenti i Pavarësisë, i përuruar në nëntor të vitit 2012, në parkun “Rinia”, u shpall fitues pas një konkursi ndërkombëtar, ku morën pjesë 61 artistë me 81 bocete. Ai paraqet një kullë të hapur, në njërën faqe të së cilës janë gdhendur me lazer gjithë emrat e firmëtarëve të pavarësisë dhe në tjetrën një shqiponjë dykrenore. Monumenti i bronztë është fabrikuar në Austri.

Është i gjatë 6.5 metra, 5.5 m i gjerë dhe peshon 15 tonë. Qysh në prezantimin e maketit të monumentit, me autorë Visar Obrija dhe Kai R. Kiklas, më skeptikët paralajmëruan se në një qytet pa WC publike, objekti shumë shpejt do të kthehej në një vend që do t’u shërbente “nevojtarëve”. Por edhe ata i mbante “shpresa” se shqiptarët do të kishin respekt për baballarët e shtetit, që kishin hedhur firmat për pavarësinë.

Deri këtu kishte shkuar fantazia, se askush nuk e mendonte se monumenti do të kthehej pre e vjedhësve të skrapit, që do ta çmontonin copë pas cope. Në fillim një, pastaj dy, tre…, tani askush nuk i numëron më. Pas denoncimeve të para, pati edhe ndalime nga ana e policisë. Të ndaluarit e kishin shitur për skrap një pllakë bronzi që kushton 380 euro vetëm 2 mijë lekë. 

Por që atëherë askush nuk merret më me vjedhjen e Monumentit të Pavarësisë. Fundja, kjo është bërë diçka krejt e zakonshme. Siç ndoshta do të duket e zakonshme edhe mungesa e tij së afërmi. 

ALMA MILE 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura