Shaqir Vukaj rrëfen çfarë i tha i ati që luftoi kundër Prek Calit: U fsheh 7 ditë në një shpellë

Sep 21, 2017 | 9:00
SHPËRNDAJE

Në disa raste, incidentet më të vogla kanë shkaktuar tragjeditë më të mëdha. Historia ka plot shembuj të tillë. U desh një krismë pushke, që të niste ajo që u quajt kryengritja e Kelmendit, në janar të 1945, ku mbetën të vrarë  83 shqiptarë.

Prek-Cali

Studiuesi Shaqir Vukaj solli në #DritaremeRudinën, dëshminë e babait të tij, sesi nisi kjo kryengritje dhe roli që luajti në të, Prek Cali. Më poshtë Dritare.net po sjell rrëfimin e tij të plotë.

“Babai im ka qenë komandant vendi në Koplik, për Malësinë e Madhe. Bëhet fjalë për periudhën dhjetor ’44- janar ’45. Ai ka qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës në përplasjen e partizanëve më malësorët. Ai ka qenë aty edhe kur është kapur Prek Cali. Ma ka treguar gjithë të vërtetën me dhimbje, kur unë kam qenë në moshë madhore.

Një pjesë e batalionit, mes tyre dhe babai im, u nis për në Kelmend, për të organizuar këshillat nacionalçlirimtare. Në marrëveshje me kelmendasit, ka hyrë babi im dhe Kelmendi është përgatitur për t’i pritur partizanët si miq, me bukë, kripë dhe zemër, me gjithë fukarallëkun e asaj kohe. Nuk ka pasur asnjë mendim apo paramendim, për të sulmuar kelmendasit. Përplasja e parë ka ndodhur në afërsi të Urës së Tamarës. Aty partizanët kanë qenë në marshim, kur kanë dëgjuar një krismë pushke, por pa ditur se nga vinte. Partizanët i janë përgjigjur në hava. Është dhënë kushtrimi siç e kanë zakon malet dhe atë pjesë të batalionit e kanë shpartalluar.

Pas shpartallimit të këtij batalioni te Ura e Tamarës, u përgatit operacioni për të nënshtruar Kelmendin. U përgatit operacioni ushtarak me të gjitha rregullat ushtarake, për të sulmuar Kelmendin. Prek Cali me të tjerë u fshehën për 7 ditë në një shpellë. Në fund janë arrestuar 27 vetë, ndërmjet të cilëve edhe ai vete. U bë gjyqi i tij në Shkodër dhe ai u dënua me vdekje dhe u pushkatua”.

Studjuesi Vukaj solli të plotë për Dritare.net, deponimin e Prek Calit në gjyq: “Kur më pyetën, tash që kanë ikur gjermanët dhe partizanët po hyjnë nga çdo anë, ç’duhet të bënim? Nuk isha i bindum, nëse duheshin pritur me luftë apo jo. Personave në fjalë, u thashë se populli duhet të ketë mendjen dhe të mos luftonte kundër partizanëve, për me rujt kryet dhe vendin e vet. Nuk shkuan shumë ditë dhe papritur mora lajmin se kishte nisur lufta në Tamarë. Unë atëherë, me rastin më të parë, i lajmërova të tërhiqeshin nga lufta. Por, ata nuk më dëgjuan dhe vazhduan luftën”.

Kjo është e vërteta e asaj që quhet rezistenca apo lufta e Kelmendit. Disa thonë ka qenë kryengritja e Kelmendit, disa thonë antikomuniste, të gjitha  përralla me mbret. Sipas mendimit tim, ajo ka qenë një luftë vëllavrasëse. Unë e kam quajtur vëllavrasja e Kelmendit, në janar 1945”.

Studiuesi Shaqir Vukaj tha është koha që shqiptarët të mos shohin pas, por të ecin para, ashtu siç kanë bërë shumë vende ish komuniste.

“Unë kam jetuar ca kohë në lindje, Bullgari, Çeki, Rumani. Këto vende ish komuniste e kanë lënë pas të kaluarën. Prandaj mendoj se ka ardhur momenti,  që t’i harrojmë edhe ne kohët e kaluara. Historianët le të shohin në mënyrë objektive dhe të shkruajnë. Ndërsa ne t’i lëmë këto përrallat politike”, tha Vukaj./Dritare.net

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura