Shahu politik, maxhoranca hap procedurën për Vitore Tushën

Nov 19, 2018 | 9:13
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Maxhoranca ka vijuar dje shahun politik me institucionin e Presidentit të Republikës. Në seancën e djeshme plenare, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, njohu deputetët me dekretin e Presidentit Meta për kryetarin e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Vitore Tusha.

vitore-tusha-1024x667

Ruçi lajmëroi deputetët se ky dekret do t’i nënshtrohet procedurës parlamentare që nënkupton shqyrtimin e tij në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku pritet të ketë dhe një seancë dëgjimore me kandidaten për kreun e KLSH-së. Pasi të ketë kaluar këtë fazë, zonja Tusha do të duhet të sigurojë mbështetjen e 28 deputetëve të maxhorancës që të kalojë për votim në seancën plenare.

Lëvizja e maxhorancës për të përfshirë në procedurë dekretin e Presidentit, vjen një ditë para përfundimit të afatit kohor, 7-ditor për kreun e shtetit për të dekretuar ose jo për herë të dytë ministër Sandër Lleshin, pas kërkesës së përsëritur të Kryeministrit. Pas rrëzimit të parë të dekretit për Lleshin, Kryeministri Rama i kërkoi deputetëve të tij që të mos bënin asnjë reagim, pasi, sipas tij, politika është lojë shahu, ku secili bën lëvizjet e veta sipas radhës.

“Lutem asnjë lloj komenti askujt për vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyrën t’i dalim zot njerëzve, vendit, Kushtetutës me maturi dhe vendosmëri. Politika është shah, mos e harroni”, i shkruante Rama deputetëve të tij. Pas rrëzimit të dekretit të parë për Sandër Lleshin, Presidenti Meta bëri dy lëvizje kushtetuese, dekretoi pas një viti pritjeje kreun e SHISH-it, Helidon Bendon dhe i propozoi Kuvendit Vitore Tushën për kryetare të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në vijim, Kryeministri Rama i dërgoi një kërkesë të dytë Presidentit Meta për të dekretuar Sandër Lleshin për ministër të Brendshëm, duke i argumentuar edhe se nëse gjen ndonjë problem me statusin e tij të gjeneralit, mund ta çdekretojë si gjeneral dhe ta dekretojë si ministër, duke mos i njohur asnjë të drejtë refuzimi dekretit të dytë. Por duket se vendimi i maxhorancës për Vitore Tushën do të kushtëzohet nga dekreti i Presidentit për Sandër Lleshin.

Dhe për të qenë të argumentuar për të dy vendimet që mund të marrë, maxhoranca ka bërë vlerësimet e saj paraprake për kandidaturën e Vitore Tushës. Vetë Kryeministri Rama e ka cilësuar si kandidaturën më të mirë për të drejtuar KLSH-në, edhe për shkak se ajo ka kaluar sprovën e vetingut, por ka lënë një shteg nga i cili mund të kalohet nëse Presidenti nuk e dekreton Sandër Lleshin. Kryeministri është shprehur se emri i saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese lidhet shumë me Reformën në Drejtësi dhe konkretisht me ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

“Zonja Vitore Tusha, së pari, gëzon të gjithë respektin tim si gjyqtare që ka kaluar vetingun. Ndërkohë që unë nuk di historira të së kaluarës, por në vendimmarrje ne do të diskutojmë nëse ka ndonjë gjë që unë nuk di, por do diskutojmë dhe faktin se emërimi i saj në krye të KLSH-së mund të vërë në pikëpyetje të madhe ecurinë e Reformës në Drejtësi, sepse bëhet fjalë për KED, zonja është anëtare e Gjykatës Kushtetuese, bashkë me kryetarin dhe janë kyç për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”, është shprehur Kryeministri Rama për kandidaturën e zonjës Tusha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura