“Sezoni varet nga ndeshjet shtesë, ia dalim”/ Ramadani: Dua Tiranën në finalen e ‘play off’-it kundër Flamurtarit

May 8, 2024 | 11:31
SHPËRNDAJE

Ndeshja e sotme me Besën do të jetë si miqësore për Flamurtarin, pasi vlonjatët e kanë mendjen vetëm te “play off”-i. Behar Ramadani mendon se janë të kalueshme ndeshjet finale me skuadrat e Kategorisë së Parë.

flamurtari

Për “Panorama Sport” shkodrani i Flamurtarit, pohoi se vlonjatët nuk e vënë aspak në dyshim as sfidën me skuadrën e Superiores. Ai dëshiron që përballë të kenë Tiranën, pasi do të ishte një ndeshje vitrine.

Behar, si i vlerësoni fitoret e fundit të Flamurtarit?

Më shumë janë për të mbajtur ritmin dhe për anën morale e psikologjike të ekipit. Për ndeshjet shtesë kemi kohë që po punojmë dhe po bëjmë maksimumin që të shkojmë me ritmin dhe anën psikologjike të duhur. Aty do të varet i gjithë sezoni i Flamurtarit.

Nëse kaloni në finalen e madhe të “play off”-it, me cilin ekip të Superiores do të dëshironit që të ndeshet Flamurtari?

Nëse ne arrijmë që të luajmë me ekipin e Superiores, që besoj se do t’ia dalim, më e mira për ne, sipas mendimit tim, do të ishte Tirana. Përveçse Tirana luan në fushë asnjanëse, Tirana është Tiranë dhe nuk do të bëhet dot as Laç. Teuta nuk mendoj se do të jetë në këtë situatë duke parë ndeshjet që kanë mbetur. Unë shikoj më të rrezikuar Laçin dhe Tiranën. Dëshira ime do të ishte Tirana, pasi do të ishte ndeshje vitrine, ku ne do të luanim që të fitonim dhe të bindnim. Kemi vite që luajmë futboll dhe Laçi ka një fushë të vështirë. Tirana ka dy ndeshje të vështira, me Vllazninë dhe Egnatian. Teuta i ka më të lehta.

Ju shqetësojnë mungesat si pasojë e dëmtimeve?

U bënë disa javë që kemi mungesa dhe janë lojtarë me peshë në skuadër. Edhe trajnerin e kanë privuar në zgjedhje, pasi janë pak të reduktuara. Shpresojmë shumë që të na bashkohen dita-ditës, se janë lojtarë vërtetë me peshë, sidomos në pjesën e sulmit. Trajneri Memushi mendjen e ka pasur te të dëmtuarit. I ka ndenjur te koka i gjithë klubi. Janë munduar që t’i zgjidhin me çfarë kanë pasur nevojë me rezonanca, me terapi dhe gjithçka që t’i kemi të gatshëm. Në këto kushte, duke parë që numri ka qenë i lartë ishte një mundësi e mirë edhe për djemtë e rinj të akademisë dhe ata që nuk kanë pasur shumë minuta gjatë kampionatit që të tregonin veten.

Sot luani me Besën pa presion, por me mendje te “play off”-i…

Ne kemi dalë nga objektivi i parë që kishim, ngjitjen direkt në elitë. Ndodhën shumë gjëra, një fillim jo i mirë dhe situata të tjera rrugës. Jemi munduar të mbajmë ritmin. Kemi një grup fantastik, pavarësisht se sporti ka dhe pjesën e dëmtimeve. Është fatkeqësi që kaq shumë lojtarë në të njëjtën kohë të jenë të dëmtuar. Shpresoj që t’i kemi gati për këto ndeshje.

Mendoni se është e mirë që të grumbulloheshit për këto ndeshje?

Ana financiare nuk na ka munguar, mund të jetë një opsion i mirë grumbullimi. Duke qenë i grumbulluar me shokët e ekipit do diskutosh për ndeshjen që të pret, për kundërshtarin që do luash dhe sa më shumë rrimë me njëri-tjetrin, aq më shumë lidhemi edhe shpirtërisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura