Sejko konfirmon rritjen ekonomike: Perspektiva është pozitive

Apr 11, 2018 | 8:50
SHPËRNDAJE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dje gjatë prezantimit të raportit vjetor të 2017-ës në Komisionin e Ekonomisë, konfirmoi ecurinë pozitive të ekonomisë.

Sejko

“Viti që lamë pas ka qenë një vit progresi për ekonominë dhe për sistemin financiar shqiptar. Sipas të dhënave të Instat-it: ekonomia shqiptare u rrit me 3.8% në terma vjetorë dhe krijoi rreth 79 mijë vende të reja pune në sektorin privat jobujqësor; norma e papunësisë dhe deficiti i llogarisë korrente u reduktuan; ndërsa inflacioni erdhi në rritje. Paralelisht me zhvillimet në sektorin real, normat e interesit në tregjet financiare mbetën të ulë- ta dhe treguesit e shëndetit të sistemit bankar erdhën në përmirësim. Në veçanti, raporti i kredive me probleme zbriti në 13.2% në fund të vitit, një reduktim ky prej rreth 5 pikësh përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Të gjithë këta indikatorë tregojnë një përmirësim të pozicionit ciklik të vendit dhe ofrojnë sinjale inkurajuese për perspektivën e rritjes ekonomike në të ardhmen”, u shpreh Sejko.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë shpjegoi edhe arsyet e mbiçmimit të lekut. “Analizat tona tregojnë se tendenca mbiçmuese e kursit të këmbimit pasqyron përmirësimin e faktorëve fondamentalë, të tillë si ngushtimi i deficitit tregtar dhe i atij të llogarisë korrente, nivelet e larta të prurjeve valutore në formën e investimeve të huaja direkte, si dhe rritja e besimit ndaj monedhës kombëtare në tregun e brendshëm financiar. Për sa kohë ky mbiçmim përfaqëson efektin e faktorëve të qëndrueshëm ekonomikë e financiarë, ai nuk sjell pasoja të dëmshme për ekonominë shqiptare”, u shpreh Sejko.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura