“Sanremo” ngre siparin, nesër në skenën e “Ariston” Alketa Vejsiu si bashkëprezantuese. Ja çfarë thotë

Feb 5, 2020 | 11:02
SHPËRNDAJE

Edicioni i 70-të i Sanremo-s ngriti mbrëmjen e djeshme siparin. Festivali i këngës italiane, këtë vit, ka tërhequr edhe më tepër vëmendjen e shqiptarëve, për shkak të pjesëmarrjes së Alketa Vejsiut, si një nga 10 moderatoret e kësaj ngjarjeje të madhe artistike, në krah të Amadeus, që është njëherazi edhe drejtor artistik.vejsiu

Përpos Vejsiut, e cila do të drejtojë “Sanremon” mbrëmjen e tretë (6 shkurt), me partneren e Cristiano Ronaldos, Georgina Rodriguez, një tjetër shqiptare pritet të elektrizojë mbrëmjen finale. Dua Lipa, e cila kryeson listën e të ftuarve specialë shoqëruar nga Lewis Capaldi, Emma Marrone dhe Mika, dhe do të performojë gjatë mbrëmjes finale. Nata e parë e “Sanremo”-s u prezantua nga gazetarja dhe shkrimtarja me origjinë arabe Rula Jebreal dhe moderatorja siciliane Diletta Leotta.

Për kategorinë ‘Big’, ishte artistja Irene Grandi që e hapi garën me këngën “Finalmente io”. Performanca e saj u pasua nga të tjerë emra të njohur të skenës muzikore italiane si: Marco Masini, Rita Pavone, Achile Lauro, Anastasio, Elodie, Bugo e Morgan, Alberto Urso, Riki, Raphael Gualazzi si dhe bendi “Le vibrazioni”. Ndërsa të ftuarit specialë të mbrëmjes ishin Fiorello dhe Tiziano Ferro. Këngëtari interpretoi tri këngë mjaft të dashura për publikun italian, “Nel blu dipinto di blu” të Domenico Modugnos, “Almeno tu nell’universo” të Mia Martinit dhe një nga hitet e tij “Açetto miracoli”. Ndërsa trupa e aktorëve të filmit më të ri të “Gabriele Muçino-s”, “Gli anni piu belli” performuan për të festuar dhjetë vitet në skenë të këngëtares Emma Marrone.

SANREMO” ME ALKETA VEJSIUN

“Më uroni fat Shqipëria! Ju dua shumë të gjithëve. Shpresoj t’ju nderoj”… Moderatorja Alketa Vejsiu realizon ëndrrën e saj për të qenë në teatrin “Ariston”, duke prezantuar festivalin më prestigjioz të këngës italiane. Mediat italiane e kanë lakuar së fundmi emrin e saj si një nga showgirl-et më të njohura në Shqipëri, duke e përshkruar si një femër të bukur që e ka nisur rrugëtimin si moderatore në moshën 14-vjeçare. Vejsiu ka dashur që në këtë mundësi të artë të mos vihet theksi mbi pamjen e jashtme, edhe pse nuk e mohon se është një element plotësues veçanërisht për skenën dhe televizionin. “Perfeksioni nuk ekziston, është iluzion. Energjia është reale, fsheh shumë sekrete. Të mbash zgjuar këtë energji, është ajo që është e rëndësishme”, thotë ajo në një nga intervistat e saj.

Sipas mediave në këtë prezantim, moderatorja nuk do të jetë vetëm, pasi në mes të publikut italian do ta duartrokasin edhe bashkëshorti dhe vajza e saj. “Familja është forca dhe ekuilibri im për të qenë e lumtur”, shprehet ajo për median. Krahas Vejsiut, që do të prezantojë në krah të partneres në jetë të Cristiano Ronaldos, Georgina Rodriguez, 8 bashkëprezantueset e tjera për këtë vit janë: Antonella Clerici, prezantuesja siciliane Diletta Leotta, këngëtarja Sabrina Salerno, gazetarja Rula Jebreal, gazetarja Emma D’Aquino, aktorja Monica Belluçi, e fejuara e Valentino Rossit, Francesca Sofia Novello, si dhe gazetarja Laura Chimenti.

VESHJA DHE SURPRIZAT E NATËS SË TRETË

Alketa Vejsiu në “Ariston” do të prezantojë me një kostum pink floreal të “Dolce & Gabbana”-s si dhe me një fustan nga “Class event”. “Ishin të shumtë brand-et që kërkuan të më vishnin, por kam zgjedhur ‘Dolce & Gabbana’ për njërën nga veshjet. Natyrisht që veshja tjetër do të ishte një brand shqiptar”, është shprehur moderatorja. Me sa duket, Vejsiu do të ndjekë në skenën e “Ariston” një program të ngjashëm me atë të Festivalit të Këngës në RTSH, ku, krahas një monologu, siç ajo tregon për mediat, edhe do të këndojë. Ndërsa të ftuarit e mbrëmjes do të jenë Mika, Massimo Ranieri, Lewis Capaldi, Roberto Benigni, Fiorello dhe Tiziano Ferro.

“KAM PUNUAR PËR TË PASUR EDHE NJË KARRIERË NË ITALI”

Prezantuesja shqiptare e rrëfeu në skenën e Pallatit të Kongreseve gjatë prezantimit të Festivalit të Këngës se ishte afër realizimit të ëndrrës së saj për të prezantuar “Sanremo”-n, pa fshehur ambicien për të shkuar edhe më larg, pse jo edhe si një nga moderatoret e “Eurovizionit” në të ardhmen. Tanimë që ajo është duke përjetuar emocionet e një nga skenave më gjigante italiane, shprehet e lumtur për mbështetjen e medias së huaj. “Kam punuar për të pasur edhe një karrierë në Itali, jam përgatitur për këtë ditë. E mendoja se do të ishte e afërt dita kur do të bëhesha pjesë e medias italiane, por e mendoja se do të vinte si shkallare, pak nga pak, nuk prisja ‘Sanremon’. Mediat italiane kanë shkruar fjalë të mrekullueshme dhe për këtë jam edhe më shumë e lumtur dhe mirënjohëse, sepse vlerësimi nga mediat ndërkombëtare është një vlerësim i dyfishtë për mua”, thotë Vejsiu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura