“Sandy” lë pas shkatërrim, dëme rreth 50 miliardë USD

Nov 1, 2012 | 14:44
SHPËRNDAJE
Varka dhe jahte të përplasura në një prej porteve të Nju Xhersej

Superstuhia “Sandy” ka lënë pas një shkatërrim të madh në shumë shtete ku kaloi, por kryesisht në Nju Jork dhe Nju Xhersej. Miliona njerëz kanë mbetur pa drita, transporti urban është i paralizuar, fluturimet janë pjesërisht aktive, shkollat kanë mbetur të mbyllura, dhe qytetet po përballen me grabitësit nëpër shtëpi e biznese, që paraqiten si forca policie apo ekspertë të rrjetit elektrik. Stuhia tropikale ka shkaktuar rreth 59 viktima, 22 prej të cilëve vetëm në Nju Jork. Duke llogaritur edhe viktimat në Karaibe, numri i të vdekurve që la pas shkon në rreth 120 veta. Pjesa më madhe e njerëzve kanë humbur jetën pasi janë goditur nga pemët e shkulura dhe disa të tjerë janë mbytur në shtëpitë e përmbytura. Një prej tyre ishte një polic 28-vjeçar i cili shpëtoi shtatë anëtarë të një familjeje, por u mbyt vetë gjatë përpjekjeve. Rrugë dhe ura janë shkatërruar, sidomos në zonat bregdetare ku infrastruktura është dëmtuar rëndë dhe shtëpitë janë gjysmë të zhveshura. Tërbimi i stuhisë nuk ka kursyer as arkivolet, ku në Meriland dy prej tyre kanë dalë në sipërfaqe nga fuqia e ujit. Stuhia ka kaluar dje në Pensilvani dhe Filadelfia me fuqi më të ulët, por është drejtuar nga Kanadaja gjatë mbrëmjes, duke rimarrë forcë.
Situata energjetike
Rreth 17 shtete amerikane janë prekur nga problemet energjetike të krijuara nga rënia e pemëve mbi telat elektrikë, përmbytjet dhe mbyllja e përkohshme e tri centraleve nukleare për arsye sigurie. Rreth 6.5 milionë shtëpi e biznese janë ende pa drita, kryesisht në Manhatan, Nju Jork. Mungesa e energjisë mund të zgjasë për disa ditë. Rrjeti Metropolitan i Nju Jorkut mbetet i bllokuar, ndërsa janë hapur dy nga tri aeroportet e mëdha.
Grabitësit
Mungesa e energjisë elektrike dhe kaosi nëpër rrugët e qyteteve të prekura më shumë nga stuhia tropikale “Sandy” ka shkaktuar vërshimin e grabitësve nëpër shtëpi, kryesisht duke u paraqitur si policë apo kontrollorë të rrjeteve elektrike. Vetëm në Nju Jork kanë arrestuar 15 persona që kanë tentuar grabitje të tilla. Kryetari i Bashkisë, Majkëll Blumberg, ka deklaruar se përgjigjja ligjore ndaj këtyre personave që përfitojnë nga një tragjedi e tillë do të jetë shumë e ashpër.
Irani ofron ndihmë
Irani, i njohur si një armik i Shteteve të Bashkuara për shkak të programit të tij nuklear, ka ofruar ndihmë për zonat e goditura nga stuhia, sipas agjencisë shtetërore iraniane “Irna”. Duke ofruar disponueshmërinë e plotë të gjysmëhënës së kuqe, autoritetet iraniane kanë shprehur ngushëllimet për familjet e  viktimave nga stuhia tropikale “Sandy”.
Selia e OKB
“Sandy” ka goditur edhe pallatin e qelqtë, selinë qendrore të OKB-së në Nju Jork, sidomos tri katet e poshtme të tij, të cilat janë “pushtuar” nga uji. Është dëmtuar edhe salla e Këshillit të Sigurimit dhe takimet e afërta do të mbahen në sallat provizore, derisa të përfundojë rikonstruksioni.

Obama në zonat e goditura
Presidenti Barak Obama pritet të rinisë sot fushatën e tij elektorale pesë ditë para zgjedhjeve, pasi ka monitoruar përgjigjen ndaj stuhisë “Sandy”. Dje pasdite, ai vizitoi Nju Xhersej, i cili drejtohet nga guvernatori republikan, një kritik i fortë i tij. Megjithatë, guvernatori Kris Kristi tha se përgjigjja e autoriteteve ishte e përshtatshme dhe se vizita e Obamës është shumë domethënëse në shtetin e tij. Shtëpia e Bardhë ka anuluar festimet për festën tradicionale të Hallouinit, për shkak të angazhimit të plotë me përgjigjen ndaj pasojave që la superstuhia “Sandy”. Ndërsa Mit Romnej ka vazhduar fushatën që të mërkurën, por edhe ka shpërndarë ndihma ushqimore me furgonin elektoral në zona të goditura nga stuhia.

Bilanci pas stuhise
· 59 të vdekur
· 6.5 milionë shtëpi e biznese pa drita
· 50 miliardë dollarë dëme
· 100 shtëpi të djegura
· 3 impiante nukleare të mbyllura
· 17 shtete të prekura nga problemet elektrike
· 8,3 milionë lëvizje të transportit urban në ditë të anuluara
· 16.000 fluturime të anuluara
· 800 mijë makina në ura nën kujdesin e agjencive të transitit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura