Sabiani: Si po më persekutojnë pasi i këndova Berishës, ja kush më financoi

Nov 3, 2012 | 10:38
SHPËRNDAJE

Ja kush e financoi këngën, do e këndoj nëpër dasma. Berisha e meriton të krahasohet me Skënderbeun”

Këngë për një idhull në politikë, në një kohë kur shumë pak njerëz kanë idhuj, ka hapur diskutimin e madh nëse një artist duhet ta përziejë artin e tij me politikën apo jo. Vetëm në dy javë, këngëtari nga Fieri, i njohur si Sabian, u kthye në emrin më të përfolur në rrjetet sociale për këngën me titull “Së bashku me Sali Berishën”. Mijëra klikime janë regjistruar në youtube, të shoqëruara me komente të shumta dhe sharje. Këngëtari që rikthehet në muzikë pas dy vjetësh, tregon pse e ka për zemër Sali Berishën, si i ka pritur sharjet që i janë bërë në youtube përveç komplimenteve, dhe përfitimet apo humbjet pas kësaj kënge.
 “Së bashku me Sali Berishën” është një krijim i ri, apo një krijim i hershëm që ti thjesht vendos ta publikosh tani?
Jo, kënga është shumë e re. Muzika është e mikut tim kompozitor Gramoz Kozeli, i cili e realizoi këngën brenda 24 orëve.
Po si lindi kjo ide për një këngë dedikuar Kryeministrit Sali Berisha? Ishte shkrepje e momentit apo kishe kohë që e mendoje?
Ideja ishte shumë e thjeshtë, pra jo kaq e komplikuar sa mund të mendohet. Madje, mund të them që ishte mendim i menjëhershëm, që nuk u mendua shumë. Lindi natyrshëm nga një njeri i afërt dhe shumë i dashur për mua, dhe gjeti suportin e një mikut tim, Avni Buçpapaj nga Tropoja, i cili e mbështeti idenë time moralisht dhe financiarisht. Nuk përjashtoj faktin që unë jam i djathtë në bindjet e mia politike.
U shprehe më sipër që kënga u realizua në studio brenda 24 orëve. Pse kjo ngutje?
Po kur do të bësh një këngë të bukur për pasion e jo për t’i dhënë aq bujë sa bëri kjo këngë, pse të mos e realizonim sa më  shpejt?! Ndieja padurim për ta dëgjuar të përfunduar dhe besoj se ka vlera për këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë.
Kënga mori shumë famë vetëm në pak ditë. Si e përjetove atmosferën?
Unë jam këngëtar dhe e mora natyrshëm krijimin dhe impresionin në publik, pavarësisht se ka shumë mospëlqime në youtube për këtë këngë. Si këngëtar nuk e kam problem për sharjet që më bëhen pa të drejtë dhe ndaj dua të bëj një sqarim në lidhje me komentet që më janë bërë. Origjina ime është çame, ndërsa jam lindur e rritur në Fier. Nuk jam bullgar, ashtu si kanë shkruar disa komentues në youtube, dhe më vjen keq që shqiptarët e ngatërrojnë artin me politikën. Në lidhje me këtë këngë dua të them se gjithkush është i lirë dhe mund t’i bëjë këngë kujt të dojë. Pra, jo vetëm Sali Berishës, por edhe Fatos Nanos apo të gjithë politikanëve, që kanë kontribuuar këto dekada për Shqipërinë, pra që kanë qenë në krye të qeverisë me të mirat e të këqijat e tyre. Të gjithë kanë kontribuar në mënyrën e tyre dhe mund ta meritojnë një këngë të tillë si kjo.
Por ti zgjodhe t’i këndoje Sali Berishës, pse?
Sinqerisht kam pasur një impakt të veçantë ndërsa e ndoqa në lajme, kur Sali Berisha ishte në Gjakovë dhe ku i bënë një pritje gjigante atje. U impresionova nga pritja fantastike që i bënë dhe ky rast ishte një impuls më shumë për mua.
Po në bindjet e tua politike je i djathtë?
Po jam i djathtë se, siç e thashë, vij nga një familje çame, dhe natyrisht që çamët janë të djathtë.
Jemi kureshtarë të dimë se si mund të materializohej kjo këngë në klip, si mund të jetë fabula?
Të them të drejtën ideja fillimisht ishte për klip, po për momentin mendoj ta këndoj në ndonjë skenë spektakli, pasi nuk kam ndonjë ide të qartë se si mund të realizohen skenat e klipit. Tani për tani po e konsideroj këngë të thjeshtë që mendoj se Sali Berisha për mua e meriton, dhe besoj që me zërin tim t’i kem dhënë vlera asaj kënge.
Ndërkohë, a mund të konsiderohet kjo këngë thikë me dy presa për ty si artist, pasi mund të të urrejnë fansat me bindje të majta pas kësaj…
Pyetje shumë e bukur… Dua të them që për mendimin tim ata fansa që mund të më urrejnë për bindjet e tyre të ndryshme politike, nuk kanë qenë kurrë fansa të mi, pasi ata që dashurojnë vërtet muzikën time nuk më urrejnë për asnjë arsye. Unë mund t’i quaj ata thjesht persona që s’më kanë pasur kurrë në vëmendjen e tyre si këngëtar. Dhe pas 13 vitesh karrierë ma mësojnë tani emrin për herë të parë, vetëm prej kësaj kënge.
Ka pasur shumë komente ironike, sharje e ofendime… Si do u përgjigjeshe?
Të gjithë ata që kanë bërë ironi, le t’i mbajnë ironitë për vete. Unë thjesht jam këngëtar dhe i këndoj kujt të dua, e për kë të kem dëshirë. Nuk është fjala për himnin e flamurit që është me detyrim, pasi kjo është një këngë e lirë, që mund ta shajë, ta dëgjojë e ta mburrë kushdo. Për më tepër mund të them se mund të shajnë Kryeministrin, ndërsa me mua nuk kanë punë pasi unë jam artist.
Mund të jetë kjo këngë dasmash apo festimesh familjare?
Po mund të jetë këngë dasmash e gëzimesh familjare dhe besoj se do marr ftesa për ta kënduar në gëzimet e tyre.
Po ndonjë telefonatë falënderimi apo edhe mospëlqimi nga Kryeministri ke marrë, apo nga ndonjë person në emër të tij?
Nuk kam marrë telefonatë dhe nuk pres telefonatë, pasi nuk e kam bërë me asnjë tendencë.
Atëherë, çfarë ke përfituar deri tani nga kjo këngë, dhe sa mundësi ka të fitosh para prej saj?
Jo realisht nuk kam marrë asnjë përfitim monetar deri tani, dhe as pres të pasurohem me këngën dedikuar Sali Berishës.
Ke ndonjë politikan tjetër të preferuar, që do i dedikoje këngën e radhës?
Jo, pasi e theksoj që nuk merrem me politikë. Po ia lë radhën një këngëtari tjetër për t’i dedikuar krijim një politikani tjetër me emër.
Në vargjet e këngës, Sali Berisha krahasohet me Skënderbeun. Ka nga ata që e kanë konsideruar ekzagjerim… Ti ç’mund të thuash?
Jo unë, poeti i vargjeve që preferon të mbetet anomin e ka bërë këtë krahasim. Ishte dëshira e tij ta bënte këtë, dhe pse jo…
Atëherë çfarë bëri më shumë bujë, fakti që Sabiani i këndon Sali Berishës, apo vetë emri Sali Berisha?
Të dyja bashkë. E them këtë pasi mendoj se po ta kishte kënduar një këngëtar pa emër, besoj se nuk do mund të shkaktonte kaq zhurmë. Dua të them se ka shumë këngë në youtube për Sali Berishën, por që kanë kaluar në heshtje. Kjo këngë besoj u bë e njohur vetëm në pak ditë edhe nga emri im.
Nëse Berisha do e kërkonte si këngë për fushatë apo për ndonjë spot, sa do ia shisje?
(qesh) Sali Berisha është i lirë të bëjë ç’të dojë më atë këngë. Pra, nuk mendoj se do ia shes, por do ia fal.
Me 13 vite eksperiencë, mendon se ka këngë që i prishin punë këngëtarit? Kjo këngë a mund të të dëmtojë, ndërsa njihesh deri tani për këngët e dashurisë?
E vërteta është që ka këngë që i prishin punë këngëtarit në karrierën e tij. Në rastin e kësaj kënge, unë mendoj që nëse ka fansa që më gjykojnë sipas ideve të tyre politike, nuk i dua fare t’i kem fansa. Gjithsesi një shqiptari i kam kënduar, jo një të huaji që të kem një persekutim të tillë me sharje nga më të ndryshmet.
Si do t’i përgjigjeshe ti pyetjes që mund të të bënte një fans apo koleg i yti se çfarë ke përfituar nga Sali Berisha në këto vite qeverisje?
Kjo është pyetje delikate se mund të paragjykohem nga përgjigjja që mund të jap. E para nuk pretendoj të përfitoj nga politika,  Sali Berisha apo dikush tjetër absolutisht asgjë. Çdo gjë e kam fituar me punën time deri tani. Mendoj që në emër të demokracisë, në emër të lirisë së fjalës, Berisha është personi që e mori stafetën e fjalës së lirë dhe ta gëzojë!
Nëse do flisnim për Sali Berishën, për çfarë të pëlqen ty si politikan?
Nëse do flisnim për Sali Berishën politikisht, nuk e kam parë me atë sy. E kam për zemër si person, pavarësisht se nuk jemi familje që merremi me politikë, por thjesht jemi me bindje të djathta.
Gjithsesi, kjo këngë të riktheu në muzikë pas dy vitesh. Pse kjo tërheqje dyvjeçare nga muzika dhe a do të pasohet me këngë të tjera?
Shkëputja ime ishte teknike, pra një strategji komerciale që e bëjnë shumë këngëtarë në botë. Shpejt do vij me një tjetër këngë dashurie, që do ta bëj klip. Vazhdoj të bëj jetë të thjeshtë shqiptari, një jetë në liri të plotë siç e dëshiron çdo artist që jeton me artin e tij, pa e vrarë mendjen për politikën.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura