Rudina Xhunga pret të bëhet mami i një vajze

Oct 1, 2012 | 15:34
SHPËRNDAJE

Nëse prisni një intervistë të gjatë prej saj, për t’ju treguar qysh kur nisi historia e dashurisë e deri te kurorëzimi, me atë që pas pak muajsh do të jetë babai i fëmijës së saj, diplomatin Dritan Hila, po jua themi që në fillim që nuk do të ketë. Të paktën edhe për ca kohë jo! Nuk kanë ndikuar asfare, qoftë edhe për ta luhatur, të gjitha telefonatat e mesazhet që i shkonin për të njëjtin qëllim: të jepte një intervistë, të ishte në kopertinën e një reviste, të ishte ku të donte ajo, vetëm të dilte. Siç e keni parë edhe vetë, nuk e ka bërë. Të gjitha lajmet që kanë ardhur prej gazetares Rudina Xhunga në kohët e fundit kanë qenë të shkurtra, diskrete. Tek e fundit, të mjaftueshme për të gëzuar cilindo që dëgjon lajme të tilla të bukura, kurdoherë, por të pakta për të ngopur kuriozët, jo dhe aq të dashur. Të mos ishte për fotografinë që arritëm të siguronim përmes një mikeshe të saj në rrjetet sociale, fotografi që po jua tregojmë edhe ju, nuk do të fliste as për ne, qoftë edhe fare pak, sa për të na treguar gjininë e fëmijës. Rudina dhe Dritan Hila po presin një vajzë, e cila sapo të çelë syçkat, pa asnjë dyshim, do të ndryshojë jetën e të dyve. Nëse një pjesë prej jush mund të ketë dëgjuar se gazetarja e emisionit “Shqip” në Top Channel ka prerë abone për të fluturuar jashtë Shqipërisë në ndjekje të detajuar të shtatzënisë, nuk është fare e vërtetë. Të gjitha vizitat, që kur mësoi lajmin e mirë, janë kryer në Tiranë, nga doktor Orion Glozheni, mjek i cili do të ndjekë deri në fund shtatzëninë e saj. Së paku deri tani, gjithçka i ka shkuar mirë, nuk ka qenë nevoja as për ndonjë përkujdesje të veçantë. Duke qenë kështu, Rudina nuk ka hequr dorë nga dëshira për të udhëtuar. Një pjesë të mirë të ditëve të javës, këto kohë (fundja si shpesh në të gjitha kohët) i kalon në Vlorë. Edhe për aq sa do t’i lejojë moti i ngrohtë, do t’i vazhdojë shëtitjet në ajrin e mëngjesit në det, këmbëzbathur. Ritual ky që në fakt e ka bërë që kur shtatzënia ka qenë ende vetëm në projekt. Seksi i fëmijës, pa u zbuluar ende, nuk është se ka peshuar në mendimet e të dyve. “Unë e kam parafytyruar veten gjithnjë nënë të një vajze, dhe kështu ndodhi, pa e pasur unë në dorë”. Po nëse vajzën e ka menduar, emrin nuk ia ka gjetur ende. As propozimet nuk i refuzon, e, në fund, fitoftë më i miri, (është shumë e thjeshtë të të shkojë mendja te emri Ana, megjithatë Rudina nuk do ta quajë kështu). Fundja ka ende edhe katër muaj kohë, sepse bebushja pret për pak ditë të hyjë në muajin e gjashtë. Më shumë se kaq nuk arritëm të marrim vesh. Se si po e përjeton mami Rudina, ditë pas dite, ngjarjen më të bukur në jetë, se sa e lumtur është, se ç’biseda ndan me të shoqin deri sa ajo ditë të vijë… nga të gjitha këto nuk na tregoi asgjë. Nuk, se në këto situata ka ndonjë nevojë të madhe për të marrë përgjigje, që të mësosh se si ndihet. As ne nuk ngulmuam më gjatë! Lamë listën e pyetjeve mënjanë dhe mirëkuptuam atë që na tha, se në të gjithë këtë situatë që jetojmë, me gjithë gjërat që dëgjojmë, ç’vlerë ka të dalë njëri apo tjetri të tregojë se sa i lumtur është. Dhe për ta treguar lumturinë, Rudina Xhunga vërtet që nuk ka nevojë, sepse feks, nuri që e ka veshur të gjithën.
[portfolio_slideshow]
ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura