Rrugët e reja që do jenë me pagesë, Gjiknuri: Tarifa edhe në akse të tjera

Sep 19, 2018 | 9:36
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, paralajmëroi dje në Komisionin e Ekonomisë vendosjen e tarifave edhe për rrugë të tjera. Ministri Gjiknuri tha se buxheti nuk arrin të përmbushë kostot për mirëmbajtjen e rrugëve, çka do të sjellë që në të ardhmen përdoruesit të paguajnë për kalimin në rrugë.

gjiknuri

“Ne jemi duke parë të gjitha mundësitë se si do të adresojmë mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve të vendit, sepse në mirëmbajtje, ne jemi të nënfinancuar. Sot që flasim, kërkohet minimalisht 50 milionë euro për mirëmbajtjen e sistemit tonë rrugor. Aktualisht, financojmë më pak se 30, që është më e larta këtë vit nga vitet e tjera, ku qeveritë e mëparshme nuk financonin më shumë se 2 miliardë lekë. Pra, kjo do të thotë se ne jemi ende në një hendek financiar, që kërkon të mbushet ose do të paguhet më shumë nga buxheti i shtetit, sidomos për rrugët e reja, ose unë e kam thënë dhe nuk kam pse e fsheh, ka ardhur momenti që përdoruesit e rrugës të kontribuojnë për mirëmbajtjen e rrugëve. Parimi është që, ai që e përdor rrugën më shumë, që e konsumon, duhet të kontribuojë më shumë për mirëmbajtjen e saj”, u shpreh Gjiknuri.

Deklarata për rrugët me pagesë e ministrit Gjiknuri u bë në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, ku u miratua marrëveshje për marrjen e kredisë me vlerë 16 milionë dollarë për Tiranë-Elbasan.

I pyetur nga deputetët për afatin se kur do të përfundojë ky aks rrugor, ministri Gjiknuri theksoi se, sipas parashikimit të punimeve të pakryera, nëse do të miratohet dhe behet efektiv financimi, brenda vitit rruga do të jetë e hapur për kalimin e mjeteve. Referuar çështjes së rrëshqitjes së ndodhur në segmentin e tretë nga Tuneli i Kërrabës drejt Elbasanit, Gjiknuri sqaroi se është kryer studimi gjeologjik, miratuar projekti teknik për ndërhyrjen, zhvilluar gara dhe brenda pak ditësh nis ndërhyrja në terren për eliminimin e rrëshqitjes.

I pyetur nga deputetët për koston totale të rrugës, Gjiknuri tha se ajo është rritur rreth 44 për qind më shumë nga sa është tenderuar. “Në fillim, sipas kontratave, ky aks rrugor ka qenë parashikuar të kushtojë 312 milionë dollarë, ndërsa aktualisht ai ka arritur në rreth 450 milionë dollarë. Kjo ka ardhur për shkaqe komplekse mes të cilave edhe keqmenaxhimi i kontratës, mungesa e studimeve të duhura gjeologjike etj., por për këtë çështje Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ushtruar një audit, duke depozituar në Prokurori një kallëzim penal”, tha Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri nënvizoi se i takon organit të akuzës që të trajtojë plotësisht atë çka ka ndodhur me rrugën Tiranë-Elbasan.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura