Rritja e pagës minimale në 34 mijë lekë, eksperti: Është barrë për biznesin! I detyruar të rrisë çmimet e produkteve e shërbimeve të ofruara

Sep 22, 2022 | 11:26
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLL/ Qeveria vendosi të rrisë për të dytën herë në harkun e një viti pagën minimale, nga 32 mijë lekë në 34 mijë lekë.

klodian muco 2

Por për ekspertët, përfituesi më i madh i kësaj nisme është buxheti i shtetit që do të vazhdojë të rrisë të ardhurat, ndërsa kostoja do të rëndojë mbi biznesin. Klodian Muço, ekspert ekonomie thotë se 27.9 për qind e pagës shkon në arkën e shtetit dhe rrjedhimisht me rritjen e pagës, do të rriten edhe të ardhurat. Por kjo, sipas tij, është barrë e shtuar për biznesin, që i gjendur në këto kushte do të jetë i detyruar që të rrisë çmimet e produkteve dhe shërbimeve që ofron.

“Rritja e pagës minimale me vendim qeverie nuk bazohet në produktivitet. Një punëtor mund të prodhojë me pak sesa paga që përfiton e kjo dëmton biznesin. Rritja e pagës minimale është pozitive për qeverinë, pasi 27.9 për qind e saj shkon në arkat e qeverisë. Pra është një barrë për biznesin. Në momentin kur biznesit i rritet barra ai është i detyruar të rrisë çmimet e produkteve dhe shërbimeve të ofruara”, pohon eksperti i Ekonomisë.

Janë rreth 220 mijë të punuar dhe të vetëpunësuar që preken nga rritja me 2 mijë lekë e pagës minimale. Por për biznesi vendimi do të çojë në rritjen e kostove për të vetëpunësuarit, biznesin e vogël dhe fasonët. Kjo do të reflektohet, sipas tyre, më së shumti në qytete të vogla, ku pagat janë kryesisht në pragun e minimales. Duke mos përballuar efektet nga kjo rritje, punëdhënësit do të jenë të detyruar të mos marrin punonjës të tjerë në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq të shkurtojnë vendet e punës.

REFLEKTIMI MBI PAGË

Por, si do të reflektohet kjo rritje e pagës minimale në nivelin e kontributeve? Aktualisht pagesat e kontributeve të detyrueshme shoqërore llogariten 24.5 për qind nga të cilat 15 për qind mbulohen nga punëdhënësi dhe 9.5 për qind nga punëmarrësi. Ndërkohë, për sigurimet shëndetësore detyrimi është 3.4 për qind nga të cilat 1.7 për qind i paguan biznesi dhe 1.7 për qind dhe pjesën tjetër i punësuari. Pra në total, është 27.9 për qind e pagës që shkon për kontribute, nga të cilat 11.2 për qind paguhet nga vet qytetarët, ndërsa 16.7 për qind nga bizneset.

Për pagën 32 mijë lekë detyrimi mujor për sigurime shoqërore dhe shëndetësore është rreth 8900 lekë në muaj, nga të cilat 3600 lekë paguhen nga punëmarrësi dhe 5340 lekë paguhen nga punëdhënësi. Me rritjen e pagës minimale në 34 mijë lekë, detyrimi për kontributet bëhet 9486 lekë, pra 586 lekë më shumë. Konkretisht për qytetarët detyrimi nga 3600 lekë që ishte bëhet 3800 lekë pra rritet me 200 lekë, ndërsa për biznesin nga 5340 lekë që ishte bëhet 5678 lekë, pra rritet me 338 lekë. Në këto kushte, vetëm nga kjo shtesë çdo muaj në arkën e shtetit do të shkojnë rreth 128 milionë lekë më tepër, ose rreth 1 milion dollarë.

PAKETA E DYTË

Pak ditë më parë, qeveria prezantoi edhe paketën e dytë antikrizë, por edhe në këtë rast mbështetja për biznesin ishte e kufizuar, vetëm në sektorët më të ekspozuar ndaj krizës siç janë transporti, peshkimi por edhe fermerët.

“Kemi menduar për një subvencion shtesë për mbjelljen e grurit në vlerën 500 milionë lekë, pikërisht për ta garantuar mbjelljen e grurit dhe ofertën e grurit në vend për vitin e ardhshëm, në kushtet kur kriza do të vijojë, pasi lufta në Ukrainë po vijon. Gjithashtu, kemi mbështetur sektorin e peshkimit me koston shtesë për karburante. Do të vijojmë të mbështesim transportin dhe sigurisht do të vijojmë të mbështesim qytetarët dhe bizneset e vogla për energjinë elektrike”, tha ministrja e Financave Ibrahimaj gjatë prezantimit të paketës. Por, për opozitën mbështetja e ofruar nga qeveria është minimaliste dhe e pamjaftueshme për të përballuar efektet e krizës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura