Rritja e çmimeve, guvernatori Sejko: Premisa për normalizim në 2022! Nëse rritja provohet të jetë më e fortë, jemi gati të rishikojmë politikën monetare

Oct 7, 2021 | 8:37
SHPËRNDAJE

gentsejko

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë deklaroi dje se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektiv vitin e ardhshëm.

Në një konferencë për mediat, Gent Sejko foli edhe për skenarët e mundshëm të rritjes së inflacionit, si dhe politikat që do të ndërmarrë institucioni që ai drejton në rastin më ogurzi. “Rritja ekonomike rezultoi më e shpejtë dhe niveli i inflacionit disi më i lartë se parashikimi. Do të ketë rritje të mëtejshme të ekonomisë shqiptare në afatmesëm, premisa për normalizimin e inflacionit deri në 2022.

Rritja e inflacionit pasqyroi goditjet që vijnë nga rrjeti i huaj. Ekonomia shqiptare pritet të pësojë një rritje të shpejtë vitin e ardhshëm. Në rast se kjo rritje e çmimeve provohet më e fortë, Këshilli Mbikëqyrës, i gatshëm të rishikojë politikën monetare”.

ÇMIMET

Sipas guvernatorit, momentalisht në Shqipëri është rritur vetëm çmimi i naftës dhe i bukës, ndërsa ka pritshmëri për rritje në tremujorin e tretë të vitit, kur kërkesa për energji është më e lartë nga konsumatorët. “Rritja e çmimeve vjen si pasojë e inflacionit të importuar nga tregjet ndërkombëtare.

Është rritur nafta, gazi dhe energjia veçanërisht në Eurozonë. Gjithsesi në tregun e brendshëm, me përjashtim të rritjes së çmimit të naftës dhe bukës, nuk kemi parë rritje të çmimeve. Pritshmëria është për tremujorin e fundit të këtij viti dhe tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Në dimër nevoja për energji dhe gaz do të jetë më e lartë. Gjithsesi është për t’u parë si do të reagojnë tregjet. BSH do të monitorojë situatën dhe do të shohë si do të reflektohet kjo në inflacion. Nëse inflacioni bazë, pra i brendshëm, do të rritet më shpejt se parashikimet, ne do të reagojmë.

Do të kalojmë në politikën monetare shtrënguese, pra me rritje të normës së interesit”, vlerësoi guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Sejko bëri me dije se Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit teksa shtoi se nëse do të kemi një rritje të inflacionit mbi parashikimet, atëherë do të reagohet me rritje të normës së interesit.

“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Rrjedhimisht, Këshilli Mbikëqyrës vendosi ta lërë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 0.5 për qind, gjithashtu të lërë të pandryshuara normat e interesit te kredive njëditore, në nivelet e 0.1 dhe 0.9 për qind”, nënvizoi guvernatori.

ECURIA

Veç të tjerash, Sejko shtoi se rritja ekonomike shënoi nivelin 17.9 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, ndërsa shtoi se ekonomia shqiptare tanimë ka rikuperuar tërësisht humbjet e shkaktuara nga tërmeti dhe pandemia. “Sipas të dhënave të INSTAT-it, rritja ekonomike shënoi nivelin 17.9 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti. Kjo ecuri sugjeron se ekonomia shqiptare ka rikuperuar tërësisht humbjet në aktivitetin ekonomik të shkaktuara nga tërmeti dhe nga pandemia.

Analiza e të dhënave të disponuara tregon se rritja e tremujorit të dytë pasqyron jo vetëm efektin e fortë bazë të rënies së fortë ekonomike gjatë tremujorit të dytë të vitit të kaluar, por edhe gjerësinë dhe forcën e faktorëve që kanë ushqyer rritjen në gjysmën e parë të këtij viti.

Po ashtu, analiza e të dhënave indirekte sugjeron për norma të shpejta rritje edhe gjatë tremujorit të tretë, por edhe gjatë gjysmës së dytë të këtij viti. Rritja e aktivitetit ekonomik shfaqet me bazë të gjerë. Në terma të kërkesës agregate, ajo pasqyroi zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private, rritjen e shpenzimeve buxhetore, si dhe zgjerimin e eksportit të mallrave dhe shpenzimeve.

Në terma sektorialë, kjo rritje pasqyroi zgjerimin e njëkohshëm të aktivitetit ndërtues, industrial dhe të shërbimeve. Punësimi u rrit me 1.1 për qind gjatë tremujorit të dytë, ndërsa shkalla e papunësisë zbriti në nivelin e 11.6 për qind”, u shpreh guvernatori.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura