Rregullat e reja që çojnë në shkarkimin e ministrave të Ramës/ Nga veprimet e ekzagjëruara në bare, restorante a rrjete sociale tek takimi me ‘roje’ i biznesmenëve

May 3, 2022 | 14:00
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Ministrat do të shfaqen para publikut me një mënyrë të re sjelljeje, në të kundërt do të penalizohen deri në largim nga detyra.

kabineti rama 3

Së fundmi, qeveria ka miratuar në Këshillin e Ministrave ato që quhen si rregullat e etikës së ministrave dhe zyrtarëve të administratës, lidhur me sjelljen publike. Personeli i Kryeministrisë, ministrat, deputetët dhe zyrtarët e lartë të administratës duhet të bëjnë kujdes nga tani e tutje, pasi një urdhërese e Kryeministrit Rama i privon ata nga disa benefite. Kështu, ministrat sipas këtij Kodi Etike, nuk mund të takohen me biznesmenë të ndryshëm apo me grupimet e interesit pa praninë e dy nëpunësve të ministrisë përkatëse, takim që do të skanohet i gjithi dhe do të protokollohet koha dhe çështja e diskutuar.

“Të zhvillojë takime me përfaqësues të biznesit apo grupeve të interesit pa praninë e dy nëpunësve/funksionarëve të lartë të ministrisë përkatëse dhe pa mbajtur minutat e takimeve, regjistrimin e identitetit të personave të përfshirë në këto takime, si dhe evidentimin e çështjeve të diskutuara në një regjistër të posaçëm që mbahet nga sekretari i Përgjithshëm i ministrisë përkatëse”, thuhet në vendim.

Ndalohet gjithashtu që të frekuentojnë bare e restorante gjatë ditëve të punës kur janë duke ushtruar detyrën e tyre, shto këtu edhe bixhozin. Po ashtu, për të shmangur konfliktin e interesit ata janë të ndaluar që të pranojnë bileta të paguara nga persona dhe kompani private. Ashtu sikurse ishte lajmëruar në fillim të mandatit të tretë, Rama u ka ndaluar ministrave edhe organizimin e festave për personelin apo pushimet jashtë vendit me fondet e buxhetit të shtetit.

“Kryerja e veprimeve të ekzagjeruara në bare, lokale, restorante, parqe dhe/apo ambiente të tjera publike; frekuentimi i ambienteve, aktiviteteve apo vendeve të padenja dhe që mund të dëmtojnë ose të hedhin dyshime mbi figurën e tij morale; përdorimi në mënyrë jokorrekte i medias dhe i rrjeteve sociale; realizimi dhe publikimi në çfarëdolloj forme i fotove/ videove të vetvetes, kolegëve, ambienteve të punës, proceseve të punës, për qëllime që nuk lidhen me punën apo me aktivitete zyrtare”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Kështu, anëtarët e qeverisë nuk duhet të hyjnë në asnjë ambient ku luhet bixhoz. Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe veçanërisht kundërshtimi i forcave të rendit është një tjetër gjë që iu ndalohet ministrave. Po ashtu, sikurse ishte paralajmëruar ministrat s’mund të pranojnë bileta të paguara nga persona dhe kompani private.

Gjithashtu, ata nuk mund të frekuentojnë bare e restorante gjatë ditëve të punës apo të udhëtojnë me “Bussines Class” brenda Europës, e të përdorin sallën VIP të aeroportit.

Nëse anëtari i kabinetit do të bëjë një nga këto shkelje, ose duhet të kërkojë ndjesë publike ose do shkarkohet menjëherë nga detyra.

Rregullat e paralajmëruara nga Kryeministri Edi Rama në nisje të mandatit të tretë të qeverisjes dhe të miratuara në shtator të vitit të shkuar nga Këshilli i Ministrave kanë hyrë në fuqi të premten e 29 prillit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura