Rrëfimi i Petrit Velajt, ish i dënuari: Lotët e Pali Miskës për Enverin në burgun e Zejmenit

Aug 14, 2013 | 15:23
SHPËRNDAJE

Petrit Velaj duke rrefyer per gazeten “Panorama”
Petrit Velaj: Telegrami që i çova Nexhmijes për vdekjen e Enverit.

“Ditët e zisë në burg për vdekjen e Stalinit dhe Enver Hoxhës”

“Lotët e Pali Miskës për diktatorin në burgun e Zejmenit dhe shpërthimi i ciganit “Pse kaq vonë o Zot!”

Vdekja e Stalinit dhe e Enverit kanë qenë dy nga ngjarjet më tronditëse të regjimit komunist. Së paku për nga mënyra si e serviri politika zyrtare e Tiranës humbjen e tyre, shoqëria shqiptare përjetoi traumë të fortë psikologjike. Përkundër këtij fakti, lajmet e pazakonta nuk kanë pasur të njëjtin efekt tek ata që vuanin dënimin si kundërshtarë të doktrinës së dy “baballarëve” të marksizmit, tashmë në botën tjetër.

Petrit Velaj është nga të rrallët, ndoshta i vetmi ndër të dënuarit politikë, që këto dy ngjarje i ka kaluar në ferrin e burgjeve të diktaturës. Jo rastësisht në rrëfimin për “Panorama”, ai këmbëngul t’i veçojë me detaje rrethanat e tyre, duke i mëshuar faktit që ato, ndryshe nga lotët e dënesa jashtë telave me gjemba, aty, në skëterrën e bashkëvuajtëse, shkaktuan gëzim, por edhe një lloj shprese për ndryshim kursi drejt lirisë. Lajmi për vdekjen e Stalinit, thotë Velaj, e ka gjetur në burgun e Tiranës, ndërsa ditët e zisë për humbjen e Enverit i ka kaluar në ferrin e Zejmenit të Lezhës. Pjesa tjetër e kujtimeve të tij fokusohet tek episode e ngjarje nga ditë-netët e qelive në distancën kohore midis dy vdekjeve të bujshme (1953-1985), ku vendin kryesor e zë retrospektiva e revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit, të cilën e ka ndjekur nga afër jo thjesht si dëshmitar, por edhe protagonist…

Vdekja e Stalinit

Nexhmije Hoxha dhe familja duke bërë homazh mbi trupin e pajetë të Enverit
Isha dënuar për herë të dytë dhe po më transferonin nga Vlora në Tiranë. Teksa dremisja në karrocerinë e makinës, njëri nga policët e shoqërimit më kapi rrëmbimthi duke thirrur me zë koke: “Hajde tani, zbrit se mbërritëm!”. I dremitur, siç isha, u çova menjëherë në këmbë. Britma e kapterit më kishte prishur dremitjen e thellë dhe ëndrrën që po shikoja, nuk e di qysh kur. Aty për aty, zëri i tij më kujtoi zërin e gardian Maksutit, me të cilin isha njohur dikur në burgun e Tiranës. Kisha pasur me të një histori të veçantë. Një histori të veçantë nga një ngjarje shumë e veçantë. Një pasdite dimri, ky Maksuti erdhi papritur në barakën ku pushoja me një tjetër dhe me pamjen e shpërfytyruar, na u drejtua me ton urdhërues: “Ç’prisni, dilni jashtë, ka vdekur Stalini!” dhe mori qëndrim “Gati-tu!”, duke ngulur shikimin nga ne. Një moment shtangëm dhe u pamë sy më sy. “Po ky ç’thotë? Ma shpjego të lutem, se nuk di mirë shqip”, m’u kthye me zë të ulët në rusishten e tij të preferuar shoku i dhomës, një i huaj nga Kazakistani që vuante dënimin për sabotim e spiunazh. “Me sa shoh, ka cofur ai juaji”, i shpjegova afër veshit se mos të dëgjonte mysafiri që rrinte te dera. “Jo, nuk ka mundësi. Pse kaq… kështu…”, bëri shoku i dhomës me një zë të tronditur. “Të çmendur e bë ti kapter Maksutin?!, iu përgjigja unë duke menduar zararin e lajmit të papritur. “Jo të çmendur, po ndoshta të pirë, shtoi ai”. Në fakt, kapter Maksuti e kishte qejf rakinë, po rrallë e tepronte me të. Nuk e di ç’deshi të më thoshte tjetër bashkëvuajtësi nga Kazakistani, por ndërhyri kapteri dhe ia la fjalën në fyt: “Ç’prisni dilni jashtë, në oborr pret komisari! Këtë radhë zëri i tij ishte më i vrazhdë. U çuam e dolëm jashtë. Aty, komisari i përlotur, duke përsëritur haberin e kapter Maksutit për vdekjen e Stalinit, na njoftoi vendimin zyrtar për pesë ditë zie kombëtare. Pas kësaj, u futëm prapë në barakë. Deri te dera na shoqëroi kapter Maksuti që herë pas here ngashërehej si të kishte humbur një nga të afërmit e familjes. “Paska qenë e vërtetë”, theu heshtjen i pari shoku i dhomës. “Të thashë, cofi ai juaji, po nuk më besove”, ia ktheva unë gati pa vetëdije, duke hetuar ndjesinë që kishte krijuar tek ai vdekja e prijësit të BRSS. “Tani ai iku, po ç’do të ndodhë më tej?”, shtoi si nëpër dhëmbë bashkëfolësi. “Të presim e të shikojmë”, thashë unë që ende nuk po e kuptoja reagimin e tij. “Me këtë zi që shpalli Tirana, keq do të jetë puna këtu”, nxori kokën kazakistanasi. “Keq, ç’domethënë keq?”, e pyeta unë me një trill provokues. “Keq, do të thotë, që…” “Çfarë?”, e nxita unë duke e vështruar në sy. “Ta them unë”, ia bëri ai. “Pa hë, ma thuaj”, iu drejtova duke menduar se tjetri më në fund po dilte te thelbi i temës. “Këtë Stalinin që Zoti e nxori jashtë, këtu do ta keni në qoshe!” “Nuk po të kuptoj, ç’do të thotë kjo”, ndërhyra unë këtë radhë me një ndjenjë frike. “Që ne do të mbetemi këtu ku jemi, në kafaz. Pse pak është kjo?!” Si tha këto, u spostua në fund të dhomës dhe hoqi çorapet e lagura. Bëra t’i afrohem për të mësuar diçka më shumë për çka kishim folur deri ato çaste. “Fol o burrë i dheut më shkoqur, se s’po të kuptoj”, i thashë duke u ulur ne krahë të tij. “Hapur ta thashë, ky lajm s’i lëviz asgjë fatit tonë”, m’u kthye ai i dëshpëruar dhe vazhdoi me një zë të mbyllur: “Këtu e mora vesh, po nuk di sjelljen e atyre tanëve pas vdekjes së Stalinit”. Desha ta pyesja më tej, por ai u shtri duke shqiptuar nëpër dhëmbë fjalën “O Zot”, të cilën e përmendte gjithnjë në situata të vështira…

Sërish në Spaç
Nga burgu i Tiranës, bashkë me disa të dënuar të tjerë, na çuan në burgun e Spaçit. Kur mbërritëm në kamp, ishte mbrëmje. Ishte momenti që kthehej turni i dytë nga galeritë. Një pjesë të tyre i njihja mirë. Me disa syresh kisha qenë bashkëvuajtës në këtë kamp. Ata sa më panë, ashtu siç ishin me rrobat e punës, erdhën dhe më takuan. Të nesërmen fillova punë në minierë.
Kampi ishte në formën e një qyteze në gjunjët e shpateve të malit, në një luginë të thepisur. Duheshin 40 minuta për të shkuar nga kampi në galeri. Në thellësitë e atyre galerive kishte vite që të burgosurit politikë nxirrnin pirit e bakër. Puna e vështirë dhe ambienti i galerive ku hapësirat mbështeteshin mbi furka druri dhe trarë gjysmë të kalbur, nga çasti në çast ndillnin vdekjen. Qysh në ditët e para shikoja se si nxirrnin nga thellësitë e galerive të burgosur të plagosur e tërë gjak, të cilët aksidentoheshin në punë. Vështirësitë e jetës në kamp i shtonte edhe ushqimi, i cili jo vetëm që ishte i paktë, por gatuhej me një lloj margarine që mbante erë të keqe. Ca kohë filluan të gatuanin me vaj balene. Nuk merrej vesh nga dreqin e sillnin. Ky lloj vaji ishte njëlloj si vaj makine. Shpesh shikoja qentë, të cilët kur derdhej gjella e gatuar me të nuk e hanin…   

Revolta e Spaçit 1973
Aty nga dhjetëditëshi i fundit i majit ’73, shpërtheu revolta e të dënuarve të kampit. Ajo revoltë zgjati 5 ditë. “Trimat e Partisë” qëndronin jashtë kampit si lepujt. Të pazotë të frenonin revoltën, sollën forca të motorizura, tanke dhe autoblinda nga Tirana. Një mbrëmje brenda kampit vërshuan qindra sampistë me kamxhik, maska dhe mburoja të hekurta. Filloi një përleshje e përgjakshme midis atyre dhe të burgosurve. Në kodrën sipër kampit qëndronte Feçor Shehu dhe disa oficerë të Ministrisë së Brendshme. Në dritaren e zyrës së komisarit të burgut, ndiqnin situatën Kadri Hazbiu me një suitë të tij. Një moment nga mesi i të burgosurve u dëgjua një zë i fortë: “Ç’kini me ne, o Feçor Shehu?!” Ishte Hajri Zeneli (Shehu), një bashkëfshatar i tij, që vuante dënimin prej vitesh aty. Feçor Shehu, sa e dëgjoi, me sa duket e njohu dhe iu kthye me hakërrimë: Të njoh mirë, të kam njohur edhe babanë që ta kemi pushkatuar si qen. Mos u mërzit, se edhe ty te vendi i tij do të të çojmë!”. Sakaq, përleshja u bë më e egër. Në Spaç, por edhe në burgje të tjera ku kisha qenë, nuk kisha parë pështjellime të tilla. Filluan arrestimet. U prangosën me dhjetëra. Na thanë se i kishin degdisur në Tiranë e Rrëshen për t’i hetuar e ridënuar. Pas ca ditësh na komunikuan edhe vendimet e gjyqit. Me dhjetëra e qindra vite burg. Na thanë ndërkaq se katër nga të arrestuarit ishin pushkatuar. Ishte katërshja që kishte zgjedhur me dorën e tij Feçor Shehu. I pari ndër ta bashkëfshatari i tij, Hajri Zeneli, nga Hekali i Mallakastrës.

Në burgun e Ballshit
Në qershor të vitit 1974, bashkë me një grup të dënuarish që zotëronin specialitetin e ndërtimit, na transferuan në burgun e Ballshit. Kampi ishte vendosur në faqen e një kodre në pjesën jugore të qytetit. Uzina ku do të punonim, ishte më në veri të tij. Aty gjeta mjaft të njohur, me të cilët kishim ndarë momente të vështira në kampe të tjera. Mbresat më të bukura nga kampi i Ballshit i kam nga shoqëria me vëllezërit Spartak e Sokol Ngjela, të bijtë e Kiço Ngjelës, ish-ministrit të Tregtisë që ishte dënuar me grupin e ekonomisë për sabotim. Ata ishin dënuar si shumë të tjerë për agjitacion e propagandë. Qëndroja shpesh me ta. Spartaku ishte një rebel i pandreqshëm. Një ditë, isha me të, kur komisari i kampit iu drejtua për ta fyer: “Ti Spartak, i tha, je një revizionist i poshtër”. Ende pa mbaruar mirë komisari, Taku ia ktheu aty për aty: “Unë kam qenë e jam antikomunist, e si i tillë s’kam si të jem revizionist. Ndërsa ti je një copë xhandari që as koburen nuk e ke tënden, pale mendjen”. Taku ishte shumë i ndjeshëm ndaj padrejtësive dhe reagonte energjikisht pa kurrfarë droje. Kjo i kushtoi shtrenjtë me dënime, ridënime, izolim e tortura nga më çnjerëzoret. Në vitin 1980, Takun e ridënuan edhe 10 vjet për agjitacion e propagandë dhe e transferuan në kampin e Spaçit. Pak muaj më vonë më ridënuan edhe mua 10 vjet të tjerë. Në ato vite ridënimi në burg ishte pjesë e inkuizicionit në kampe. Madje, këtë e shprehin hapur jo vetëm verbalisht. Një parullë, në oborrin e burgut, në një faqe të suvatuar, shkruante me germa të mëdha: “Çdo i dënuar, në qoftë se nuk rehabilitohet gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, jo vetëm nuk lirohet, por ridënohet 10 vite”. Kjo parandiente deri edhe zhdukjen fizike nëpër kampe e burgje të të dënuarve…

Në Spaç për herë të tretë  
I ridënuar me 10 vite për agjitacion e propagandë në burgun e Ballshit, pas gjashtë muajsh në izolim në burgun e Fierit e të Tiranës, më rikthyen për herë të tretë në kampin e Spaçit. Ishte viti 1981. Aty rigjeta mjaft nga miqtë e vjetër, që vazhdonin të vuanin dënimin, por edhe djem të rinj që ishin dënuar rishtas. Njëri ndër ta me të cilin u miqësova që ditët e para, ishte Visar Zhiti. Në netët e acarta të dimrit në Spaç, ai më ftonte në njërën nga dhomat e boshatisura dhe më lexonte vargjet që kishte shkruar. Kishte qenë mësues në fshatrat e Kukësit. Edhe ai ishte dënuar për agjitacion e propagandë. Vjershat që krijonte, i hidhte në letër dhe, pasi i mësonte përmendësh, i griste. Një ditë kishte bërë një poezi për kalin. Simbolizonte kuajt gërdallë të socializmit. Nga ana tjetër, kali që shikonte jashtë dritares së qelisë, diku në një livadh, të paktën kishte një farë lirie, kurse ai dhe ne të tjerët ishim në lirinë e qelive komuniste.

Në Zejmen të Lezhës
Në vitin 1982, bashkë me 40 të dënuar të tjerë, më transferuan në ndërtimin e godinave në burgun e ri, në Zejmen të Lezhës. Aty na prezantuan me inxhinierin e punimeve, Shkëlqim Bumçi. Edhe ai ishte i dënuar si ne me motivacionin “për sabotim të ekonomisë socialiste”. Banonim në një barakë të gjatë në kushte tejet të vështira. Pjesa më e madhe ishin mjeshtër ndërtimi. Në Zejmen qëndrova deri në fund të vitit 1985. Me të dënuarit nderuam aty zyrtarët e komandës së burgut, kampin e të dënuarve, kapanonet e ushtarëve. Gjatë qëndrimit aty shoqërohesha shpesh me inxhinier Bumçin. Nga ai mësova shumë, sidomos për kolosët e arkitekturës shqiptare. Shkëlqimi më tregoi për projektuesin e talentuar të tuneleve të Semeringut e të hekurudhave të Gracit, me origjinë shqiptare Karl Gega, për inxhinierin e dëgjuar të konstruksioneve Gjovalin Gjadrin, për ndërtimin e hekurudhave në Europë e deri në Japoni. Në bisedë me të u njoha edhe me motivin e vërtetë pse ishte dënuar inxhinier Shkëlqimi. Dalëngadalë mësova se kishte qenë i martuar me vajzën e njërit prej anëtarëve të Byrosë Politike dhe, pas divorcit me të, e kishin dënuar për agjitacion e propagandë. Po ish-vjehrri i tij nuk kishte mbetur i kënaqur me kaq. Kishte mjaftuar kjo dhe ishte bërë rigjykimi nëpërmjet të cilit Bumçi ishte dënuar për “sabotim…”, akuzë kjo që shkonte deri në 25 vite burg.
 
Ditën kur vdiq Enveri
Lajmi për vdekjen e Enverit më zuri në Zejmen. Kishte kohë që në kamp qarkullonin fjalë ogurzeza për shëndetin e diktatorit. Aty nga fillimi i muajit prill të ’85-s u hap lajmi se Hoxha po lëngonte dhe kishte zënë shtratin e vdekjes. Më 8 prill morëm vesh tinëz se ishte mbufatur në gjak zemra e diktatorit. Kishte kaluar në gjendje kome. Po shkonte drejt xhenetit. Më 11 prill ’85, aty nga ora dhjetë e mëngjesit na lajmëruan të mblidheshim në oborrin e burgut. Menduam se do të na mbanin ndonjë konferencë. Midis grupit të drejtuesve të kampit u shfaq edhe Pali Miska e Liri Gjoliku. Duke vrarë mendjen për arsyen e kësaj vizite të papritur, dëgjova zërin e Pali Miskës, që prej kohësh në bisedat me bashkëvuajtësit e quanim Pali Mushka. Ai, pasi ishte shkëputur dy hapa nga grupi i të tjerëve, kishte filluar ligjëratën e trishtë: “Dëgjoni o të dënuar! Sot kombi ynë ka rënë në zi. Pushoi së rrahuri zemra e udhëheqësit të madh të partisë dhe të popullit, udhëheqësit të proletariatit botëror. Vdiq ai që e çoi vendin nga fitorja në fitore, ai që shpartalloi armiqtë e jashtëm e të brendshëm. Ai që e bëri Shqipërinë kopsht të lulëzuar që e ka zili bota…” Pastaj, duke hequr në zemër, me një gjest grotesk, si ato të estradave amatore, Pali Mushka shqiptoi emrin e diktatorit E.H.
Për një moment, ne që e dëgjonim, ngrimë në vend. Nga mesi i turmës, ashtu në heshtje, bëri përpara një cigan, i cili kishte vite që vuante dënimin për tentativë arratisjeje. Doli përpara nesh. Ngriti pëllëmbët e duarve drejt qiellit me vështrim nga Pali Mushka dhe të tjerët. Aty për aty ngriti zërin: “O Zot! O Zot! Paska me të vërtetë një zot”. Sa shqiptoi këto, ra përmbys në tokë. Pali Miska, që kujtoi se ishte traumatizuar nga lajmi i papritur për vdekjen e diktatorit, bëri tre-katër hapa para dhe duke u përkulur mbi trupin e ciganit, filloi t’i flasë: “Vëlla, vëlla… Çohu, se të gjithë e kemi dhimbje të madhe. E kuptoj se ty të dhemb shumë, por partia na kërkon ta kthejmë dhimbjen në forcë…” Deshi të shtonte edhe diçka tjetër në këtë linjë, por sakaq cigani ishte çuar në gjunjë, dhe ashtu siç ishte iu drejtua Pali Miskës: “Aman ore, shyqyr që shpëtuat edhe ju nga ai përbindësh, se kishte filluar t’ju hante një nga një si kokrra gorricash, pale ne që po kalbemi në burgje…” Pa mbaruar mirë, Pali Miska, i shpërfytyruar në fytyrë, thirri policët për ta izoluar në birucë. Aty për aty, në shenjë pakënaqësie, diçka shprehu edhe Liri Gjoliku, por zhurma e kamxhikut të policëve mbi ciganin e gjorë nuk na la ta dëgjonim.
Të nesërmen, qysh herët në mëngjes, na mblodhën me urdhër në mensën e kampit. Një grup oficerësh që kishin ardhur nga Ministria e Brendshme, na kërkuan t’i bënim telegram ngushëllimi vejushës Hoxha. “A mund të ngushëllohet me urdhër?! Ndërhyri i revoltuar Vasil Kati, njëri nga të dënuarit që dallohej për vetëpërmbajtje. “Pastaj, ne këtu, në këtë parajsë, jemi falë bekimit të të ndjerit”. Si tha këto, u ul për të dëgjuar të tjerët, por aty për aty e rrëmbeu njëri nga gardianët dhe përfundoi në qeli. Ne që mbetëm, pasi morëm letër e laps, filluam të shkruajmë gjithkush në mënyrën e vet letërkëmbimin me të venë e diktatorit. Pati ndër të dënuarit, që pranuan “të merrnin pjesë në hidhërimin e familjes së të paudhit”, duke menduar të mjerët se mund të përfitonin lirimin para kohe(!). Unë u ula diku nga fundi i sallës dhe fillova në mënyrën time: Shoqja Nexhmije! Jam Petrit Velaj nga Kanina e Vlorës. Me rastin e vdekjes së burrit tuaj, marr pjesë në gëzimin që duhet të kesh ti dhe fëmijët e tu që më në fund shpëtuat nga thonjtë e tij!”. I bindur për çfarë më priste, e dorëzova te oficeri i rojës dhe u largova. Vetëm pas pesë minutash erdhi gardiani dhe më komunikoi urdhrin për t’u izoluar në qeli. E pagova me pesë javë aty.
vijon…

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura