Rrëfimi i përkthyeses: Si më sulmoi Adriatik Kallulli e më mbështeti Petro Zheji

Oct 2, 2017 | 7:20
SHPËRNDAJE

Klio Evangjeli është “thesari” i vetëm i gjallë i përkthimeve. Me atë cilësi e intensitet që ka punuar, çdokush mendon se është shkolluar kushedi se ku e kushedi se për sa kohë, por jo, Evangjeli është tërësisht autodidakte. Pasioni për gjuhët e huaja e bëri të studionte pa pushim, derisa të përvetësonte secilën që në moshë fare të re. Vepra e parë e vërtetë që përktheu ishte “Evgjeni Grande”.

Nisi përpjekjet për ta botuar, por një vajzë në moshë të re, në Korçë, e pa mbështetje, sa mundësi mund të kishte? Sidoqoftë, libri u botua, vetëm se jo me emrin e saj. Kur pa gazetën me emrin e Nonda Bulkës në të, Klio pati “goditjen” e parë, por kjo nuk e bëri të tërhiqej, ishte e vendosur. Vijoi të përkthejë deri sa librat u bënë të shumtë e mund të konsiderohej tashmë përkthyese profesioniste, e denjë për shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Mirëpo, peripecitë nuk mbaruan me kaq… Jo në pak raste u munduan ta përjashtojnë nga shtëpia botuese.screenshot--2017-10-01-14-29-30-339

Më poshtë, Klio tregon për “Panoramën”, të shkruar me dorë në 13 formate A4, historinë e përpjekjes së përkthyesit Sotir Caci për ta larguar. Sot Klio jeton në Kanada dhe mundet të na tregojë vetëm pjesërisht për të “fshehtat” e një bote që pakkush mund ta bëjë sot publike…

KLIO EVANGJELI

Kam rrëfyer pak edhe më parë se Sotir Caci më zuri udhën vite me radhë, derisa erdhi në krye të shtëpisë botuese “Naim Frashëri” Drago Siliqi dhe solli një frymë të re drejtësie për të gjithë. Edhe mua më bëri drejtësi e më emëroi në SHB, ne përkthyesit që punonim ndershmërisht e vlerësonim shumë atë drejtor. Por, mjerisht, ai humbet jetën në aksident ajror dhe vdekja e tij tragjike tronditi e hidhëroi familjen e tij, të afërmit, por edhe mirënjohësit dhe dashamirësit e tij. Sot po tregoj disa ngjarje nga kjo kohë, për “Panoramën”.

Në SHB, shef i redaksisë së përkthimeve nga gjuhë të huaja ishte Andrea Vorfri. Kisha përkthyer pas “Zjarrit” dhe “Budenbroks”, disa vepra me vlerë, midis të cilave po përmend vepra të Zolasë nga frëngjishtja, disa novela të Cvajkut nga gjermanishtja dhe “Mallkuar qoftë ajo ditë”, këtë e përktheva nga rusishtja, se e kishim vetëm në këtë gjuhë.

Një ditë, shefi, Andrea Varfi, më thërret në zyrën e tij ku u ndodh edhe Zef Simoni, me të cilin kisha punuar një vit në të njëjtën zyrë, e ishte koleg dashamirës. Varfi më thotë: -Po të jap “Gardën e Re” të Aleksandër Fadejevit, që do ta përkthesh nga origjinali, rusisht. Unë hidhem përpjetë, por e mbaj veten dhe i them: -Nuk mund ta marr “Gardën’. Kam dëgjuar që e ka përkthyer Sotir Caci. Jo, nuk mund ta marr. -Sotir Caci, -më thotë- e ka përkthyer nga frëngjishtja disa vjet më parë.

Ky vëllim që po të jap ty është i përpunuar e i plotësuar nga Fadejevi. -Ju lutem, i them, jepjani ndonjë tjetri, më jepni një roman tjetër. -Jo, ti do ta përkthesh e po e përsëris, është i përpunuar nga autori dhe i plotësuar, prandaj edhe do të quhet “botim premierë”.

Unë matem t’i them se Sotir Caci më ka bërë shumë keq e s’dua të ngatërrohem me “Gardën” që e ka përkthyer ai njeri, por hidhet e thotë Zef Simoni: -Klio, ai po të bën nder, merre “Gardën”. Më erdhi rëndë të vazhdoja të këmbëngulja edhe më dhe e mora, por, qëkurse e mora e gjer sot e kësaj dite, jam e bindur se Andrea Varfi nuk ma dha me qëllim të keq, por pa dashur më bëri keq, se “Garda” më shkaktoi një tronditje të tmerrshme, tronditje që nuk harrohet dot.

Po rrëfej pikë për pikë se ç’ndodhi: -Në SHB “Naim Frashëri” ishte shtuar numri i punonjësve. Ata që përkthenin nga shqipja në gjuhë të huaja fjalime dhe shkrime të tjera politike duhej të punonin përherë në zyrë, kurse ne, përkthyesit e letërsisë së huaj, punonim sipas udhëzimeve herë në shtëpi e herë në zyrë. “Gardën” e përktheva në shtëpi, me përkushtim si romanet e tjera.

Andrea Varfi më pati thënë se do ta redaktonte Fatime Afezolli. Pasi e mbaroj, ia dorëzoj redaktores. Kur vete te shefi për të marrë një tjetër roman, dera është e kyçur. Marr vesh se ai është me raport mjekësor, pra i sëmurë. Pas dy javësh më thërrasin në një mbledhje. Vete në SHB, ngjitem në katin e sipërm.

Hyj në sallën e madhe të mbledhjeve, ku ishin nja 9-10 vetë me të cilët s’kisha të bëja fare, por më venë sytë dhe shoh mes tyre Sotir Cacin. E habitur, ulem në një karrige mu aty te dera, sikur ulem mbi gjemba. Duke parë se s’po vinte njeri tjetër, ngrihem, por ulem përsëri, se njëri prej tyre hidhet e thotë:

-Sotir Caci e ka përkthyer shumë më mirë. Sotir Caci, që po kapardisej midis tyre, ngrihet e me një nënqeshje qesëndisëse thotë këto fjalë tekstualisht:

-Po të paktën të kishte përfituar nga përkthimi im, kurse ajo nuk begenisi t’ia hedhë asnjë sy…

E kuptova, kjo nuk ishte mbledhje, por një komplot i kurdisur nga Caci së bashku me redaktoren, së cilës ia kisha dorëzuar “Gardën”, por ajo s’kishte ardhur duke qëndruar në prapaskenë. Nuk ishte më Drago Siliqi, që mishëronte drejtësinë dhe Caci prapë kishte nxjerrë kthetrat. Unë, e tronditur, nuk hap gojë fare, nuk ua shtie sytë, por dal me vrap. Vete te zyra e Varfit, por dera ishte e kyçur. Zbres te dezhurni dhe marr vesh se vazhdonte të ishte me raport. Pra, redaksia kish mbetur përkohë- sisht pa shef. Kthehem në shtëpi dhe i tregoj tim shoqi se çfarë kishte ndodhur.

Të nesërmen, në redaksi, shkoj te redaktorja. Nuk i them asgjë për mbledhjen komplot, por i them: -Erdha të marr “Gardën” e re.

-S’është nevoja, thotë, me një ton shpërfillës. – Ti ç’kishe për të bërë, e bëre!

-S’qenka nevoja!-i them- po ti e di fort mirë se, siç kontrollon redaktori punën e përkthyesit, edhe përkthyesi ka të drejtë të plotë, të ligjshme, të kontrollojë punën e redaktorit, pas redaktimit e në këtë rast pas redaktimit të shpejtë, në kohë rekord. (Fjalët e fundit ia them me ironi, edhe pse ironia nuk është në natyrën time). Ajo u zu ngushtë.

I thashë njerëzisht, edhe pse nuk e meritonte: Të lutem, më jep “Gardën”, se nxitoj. Deshi, s’deshi, ma dha, por turivarur. Kthehem në shtëpi, i përvishem kontrollit të “Gardës” me origjinalin rusisht përpara. Te “Garda” nuk ishte ndryshuar asnjë faqe, asnjë rresht, asnjë fjalë, ishte ashtu siç kish dalë nga dora ime, pra e paredaktuar fare. E kisha ndier se Fatime Afezalli nuk ishte dashamirëse ndaj meje, se si më sillej dhe herë-herë më hidhte ndonjë thumb.

Përkthyesit i kish me sy të mirë, kurse një grua përkthyese në ato kohë (tani ka edhe burra, edhe gra) ndoshta e kishte halë në sy. E dyshoja këtë, por me rastin e “Gardës” m’u mbush mendja sigurisht, ajo me Cacin e kishin kurdisur komplotin. Një të diel, vjen papritmas korrieri plak, xha Aliu, të cilin çdo herë e nderoja me ç’kisha, si mysafir.

-E, xha Ali, ç’kemi?- e pyes, pak e habitur se për çdo “lajmërim” për mbledhje nuk vinte kurrë ndaj të ngrysur. Ai më thotë me keqardhje:

-Kanë vënë për ty, në holl, shumë fletërrufe. Tronditem, por i them: -Faleminderit që më lajmërove!

Të nesërmen burri im gjen te sporteli i adresave atë të shtëpisë së Andrea Varfit, ku familjarët i thonë se ai është jashtë shtetit për arsye shëndetësore. Ç’hata! Se po të ishte në zyrë, si më parë, nuk do të ndodhte kjo që ndodhi! Ditën tjetër, vete në SHB. Muri në të majtë të derës me xhama ishte mbushur me fletërrufe alla kinezçe.

Midis tyre, spikaste fletërrufeja me shkronja të kuqe e sekretares Virgjini Deljana, ku lexoj këto fjalë :”Klio Evangjeli ka marrë rrogën disa muaj dhe e ka përkthyer keq “Gardën” e re. Të bëjë autokritikë!”. Fletërrufetë e tjera përmbanin thuajse të njëjtat fjalë e ishin të nënshkruara nga shefat e të gjitha redaksive. Hyjnë në holl dy oficerë të rinj.

-Ua! Ua! – ia bëjnë ata.

-Kam parë, -thotë njëri, -ndonjë fletërrufe aty-këtu, po ky muri qenka mbushur i tëri!

-Më thanë, -ia kthen tjetri, -po nuk besova, prandaj erdha t’i shoh.

-Pupu!- ia bëjnë ata pastaj dalin. Dëgjoj këmbë nëpër shkallë. Zbret Dodona, shefja e administratës. Sapo më sheh, ndërron çehre. Ishte grua vërtet e mirë, me të cilën kisha muhabet.

-Edhe ti Dodonë, -i them, -paske bërë fletërrufe kundër meje! -Lëre!, ia bën ajo me një fill zëri, dhe del menjëherë.

E kuptova: E kishin detyruar! Lexoj edhe fletërrufenë e fundit dhe kthehem në shtëpi. E kisha mbaruar së kontrolluari “Gardën”. Të nesërmen do ta shpija në redaksi e do vija në dukje të vërtetën. Por, të nesërmen, papritmas, vjen xha Aliu me fletëlajmërim:

“Nesër pasdite në orën pesë bëhet mbledhja e Bashkimeve Profesionale. Kjo mbledhje bëhej çdo vit vetëm në mëngjes. Këtë nuk e mendova ato çaste, por se si m’u kujtua një fjalë e urtë në një vepër të Hygoit: “Punën e sotme mos e lër për nesër”.

Ishte ora dhjetë e mëngjesit. Them me vete më mirë ta çoj “Gardën” sot, se nesër ishte mbledhja. Vete në SHB në holl, përveç fletërrufeve, shoh te muri pranë shkallëve një lajmërim: “Nesër pasdite, në orën pesë, bëhet një mbledhje për Klio Evangjelin. Të jetë i pranishëm i gjithë kolektivi”. Mbetem një çast e shtangur. Ma punuan! Në shtëpi më dorë- zuan një lajmërim të rremë, që të bija të nesërmen në kurth. Ngjis shpejt shkallët. Në redaksi gjej redaktoren, Fatimen. E vë “Gardën” në një cep të tavolinës. Ajo e shtyn në cepin tjetër.

-Nesër- thotë vrazhdë, – kemi mbledhje. Unë nuk përgjigjem. Dal menjëherë. Nuk vete në shtëpi, por vete në zyrën e Dhimitrit, tim shoqi.

Ai ishte shumë i njohur e i respektuar në Tiranë, si avokat i zoti dhe si njeri i ndershëm nga çdo pikëpamje. I them se duan të ma punojnë. S’pret koha! Kthehemi në shtëpi. Ai mendohet mirë dhe vendos të bëjë një letër koncize ku tregon situatën krejt të padrejtë e situatën e ndezur që ishte krijuar në shtëpinë botuese nga një përkthyes e një redaktore, që ishin vënë kundër Klio Evangjelit për ta pushuar. Në letër përmend mbledhjen e nesërme. Një mikun e tij të ngushtë, që punonte në Ministrinë e Kulturës, e që për fat ishte ato ditë me leje, vete e takon e i jep letrën që ta çojë urgjent në Ministri.

Por të nesërmen, e shqetësuar i them:

-Kam frikë se mos do më bjerë të fikët!

-Jo, mos u shqetëso, mbahu e fortë – më thotë. Pasdite vete në SHB. Ngjitem në katin e sipërm. Hyj në sallën e madhe. Është mbushur përgjysmë. Po vijnë të tjerë. Ulem në një nga rreshtat e fundit. Në tribunë është Vaso Koroshi, Kryetari i Bashkimeve Profesionale, i emëruar rishtas, Ali Abdihoxha, të cilin po e shihja për herë të parë. Vjen, ulet pranë sekretar ja Virgjini Deljana. Në mes të sallës është ulur Sotir Caci.

Sigurisht, redaktorja Fatime Afezalli është aty, po nuk ma zë syri. Kur salla mbushet plot e përplot, ngrihet Vaso Koroshi dhe thotë:

-Këtë mbledhje po e bëjmë për Klio Evangjelin që e ka përkthyer keq “Gardën” dhe duhet të bëjë autokritikë. Ngrihet një dhe thotë me zë të lartë:

-Si kështu, e ka përkthyer keq?! Dhe përkthyese, pale! Unë, që s’kam përkthyer kurrë, do ta përktheja më mirë. Shumë më mirë!

Më habitën këto fjalë pa vend. Hidhet edhe një tjetër:

-E paska përkthyer keq, turp, turp, turp!

-Vërtet turp! – thotë një tjetër. Virgjini, pa u ngritur nga vendi, më thotë me ton të butë: Fol ti tani! Ngrihem, jam e tronditur, por bëj një stërmundim për të mbajtur veten. Me zë jo të lartë, por me ton të vendosur, them tekstualisht këto fjalë: Kjo nuk është mbledhje, por një gjyq kundër meje! Një mbledhje e tillë nuk është bërë për asnjë përkthyes. Dorëshkrimi i përkthyer kontrollohet nga redaktori e pas redaktimit i kalohet sërish përkthyesit, pastaj dorëzohet në shtyp.

U kritikova me fletërrufetë, po kritikohem edhe këtu për “Gardën” e re, të paredaktuar fare. Po të ishte redaktuar, do të shkonte në shtyp siç më janë botuar përkthimet e tjera. Pra, unë po kritikohem krejt padrejtësisht. Këto qenë fjalët e fundit. Nuk hapa më gojë. Ngrihet një e thotë me zë të lartë:

-Klio Evangjeli s’dashka të bëjë autokritikë! E ka sedrën e sëmurë!

-Vërtet e paska sedrën të sëmurë! -thotë një tjetër. Habitem kur ngrihet Adriatik Kallulli, inteligjent e mjaft i kulturuar, e thotë me zë të lartë:

-Në e ka përkthyer keq, të bëjë autokritikë! Sotir Caci, në mes të sallës, fluturonte sepse ishte triumfues. Ngrihet, kthen kokën djathtas, majtas edhe mbrapa dhe thotë këto fjalë: E shikoni, e shikoni që s’do e s’do të bëjë autokritikë!- edhe vazhdon të kthejë kokën nga të gjitha anët, me një gaz djallë- zor. Vazhdojnë të bërtasin…Papritmas dëgjohet një zë që thotë:

– Më duket se këtu nuk po bëhet fjalë për librin, por po bëhet luftë kundër personit. Zgjata kokën, por nuk e pashë se kush i tha. Më në fund ngrihet drejtori, Ali Abdihoxha dhe thotë:

-Unë sot po i vë një minus Klio Evangjelit. Do të bëjmë një mbledhje tjetër. Po të mos bëjë autokritikë, e dëboj nga shtëpia botuese.

Ngrihet Vaso Koroshi:

-Nëse s’do të bëjë autokritikë do të dëbohet nga shtëpia botuese. Me kaq mbledhja mbyllet! Ngrihen të gjithë. E tronditur sa s’thuhe,t ngrihem edhe unë. Zbres shkallët duke m’u dridhur këmbët! Dal. Është errur. Ndihej disa hapa pas meje. Po më ndjek redaktorja e nja dy të tjerë, por është ajo që më thotë me inat se përse nuk bëra autokritikë.

-Të bëja autokritikë?- i them me përbuzje- sepse ti nuk kishe redaktuar asnjë fjalë nga “Garda”?! -Pse nuk bëre autokritikë që të shpëtoje?! Në ato çaste tronditëse as që mendoj se ajo është sekretare. E kap lehtë në të dyja supet e i them: Moj Virgjini, po ç’autokritikë të bëja për një përkthim që është krejt në rregull, të gënjeja? Jepjani një redaktori të ndershëm dhe e çoni shpejt në shtyp. E me një gjest të dorës për t’i larguar ata sa ishin, i them: ‘Më lini të shkoj se po vjen autobusi. U bë vonë e po më presin në shtëpi! I them Dhimitrit se ç’u bë gjatë mbledhjes e se duan të më pushojnë.

Mos u mërzit, -më thotë- të bëjmë durim, të presim njëherë, pastaj mendojmë e bëjmë. Pas dy javësh, vjen xha Aliu me lajmërimin se të nesërmen në orën 11:00 do të bëhej mbledhja. Të nesërmen, e shqetësuar, s’do mend, vete në SHB, hyj në sallë, ulem në rreshtin e fundit. Salla mbushet plot e përplot. Vaso Koroshi, kryetari, është në tribunë. Po rrija në ankth, se mos pas mbledhjes fillonte gjyqi. Pasi u thanë të gjitha ato që ishin për të thënë, ngrihet Vaso. Po më rreh zemra…

-Para dy javësh bëmë një mbledhje pune, po, po! Ishte vetëm mbledhje pune, se ne s’kemi asgjë kundër Klio Evangjelit! Mora frymë lirisht. E kuptova që ishte ndërruar disku i gramafonit. Dolli Gjinali, piktore e talentuar, që ishte ulur pranë meje, më thotë: Klio, tërthorazi të kërkuan të falur! Kur dal nga salla më afrohet Petro Zheji, përkthyes i shquar dhe koleg dashamirës e më thotë: Klio t’u ngritën kambëveclet (këmbëvegjlit).

Më tutje më afrohet Aristidh Ristani, redaktor i gjermanishtes, e më thotë: Klio, kalove ditë shumë tronditëse, por këtej e tutje do të punosh e qetë! Këta e Dodona u gëzuan që dola faqebardhë! Kur shkoj në shtëpi, i tregoj Dhimitrit ç’ndodhi. Ai kishte pritur me durim. Shkoj e takoj mikun që kishte dërguar letrën në Ministrinë e Kulturës dhe kishte dërguar njërin në atë mbledhje për të vënë rregull në situatë. Kuptohet vetvetiu se ai, duke qenë mendjemprehtë, e kishte kuptuar situatën dhe nuhati që fjalët mbi mua nuk ishin të vërteta.

Aty mora vesh se fjalët që kisha dëgjuar në sallë, që më mbështetën gjatë mbledhjes, kishin qenë të përfaqësuesit të Ministrisë. Pas kësaj ngjarjeje, u rivendos qetësi në shtëpinë botuese. Redaktores ia hoqën të drejtën e redaktimit të “Gardës”. Vazhdoja të punoja normalisht në zyrë. Një ditë vjen Skënder Luarasi e më thotë:

Nuk të paskan therur?!

-Jo, i them -lavdi Zotit, kokën e kam mbi supe! Ai vazhdon:

-Ç’janë këto turpe që u bënë?! Turpe, turpe…- vijoi ai!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura