Roland Tasho sjell emigrantët e Greqisë në fotografi

Mar 27, 2012 | 12:13
SHPËRNDAJE

Fotografi Roland Tasho

U hap mbrëmë “Shqiptarë në Greqi përmes objektivit”

“S’më intereson vetëm fotografia e bukur, por dhe ajo në shërbim të komunitetit”

Fotografia e Roland Tashos i ka kaluar të gjitha fazat: fotografia si dokument, si kapje e së bukurës, portret, peizazh… Tashmë interesi i tij e kalon fotografinë si të tillë. Ajo duhet të jetë në shërbim të komunitetit.
Në kuadrin e “Pranverës së kulturës greke”, u hap mbrëmë në Muzeun Historik Kombëtar ekspozita fotografike “Shqiptarë në Greqi përmes objektivit të Roland Tashos” me mbështetjen e Ambasadës Greke në Tiranë. Janë plot 90 fotografi, të cilat i shtohen ciklit të nisur qysh prej vitit 2003, në “gjurmim” të shqiptarëve të “famshëm” jashtë Shqipërisë. Edhe pse me Greqinë na ndan jo vetëm një kufi, por edhe një histori e përbashkët ballkanike, u desh që më parë fotografi të kalonte në Zvicër, Itali, Francë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u ndalur në vendin fqinj. Për të vendosur “urën lidhëse” me një tjetër kontekst, fotografi ofron disa shkrepje të realizuara në vitin 1991, kur shqiptarët u dyndën përtej kufijve. Pikëkalimi i Kakavisë ishte i populluar si kurrë më parë… E më pas le të hyjmë në jetët e shqiptarëve në Greqi… Bashkë me udhëtimet e mëparshme numri i fotografive shkon në 700.
Emigrantë të suksesshëm
Për të dhënë një pamje sa më të plotë, Tasho ka përzgjedhur njerëz të të gjitha moshave e profesioneve, por kur flasim për shqiptarë të “famshëm”, pa dyshim ka zgjedhur shtresën intelektuale, e cila arriti ta gjente veten edhe në Greqi. Mes te fotografuarve gjen biznesmenë, inxhinierë, arkitektë, pedagogë universitetesh, mjekë, stomatologë, gazetarë-korrespondentë të mediave të njohura në Shqipëri… Mund të përmendim mes tyre Artian Qiricin, biznesmen në fushën e riparimit të anijeve, fitues i çmimit “Emigranti biznesmen i vitit” (2009), akorduar nga Bashkia e Athinës në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, për të vazhduar me Pandeli Çaçin, stomatolog në Athinë, Vasil Angjelin obstetër-gjinekolog etj. Një vend të vend të veçantë zënë pa dyshim artistët. Duke qenë se profesioni i tyre nuk mund të kuptohet pa komunikimin me publikun, janë edhe më të njohur e më të dashur. Madje i shohim edhe në skenat shqiptare vazhdimisht. Duke kaluar nga njëra fotografi në tjetrën, mund të shquash portretet e regjisorit Bujar Alimani, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, aktorët Laert Vasili, Aleksandër Rrapi, këngëtarët Devis Xherahu e Era Rusi, balerinin e parë të Teatrit Kombëtar të operës së Athinës, “Ethniki Liriki Skini”, koreografin Julian Bulku, skulptorin Ilirjan Shima, violonçelistin Renato Ripo, e shumë të tjerë. Aparatit të fotografit nuk mund t’i shpëtonin edhe sportistë të njohur, si Pavlina Evro, Kristi Vangjeli, Foto Strakosha etj.
Në shërbim të komunitetit
Të gjithë pozojnë natyrshëm, nuk sforcohen. Kush ka preferuar ambientet e punës, në zyrë, nga ku drejton biznesin, klinikën, apo auditorët e universitetit, një tjetër ka shfrytëzuar trashëgiminë antike greke… Sipas fotografit, të gjithë i janë përgjigjur menjëherë ftesës për t’u bërë pjesë e këtij projekti. Për t’i gjurmuar ka shfrytëzuar të gjitha burimet e mundshme, si Ambasadën Shqiptare në Athinë, Konsullatën në Selanik, por edhe gazetarët shqiptarë që punojnë atje. Tashmë bëhen 10 vjet qëkurse Tasho ka nisur projektin e “emigracionit” dhe kjo lloj fotografie ka marrë një tjetër kuptim për të. “Gjithçka ka kohën e vet. Tashmë nuk jam i tërhequr më prej së bukurës si të tillë, apo fotografisë për fotografi. Kjo është një periudhë e tejkaluar tashmë. Dua të bëj diçka më shumë se kaq. Tashmë nuk më tingëllon më natyrshëm, kur më thonë: Sa fotografi e bukur! Rëndësi për mua ka koncepti, fotografia në shërbim të komunitetit”, thotë fotografi, teksa tregon për impaktin pozitiv që këto ekspozita, të shoqëruara edhe me albumet përkatëse, kanë në vendet ku ato realizohen, për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve. Fatkeqësisht mbështetja e institucioneve shqiptare ndaj këtij projekti ka qenë fare e vogël. “Shqiptarë në Greqi” u mundësua vetëm me mbështetjen e palës greke, e cila u tregua e gatshme për ta mbështetur atë. Pas ekspozimit në Muzeun Kombëtar në Tiranë, ekspozita do të udhëtojë drejt Selanikut e Athinës, ku gjithashtu do të ketë një publik të gjerë, që do ta ndjekë.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura