Rishikimi me ulje i çmimit, më pak HEC-e të reja, lagrohen investitorët

Jan 17, 2016 | 9:30
SHPËRNDAJE
Koncesionarët e HEC-eve të vogla e shohin vitin 2016 më premtues në prodhimin e energjisë, për shkak të reshjeve më të bollshme. Ndërsa në lidhje me futjen e kapaciteteve të reja në sistemin prodhues nuk pritet rritje, për shkak të paqartësive që janë krijuar nga politikat e ndërmarra që kanë rishikuar me ulje çmimin e energjisë, tha Lorenc Gordani, Drejtor Juridik i Shoqatës sëEnergjisë së Rinovueshme (AREA) . Ai shpjegoi në një intervistë për “Monitor” se ndryshimi kryekëput i politikave ndaj prodhuesve të vegjël të energjisë ka dëmtuar rëndë besueshmërinë e institucioneve financiare në vend për të financuar si dhe ka larguar investitorët nga sektori. “Sado që retorikat politike mund të kundërshtojnë, ne shohim se në 2015 kemi shumë pak ose aspak HEC-e të reja të inauguruar, në ndryshim me vitet 2013 dhe 2014, ku pjesa më e madhe e HEC-eve ekzistues kanë filluar nga puna në këtë periudhë”, pohoi ai.

hec

Flet Lorenc Gordani, Drejtor Juridik AREA

Cilat vlerësoni ju si rreziqe dhe shanse në aktivitetin e biznesit tuaj për 2016?

Sot, në Shqipëri janë ndërtuar rreth 100 HEC-e private, të cilat prodhojnë rreth 20% të prodhimit të brendshëm, megjithatë duhet theksuar se Shqipëria është një vend deficitar, që do të thotë se nevojat e vendit mbulohen duke importuar nga jashtë vendit me procedura tenderimi. Në këtë kuadër kuptohet se vendi ka nevojë për rritjen e kapaciteteve të prodhimit dhe se rritja e këtyre kapaciteteve ka nevojë për politika mbështetëse ose të paktën jo penguese në këtë sektor. Kur duhet të merremi me planifikimin e rreziqeve ekonomiko-politike nuk mund t’i parashikojmë ato veçse si vazhdimësi e një sërë ngjarjeve të ndodhura gjatë vitit që shkoi dhe një tendencë gjithashtu e vënë re gjatë këtij fillimviti. Më poshtë po ju rreshtojmë një sërë masash të cilat u morën për këtë sektor gjatë vitit 2015.

– Nuk na u paguan faturat e energjisë së prodhuar dhjetor 2014, pas vendimit me efekt retroaktiv që mori ERE për uljen e çmimit të energjisë së blerë gjatë viteve të mëparshme 2013 dhe 2014. Ky vendim në shkelje të plotë me parimet juridike bëri që KESH sh.a. me një të rënë të lapsit të mos na kishte më detyrime të cilat kishte vite që nuk i paguante. Gjithashtu për këto fatura të mbajtura ne i kemi paguar shtetit TVSH, Tatim Fitim. Vlera të cilat nuk na kthehen dhe rëndojnë financat tona!

– Këshilli i Ministrave, për vitin 2015 nxori një VKM, e cila përcaktonte metodologjinë e përcaktimit të çmimit të blerjes së energjisë bazuar në bursën e Hungarisë HUPX, duke mos respektuar formulën e nxjerrjes së çmimit të energjisë për HEC-et e vogla përcaktuar në Ligjin nr. 138/2013 dhe që është në fuqi. Referenca tek bursa e Hungarisë për çmimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri kur dhe vetë Hungaria për energjinë e saj të rinovueshme nuk bën referencë te bursa e saj, e cila mbledh brenda të gjitha llojet e energjive, tregon një vendim jo me qëllim stimulues në sektor, por paralizues.

– Parlamenti pezulloi ligjin, i cili i klasifikonte si titull ekzekutiv faturat tona të energjisë, duke ulur fuqinë tonë për të kërkuar likuidimin e faturave në rrugë ligjore dhe të shpejtë ndaj KESH sh.a. Në këtë mënyrë, likuidimi i faturave tona të energjisë varet nga dëshira e mirë e KESH sh.a. për t’i likuiduar ato.

– Në dhjetor të 2015-s, ERE mori vendim që HEC-et e vogla të jenë subjekt i disbalancave që do të thotë se ne duhet të parashikojmë prodhimin tonë (prodhim i cili varet totalisht nga kushtet atmosferike sepse ne kemi skemën me derivacion dhe nuk kemi kapacitetet ujëmbledhëse me digë) dhe në rast se parashikimi i prodhimit orar ditor ndryshon nga ai i realizuar, ne duhet të paguajmë këtë kosto. Po si mund t’i parashikojmë ne reshjet kur në Shqipëri nuk kemi asnjë institucion, i cili mund t’i certifikojë ato. Kjo është një kosto shtesë që sektori të ngarkohet kur asnjë vend i Europës nuk e ka këtë praktikë, dhe për më tepër ky vendim është në kundërshtim të plotë me ligjin nr. 138/2013 për energjitë e rinovueshme, i cili është në fuqi dhe përcakton qartë se HEC-et e vogla nuk janë subjekt disbalancash. Në këtë rast, ERE merr kompetencat e ligjvënësit, duke mos respektuar ligjin në fuqi.

– Në dhjetor 2015, ERE ka hapur procedurat për përcaktimin e çmimit të blerjes së energjisë bazuar në formulën e Ligjit nr. 138/2013 për energjitë e rinovueshme, por kërkon të marrë në konsideratë një çmim të përcaktuar, i cili ndër të tjera lejon kthyeshmërinë e investimeve tona për një afat 15-vjeçar. Ndërkohë që gjatë procedurave të tenderimit për marrjen e koncesionit skualifikoheshin të gjithë ato projekte të cilat nuk e kthenin investimin në një periudhë 8-10 vjet. Gjithashtu dhe bankat nuk financojnë për projekte me periudhë kthim investimi mbi 8-10 vjet.

Pyetja ime është a ka investim ose investitor që pranon një çmim që e kthen investimin e vet për 15 vjet kur detyrimi për blerjen e energjisë në kontrata koncesionare është 15 vjet dhe koncesionari duhet gjithashtu të investojë 50% të vlerës së makinerive pas 15 vitesh (kusht i vendosur ky i fundit te të gjitha kontratat koncesionare në fuqi)?

Nga sa përshkruar më lart kuptohet që rreziku ynë është shumë i madh sepse këtu nuk është i qartë ende se cili do të jetë çmimi i blerjes së energjisë dhe fryma e cila i rrethon institucionet tona vendimmarrëse është përqendruar tek ulja e marzhit të fitimit të këtyre HEC-eve (deri dhe çuarje në faliment). Asnjë nga institucionet vendimmarrëse si Ministria, ERE etj., nuk duan ta kuptojnë që këto HEC-e janë ndërtuar nga ne dhe janë pronë e përbashkët privat-shtet dhe ne si investitorë e kemi të drejtë t’i shfrytëzojmë për një afat të përcaktuar dhe më pas t’ia dorëzojmë shtetit.

Vendimet e mara nga Këshilli i Ministrave dhe nga ERE janë në kundërshtim me Ligjin nr. 138/2013 dhe çfarë është më e keqa është se penalizojnë investimet në vend mbi rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe favorizojmë importin. Në këtë situatë, ne e shikojmë zgjidhjen e problemeve tona te drejtësia dhe te shteti i së drejtës i cili respekton kontratat dhe marrëveshjet midis palëve. Prandaj unë do t’i përkufizoja si rreziqet dhe shanset për 2016 të lidhura ngushtë me funksionimin e sistemit të drejtësisë. Tashmë që ne i kemi bërë investimet, institucionet nuk respektojnë kontrata dhe ligjet në fuqi por e kanë mendjen te xhepat tanë, për t’i boshatisur ata sa më shpejt dhe në disa raste, edhe për t’i grisur.

 

Çfarë efekti pritet të japë zbatimi i ligjit të ri të energjisë dhe liberalizimi i tregut nëse ndodh?

Marrëdhënia jonë si prodhues të energjisë së rinovueshme rregullohet kryesisht nga Ligji për Energjitë e Rinovueshme nr. 138/2013, i cili është në fuqi që prej 2013, por nuk zbatohet. Ndërsa për sa i përket liberalizimit të tregut mendoj se do të duhet kohë që të kemi një liberalizim të tregut. Ky term nënkupton dhe do të funksiononte vetëm në prezencë të një numri të madh aktorësh për të shkëmbyer energji, pra ka sens në një liberalizim tregu rajonal. Për ne, efektet e këtij liberalizimi do të ishin shumë të mira, sepse produkti që ne i japim ekonomisë do të kishte vlerën reale rajonale të tregut dhe nuk do të ishte nevoja për ndërhyrje nga jashtë në një treg që rregullohet vetë.

Megjithatë dua të theksoj faktin se sot ekonomia shqiptare e merr shumë herë më lirë energjinë që prodhojnë HEC-et në vend se sa kur e blejmë në tregjet rajonale europiane, sepse ne i kthejmë mbrapsht tarifës që shteti na paguan Tatimet, Sigurimet, tarifa koncensionare, TVSH, kështu çmimi neto që ekonomia paguan është shumë më i vogël sesa ai i importit. Në fund të fundit, për t’u kthyer te pyetja çfarë sensi ka liberalizimi i tregut kur energjia që prodhohet në vend nuk stimulohet (me pretekstin se po kursejmë disa fonde sot, edhe pse nuk ka gjë që këto fonde i dërgojmë jashtë për importe) dhe kapacitetet nuk rriten. Në një treg të liberalizuar rajonal, nesër nuk përfitohet vetëm duke marrë çmimin më të ulët, por edhe duke shitur sa më shumë energji të prodhuar në vend për të kaluar kështu nga një vend deficitar në një vend me surplus.

 

Sa do të rritet prodhimi nga koncesionarët e vegjël dhe si parashikohen normat e fitimit për kompanitë?

Duke u nisur nga një vit i thatë që kemi kaluar do të thoja se pritshmëritë tona janë disi më pozitive për sa u përket reshjeve në vitin 2016. Ndërsa në lidhje me futjen e kapaciteteve të reja në sistemin prodhues do të thoja se nuk presim rritje të këtyre kapaciteteve sepse paqartësia e krijuar nga politikat e ndërmarra ka dëmtuar rëndë besueshmërinë e institucioneve financiare në vend për të financuar, si dhe ka larguar investitorët nga sektori.

Sado që retorikat politike mund të kundërshtojnë, ne shohim se në 2015 kemi shumë pak ose aspak HEC-e të reja të inauguruar, në ndryshim me vitet 2013 dhe 2014, ku pjesa më e madhe e HEC-eve ekzistues kanë filluar nga puna në këtë periudhë.

Në lidhje me normën e fitimit është e qartë se ajo vjen tashmë çdo vit dhe më shumë në ulje, duke larguar investimet në sektor. Faktorët që ndikojnë janë rritja e tatim fitimit nga 10-15%, gjithashtu referenca e çmimit të blerjes te bursa e Hungarisë edhe për 2016 dhe më pas llogaritja e çmimit afatgjatë nga ERE midis të tjerash bazuar tek kthyeshmëria e investimeve për një periudhë 15-vjeçare do t’i ulte të ardhurat në masën 20-30% krahasuar me 2014. Futja e HEC-eve si subjekte të disbalancave do të rëndonte në kosto HEC-et duke ulur çmimin e blerjes në masën 15-20%

Për shkak të faktorëve të mësipërm, të ardhurat e HEC-eve do të uleshin në masën 45% dhe do të rriteshin për shkak të pritshmërive më të mira për reshjet gjatë 2016 në masën 15%. Në neto, të ardhurat dhe për rrjedhojë norma e fitimit do të ulej në masën 30% krahasuar me vitin 2014.

 

A po ndjek qeveria modelin e duhur ekonomik për të nxitur investimet në këtë sektor dhe çfarë mund të përmirësohet?

Nga sa përshkuar edhe në pyetjet e tjera është e qartë që qeveria nuk po ndjek modelin e duhur ekonomik për shkak të paqartësive dhe konfuzionit që ekziston në sektor në lidhje me përcaktimin e çmimit afatgjatë të blerjes së energjisë. Një fakt tjetër është dhe mosrespektimi i ligjit në fuqi nr. 138/2013 për energjitë e rinovueshme si me VKM që i bëjnë referencë bursës së Hungarisë HUPX për përcaktimin e çmimit si me marrjen e kompetencave të ERE-s në përcaktimin e çmimit (sepse është ERE ajo që përcakton çmimin me ligj dhe jo qeveria).

Megjithatë, një fakt pozitiv është se pagesat e faturave për 2015 kanë qenë brenda afateve kontraktuake dhe ne shpresojmë që kjo tendencë të vazhdojë edhe për 2016. Gjithashtu, në kuadër të përmirësimeve që duhet të bëjë qeveria, unë do të sugjeroja që këndvështrimi i saj të mos jetë i ngushtë dhe të fokusohet te financat që nxjerr për të na paguar energjinë që ne prodhojmë por të fokusohet edhe tek investimet që ne i kemi dhënë ekonomisë (rreth 400 milionë euro deri më tani) si dhe tek investimet e mundshme qindra miliona euro që presin për t’u futur në një ekonomi ku respektohen kontratat.

Gjithashtu, qeveria, në kuadër edhe të luftës ndaj korrupsionit duhet të shikojë se rritja e prodhimit të brendshëm të energjisë ul numrin e tenderëve për blerje energjie jashtë dhe mundësinë për abuzime në to. Ministria e Financave duhet ta shikojë koston që ekonomia ka për pagesën e energjisë ndaj prodhimit vendas duke i krahasuar ato me koston që ka kur e blen atë jashtë vendit dhe nuk merr asnjë taksë mbrapsht nga kompanitë prodhuese të huaja, të cilat ndryshe nga ne kanë një çmim të garantuar nga shtetet e tyre, më të lartë sesa i yni.

Ne mendojmë se nuk ka nevojë për kreativitet, mjafton që qeveria të marrë një model rajonal për stimulimin e energjisë së rinovueshme dhe të marrë gjithashtu përvojën e duhur nga kolegët europianë që janë të interesuar për prodhimin e brendshëm dhe jo importimin e energjisë nga jashtë si pjesë e lobingjeve të ndryshme. Ne kemi kërkuar me insistim uljen në tavolinë në nivele ekspertesh, ku të ofrojmë eksperiencat europiane në lidhje me problematikat e sektorit, po asnjëherë nuk jemi dëgjuar nga organet vendimmarrëse. Shpresojmë dhe kërkojmë që qeveria ta ketë një vesh edhe tek interesat e investitorëve në këtë sektor, sepse ato, edhe pse janë në kundërshtim me interesat e tregtarëve që importojnë energji në vend, janë në përputhje me interesat afatgjatë të konsumatorëve shqiptarë. /Monitor/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura