Rikthimi i fajdeve, Xhepa e Preçi: Bankat me fitime edhe pa kredi

Jul 18, 2017 | 12:27
SHPËRNDAJE

Banka e Shqipërisë e etikon si “burime alternative financimi”, por kërkesa e bizneseve dhe e qytetarëve për para jashtë sistemit bankar është thjesht rikthimi i fajdeve. Situata, sipas raportit të fundit, po bëhet problematike, dhe alarmin e japin vetë bankat, të cilat ndihen “të konkurruara”. Për dy nga profesorët e ekonomistët, Zef Preçi dhe Selami Xhepa, situata e krijuar po kthehet në serioze.

Ekonomistët e shikojnë si shqetësuese faktin që bankat nuk u përgjigjen kërkesave të biznesit dhe qytetarëve për financime. Për presidentin e Institutit “Pashko”, Selami Xhepa, është shqetësuese që sistemi bankar nuk reagon ndaj një situate të tillë, duke ndjekur një politikë shtrënguese në kredidhënie dhe duke drejtuar indirekt biznesin drejt burimeve të tjera financimi. Ndërsa Preçi ngre dyshimin nga vijnë këto para jashtë sistemit bankar. Nga ana tjetër, Preçi nënvizon se bankat, edhe në këtë situatë, ia kanë arritur që të ruajnë fitimet e veta.

Selami Xhepa e Zef Preçi
Selami Xhepa e Zef Preçi

Banka e Shqipërisë raporton për një rritje të fenomenit të “gjetjes alternative të burimeve të financimit” nga bizneset. Si ndikon kjo në ekonomi?

Selami Xhepa: Fakti që sektori privat i ekonomisë kërkon burime alternative investimi ose financim të investimeve jo përmes kanaleve formale, është një shenjë shqetësuese. Së pari, sistemi bankar nuk është reagues pozitiv ndaj kërkesave të biznesit për investime për një mori arsyesh, qoftë për shkak të rregullave të tepruara apo kërkesave të tepruara, kërkesave të kolateralit, normave të larta të interesit etj., gjë që bën që biznesi t’u drejtohet mënyrave joformale. Kjo nuk është shenjë e mirë dhe nëse përmasat e këtij fenomeni mund të zgjerohen, mund të kthehet në diçka të rrezikshme në veçanti për vetë sektorin privat apo për individin që përfshihet në skema të tilla.

Zef Preçi: Mendoj se ky fenomen duhet lexuar në dy plane.

Së pari, është pozitive që ekonomia ka filluar të absorbojë fonde, d.m.th. që biznesi ka zgjeruar aktivitetin dhe për plotësimin e nevojave shtesë, kryesisht për mjete qarkulluese (jo për investime) i drejtohet tregut. Në rastin konkret, tregut informal të kredisë. D.m.th. kjo veprimtari dëshmon mungesën e suksesit (për të mos thënë dështimin) e politikave të ndjekura gjatë 7-8 viteve të fundit për të reduktuar “kreditë e këqija”:

Së dyti, vlen të theksohet se ky fenomen, pavarësisht emrit që përdoret, në thelb shpreh shkeljen e ligjit sa i takon të drejtës së grumbullimit dhe përdorimit të kursimeve monetare të popullatës apo depozitave të qytetareve. Siç dihet qysh nga viti 1997, janë bërë ndërhyrje serioze në kuadrin ligjor që rregullon grumbullimin e parave, duke përfshirë “paratë me fajde”.

Në vlerësimin tim, rritja e peshës së parave që investohen në ekonominë tonë kombëtare nga ky burim, tregon se ekziston një ofertë monetare e lartë e parave të lirë te xhepat e popullsisë, në kasafortat e individëve të ndryshëm, duke përfshirë “të fortët”, individët e përfshirë në hallkat e ndryshme të kultivimit, përpunimit dhe tregtimit brenda dhe jashtë vendit të “cannabis sativa”, por edhe të parave që disponohen nga grupe të tjera të lidhura me pushtetin me burim veprimtarinë korruptive etj.

Më herët, sidomos gjatë 12 muajve të fundit, është vënë re edhe fenomeni i mbiçmimit të monedhës vendase, gjë që flet për ofertën e pazakontë dhe të lartë monetare në monedhën europiane. Vlen të theksohet se kjo ndodhi në kushtet kur është vënë re edhe tërheqja nga bankat tregtare e një sasie të madhe parash gjashtë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme të para tri javëve. Ky efekt mbi kursin e këmbimit duket se është ndikuar edhe nga investimet me burime të ligjshme publike dhe private, por edhe nga ato informale për shkak të procesit zgjedhor në fjalë, edhe pse zyrtarisht pranohet me gjysmë zëri.

Ashtu si dhe në të shkuarën e afërt, zgjerimi i tregut informal të kredisë tregon edhe për mungesë besimi në institucionet publike të vendit (p.sh. në sistemin e drejtësisë, në administratën publike, gjykatat etj.). Për shkak edhe të reformave të shpallura nga qeveria dhe të mbulimit mediatik shumë herë propagandistik gjatë tri-katër viteve të fundit, këto institucione janë konsideruar si joefektive, të korruptuara dhe si pengesa serioze në të bërit biznes në Shqipëri.

Po kështu të drejtat e pronës nuk janë ende të garantuara nga institucionet shtetërore; zbatimi i pamjaftueshëm i legjislacionit dhe kuadri rregullator; barra fiskale etj., janë probleme të evidencuara nga studimet tona mbi klimën e biznesit në vend, që favorizojnë jo vetëm praninë ende relativisht të gjerë të sektorit informal, por edhe zgjerimin e tij si në rastin në fjalë. Këto pengesa të të bërit biznes paraqesin faktorë të rëndë- sishëm në përcaktimin e ekonomisë informale në Shqipëri, edhe pse disa përmirësime janë shënuar vitet e fundit.

Shtrëngimi i kushteve të kreditimit, mund të çojë në riaktivizimin e skemave piramidale? (Në rastin e individëve është gati gjysma që marrin para borxh jashtë sistemit bankar).

Selami Xhepa: Pa asnjë dyshim. Arsyeja thelbësore përse individët apo kompanitë i drejtohen jo sistemit bankar, lidhet kryesisht me faktin që kërkesat që paraqet sistemi bankar për kredimarrësin janë shumë më të forta. Bankat kanë filluar të jenë gjithnjë e më të kujdesshme në marrëdhëniet me sektorin privat.

Normat e tyre të interesit janë tepër të larta; gjë që unë mendoj se në kushtet kur normat e interesit për depozitat janë pothuajse zero, në gjykimin tim ruajtja e normave kaq të larta të interesit është e pajustifikueshme dhe në njëfarë kuptimi i bën bankat të mos jenë ndihmuese për ekonominë, por më shumë të shikojnë interesat e aksionerëve të tyre.

Zef Preçi: Mendoj se nuk jemi në situatën klasike të piramidave të vitit 1997 për disa arsye. Kjo sepse prej asaj kohe janë ndërtuar një rrjet institucionesh shtetërore që kanë akses në fluksin e informacionit mbi qarkullimin e parasë, sepse qytetarët janë disi më të ndërgjegjshëm për rreziqet që paraqet ky proces etj. Ajo që mendoj se është specifike në rastin në fjalë është shfrytëzimi i shtigjeve ligjore që mundë- sojnë paratë me fajde, p.sh., kontratat noteriale midis palëve; burimet e parave që investohen – vlerësohet “a priori” se një pjesë e mirë vijnë nga aktivitete kriminale dhe të lidhura me korrupsionin; numri i kufizuar i “lojtarëve”, d.m.th. i poseduesve të ofertës monetare etj.

Kjo sa i takon biznesit. Ndërsa për individët, problemi mendoj se është pak ndryshe. Mendoj se individët i drejtohen këtij tregu për shkak të burokracisë që paraqet marrja e huave bankare, kostove të fshehta që imponojnë bankat tregtare, mungesës së transparencës për kushtet e huasë të këtyre të fundit etj. Por këtu mendoj se ndikon edhe fakti se përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të nxitur zgjerimin e kreditimit nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit kanë bërë që depozituesit në shuma të vogla të bëhen përherë e më pak të interesuar të depozitojnë paratë përkohësisht të lira dhe kursimet e veta në bankat tregtare.

Kjo për arsyen e thjeshtë se çfarëdo uljeje e normës bazë të interesit në tregun ndërbankar ka bërë që të ulet dukshëm dhe menjëherë norma e interesit për depozitat dhe shumë më pak të ulët norma e interesit për kreditë bankare. Për rrjedhojë, bankat janë përpjekur (dhe ia kanë arritur) që të ruajnë fitimet e veta, dhe kjo ka ndodhur edhe pse kreditimi i ekonomisë reale është zgjeruar në nivele shumë simbolike…

Si duhet të sillen bankat e nivelit të dytë në këtë klimë?

Selami Xhepa: Ekonomia ka nevojë për një balancim të interesave dhe vetë bankat ose modeli i sjelljes së bankave duhet të jetë disi i ndryshëm, që do të thotë që në periudhat e rritjes ekonomike, bumit, atëherë bankat duhet të jenë më të kujdesshme, ndërsa në kohën e tkurrjes duhet të jenë më ekspansioniste. Në momentet aktuale, kur ekonomia vazhdon të ketë probleme të zgjerimit të kërkesës së brendshme, kur ekonomia vazhdon të jetë në ritmet e ulëta të rritjes dhe në veçanti kur vijon të mbetet në nivele shumë minimaliste, mendoj që strategjia e bankës duhet të jetë disi më agresive.

Pra, bankat duhet të rriskojnë, njësoj si segmentet e tjera të ekonomisë. Nuk mundet që të jenë gjithmonë në anën e fitimtarit. Ato duhet të përmbushin edhe një mision, shërbimi ndaj agjentëve të tjerë ekonomikë, sepse bankat nuk janë si çdo biznes tjetër.

Zef Preçi: Mendoj se në situatën e krijuar nevojitet një qëndrim më dinamik i Bankës së Shqipërisë për të fuqizuar mbikëqyrjen e bankave tregtare, por edhe për të harmonizuar politikën monetare me politikat fiskale të qeverisë. Kështu mendoj se në kushtet e tërheqjes së parave nga bankat tregtare për shkak të normës së ulët të interesit, qeveria mund të rishikojë politikën tatimore të saj për të inkurajuar kursimet dhe investimet, duke iu larguar politikave fiskale populiste (siç ishte p.sh., heqja e tatimit mbi biznesin e vogël), por duke tentuar adaptimin e modeleve funksionale që mundësojnë formalizimin e ekonomisë dhe krijimin e lehtësirave ndaj të bërit biznes dhe rritjen e sigurisë juridike sidomos të investimeve të mëdha që kanë impakt në importimin e teknologjisë bashkëkohore, zgjerimin e punësimit dhe rritjen e fuqisë konkurruese të ekonomisë sonë kombëtare në tërësi.

Ndërsa bankat tregtare mendoj se duhet të tregohen më të kujdesshme në përzgjedhjen e klientëve të tyre, të diversifikojnë portofolin e shërbimeve që ofrojnë, të shtrihen edhe në aktivitete të tilla, si prodhimi bujqësor e blegtoral, pemëtaria, industria agro-ushqimore etj. Po kaq e rëndësishme mbetet që bankat tregtare të respektojnë me rigorozitet ligjet sa i takon pastrimit të parave etj., përveçse shkelin ligjin, deformojnë konkurrencën në treg midis bankave, por edhe cenojnë rëndë besimin e depozituesve dhe huamarrësve ndaj tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura