Rikthehen infektimet/ Çfarë nënkuptojnë dy nënvariantet e reja më ngjitëse të Omicron për pandeminë e koronavirusit? Ja ç’duhet të dimë

Jun 24, 2022 | 10:09
SHPËRNDAJE

Mutacioni Omicron i koronavirusit është rikthyer falë dy varianteve të reja, edhe më ngjitëse të quajtura BA.4 dhe BA.5.

Banorë-të-Tiranës-me-maska-anti-COVID-19-kalojnë-vizat-e-bardha-Foto-Nesni-Bogdani-960x600

Sipas ekspertëve, këto nënvariante duket se janë në gjendje të përhapen më lehtë edhe tek njerëzit e vaksinuar që janë më imun ndaj Omicronit të mëparshëm ose varianteve të tjera të virusit.

Kanë kaluar pak javë nga vala mbarëbotërore e infeksioneve të shkaktuara nga Omicron 2 (BA.2) dhe dy “degë” të reja të të njëjtit variant po fitojnë vazhdimisht terren ndërkombëtarisht.

Ato u shfaqën për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe që atëherë janë zbuluar në dhjetëra vende.

Indikacionet e para janë se të dyja transmetohen më shpejt se Omicronët e mëparshëm, por – të paktën deri tani – rritja e re e rasteve nuk është shoqëruar me një rritje korresponduese të shtrimeve në spital dhe vdekjeve, një tregues që popullata ka fituar një shkallë imuniteti, ose për shkak të vaksinave, ose për shkak të një infeksioni të mëparshëm, ose të dyjave (imuniteti hibrid).

Revista shkencore “Nature” prezantoi përmes disa pyetje-përgjigjeve atë që dihet deri më tani për dy anëtarët e rinj të “familjes ” së Omicron dhe çfarë mund të nënkuptojnë ata për evolucionin e pandemisë Covid-19.

* Çfarë janë BA.4 dhe BA.5?

Dy nënvariantet e reja janë më të ngjashme me Omicron 2 (BA.2) sesa me origjinalin (BA.1). Por ata mbartin mutacionet e tyre unike, duke përfshirë ndryshimet (të quajtura L452R dhe F486V) në proteinën e virusit, ndoshta duke lehtësuar lidhjen e tij me qelizat njerëzore dhe rezistencën e tij.

* Pse nënvariantet e reja po fitojnë terren në mbarë botën?

Zakonisht avantazhi i një virusi është se ai ka pësuar ndryshime biologjike që e lejojnë atë të infektojë më shumë njerëz më shpejt. Në rastin e BA.4 dhe BA.5, duket se përhapja e tyre është kryesisht për shkak të aftësisë së tyre për të infektuar njerëzit që janë imun ndaj formave të mëparshme të Omicron dhe varianteve të tjera të koronavirusit .

* Çfarë ndikimi do të kenë BA.4 dhe BA.5 në shoqëri?

Dhe kjo ndoshta do të ndryshojë nga vendi në vend. Për shembull, pavarësisht shumë rasteve të reja, Afrika e Jugut ka parë vetëm një rritje të vogël të shtrimeve në spital dhe vdekjeve gjatë valës së re.

Por vendet e tjera duket se janë më të prekura. Në Portugali, për shembull, ku normat e vaksinimit dhe dozat përforcuese janë shumë të larta, nivelet e shtrimit në spital dhe të vdekjeve tani janë të ngjashme me ato gjatë valës së parë të Omicron (edhe pse shumë më e ulët se në Delta dhe variantet e tjera). Një shpjegim i mundshëm është profili demografik i Portugalisë dhe përqindja e madhe e të moshuarve që janë më të prekshëm ndaj sëmundjeve serioze.

* Sa mirë funksionojnë vaksinat kundër nënvarianteve të reja?

Studimet laboratorike tregojnë se antitrupat pas vaksinimit janë më pak efektivë kundër BA.4 dhe 5, krahasuar me nënvariantet e mëparshme të Omicron si BA.1 dhe 2.

Edhe njerëzit me imunitet hibrid prodhojnë antitrupa që është e vështirë të neutralizojnë BA.4 dhe 5.

* Çfarë do të vijë me shpërthimet e reja të infektimeve?

“Të gjithë mund të bëjnë supozimet e tyre. “Parada” e varianteve Omicron pritet të vazhdojë, me të rejat që i japin goditje të reja imunitetit ekzistues. “Askush nuk mund të thotë se BA.4 dhe 5 do të jenë nënvariacionet e fundit. Ka shumë të ngjarë që të shfaqen variante shtesë të Omicron” tha Kay Sato, një profesor i virologjisë në Universitetin e Tokios.

Një tjetër mundësi, sipas virologut të Universitetit të Kembrixhit, Ravindra Gupta, është shfaqja e një varianti të ndryshëm(jo Omicron) të familjes së koronavirusit SARS-CoV-2.

Infeksionet e vazhdueshme Omicron mund të krijojnë përfundimisht imunitet të gjerë ndaj tij, duke hapur një “dritare” për një variant krejtësisht të ndryshëm.

Por sipas shkencëtarëve të tjerë, sa më gjatë të vazhdojë të dominojë “familja” e Omicron, aq më pak ka gjasa që të shfaqet një variant krejtësisht i ri i infeksionit kronik.

Shkencëtarët gjithashtu nuk kanë asnjë garanci se çdo variant i mëvonshëm do të jetë më pak vdekjeprurës, pasi, sipas Satos, viruset nuk evoluojnë domosdoshmërisht për t’u bërë më pak vdekjeprurëse.

Është gjithashtu e paqartë se kur do të shfaqet një variant i ri.

Pyetja e madhe, sipas Althaus, është nëse simptomat e Covid-19 do të bëhen gjithnjë e më të lehta dhe nëse Covid-19 i gjatë do të shndërrohet në një problem serioz të shëndetit publik.

Përshtati Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura