Ribashkimi i Gjermanisë si një ngjarje e shënuar historike – 3 Tetor 1990

Oct 3, 2019 | 9:36
SHPËRNDAJE

Xhezair Zaganjor

Nga Xhezair Zaganjori

Ribashkimi i Gjermanisë më 3 Tetor të vitit 1990 është padyshim një nga ngjarjet historike më të mëdha të shekullit që kaloi. Si e tillë, ajo ishte dhe mbetet tepër e rëndësishme jo vetëm për Gjermaninë, por për mbarë Europën dhe më gjërë, për gjeneratat e tanishme dhe ato që do të vijnë.

Shembja e Murit të Berlinit 30 vjet më parë, më 9 Nëntor 1989, e në vijim ribashkimi de jure i popullit gjerman të ndarë në dy shtete pas Luftës së Dyte Botërore, shënojne kalimin nga një epokë në një tjetër. Ato simbolizojnë ngadhnjimin e vullnetit suprem popullor mbi interesat meskine të botës së vjetër, fitoren e lirisë mbi robërinë, të demokracisë mbi totalitarizmin, të vlerave njerëzore mbi psikologjinë antihumane, të ekonomisë së tregut të lirë mbi ekonominë e centralizuar. Pikërisht për këto arësye, ato u bënë burim shprese, kurajoje e frymëzimi për ndryshime thelbesore për shumë popuj të shtypur e të izoluar, veçanërisht në diktaturat ish komuniste, përfshire këtu sigurisht edhe Shqipërinë.

Ato shënojnë gjithashtu edhe përfundimin e konfrontimit të rrezikshëm mes shteteve në kuadër të të ashtuquajturës Luftë e Ftohtë si dhe fillimin e një bashkëpunimi të frytshëm në një plan shumë më të gjërë global, në dobi të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, të dy keto ngjarje të lidhura aq ngushtë me njëra tjetrën, përkujtohen e festohen gjërësisht edhe përtej kufijve të Gjermanisë. Ato mbeten si momente të rëndësishme orientimi për ndryshim, mirënjohjeje e reflektimi të thellë në rrugën e gjatë e të vështirë të angazhimit për konsolidimin e demokracisë, të shtetit të së drejtës si dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të individit.

Natyrisht që faktorët që çuan në ribashkimin e Gjermanisë janë të shumtë. Ato nuk mund të kufizohen thjesht vetëm tek zhvillimet në ish Gjermaninë Lindore pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Që nga krijimi i dy shteteve gjermane pas Luftës së Dytë Boterore, Gjermania Federale, me një politikë të qartë,  parimore e vizionare ka kërkuar e ka luftuar demokratikisht e në mënyrë të vazhdueshme për ribashkimin paqësor të popullit gjerman. Kështu për shembull, në preambulen e Ligjit Themelor (Kushtetutes) të RFGj, miratuar nga Konventa Kushtetuese e RFGjermane në Bon më 23 Maj të vitit 1949, kushtetutë që është në fuqi edhe sot, thuhet qartësisht ndër të tjera se ajo duhet të zbatohet për të gjithë popullin gjerman, pra edhe në të gjashtë Landet e Gjermanisë Lindore, duke nënkuptuar bashkimin e pashmangshëm të tyre në të ardhmen.

I njëjti deklarim përmendet shprehimisht edhe në pikat 5 dhe 6 të nenit 23 të Ligjit Themelor. Më pas, ky objektiv u pasqyrua në programet dhe objektivat politike të pothuajse të gjitha partive, Kancelarëve dhe personaliteteve të tjera të jetës politike e shtetërore gjermane. Mes tyre padyshim që mund të veçohej Vili Brand, i cili, ne vitet 70’, përpunoi për herë të parë dhe kërkoi zbatimin konseguent të të ashtuquajturës Ostpolitik, që në thelb nënkuptonte kontaktet dhe bashkëpunimin e Gjermanisë Federale me vëndet e lindjes, e në mënyrë të veçantë me Gjermaninë Lindore.

Ikonik në këtë drejtim është gjithashtu fjalimi dhe rënia në gjunjë e tij në Warshavë para memorialit ne kujtim te viktimave të Luftën se Dytë Botërore, si shenjë e përgjegjësisë së padiskutueshme morale dhe e ndjesës së thellë të Gjermanisë dhe popullit gjerman për vrasjet, krimet dhe fatkeqësitë e pafund që nazistët i shkaktuan popullit polak gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, prologu i bashkimit gjerman janë kryesisht ngjarjet e viteve 80’, gjatë së cilës President dhe Kancelar të RFGjermane ishin respektivisht Richard von Weizsacker dhe Helmut Kohl, burra shteti e personalitete të jashtëzakonshme politike, arkitekte të padiskutueshëm të ribashkimit gjerman.

Që me zgjedhjen e tij në vitin 1982, Kancelari Kohl e kuptoi se zhvillimi i RFGjermane dhe siguria e saj dhe e gjithë Europës Perëndimore vareshin kryesisht nga bashkëpunimi sa më i mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pikërisht për këte arësye, që në fillim, ai krijoi marredhënie tepër të ngushta me Presidentin amerikan Ronald Regan. Ndër të tjera, ai ju përgjigj pozitivisht propozimit amerikan për vendosjen e raketave me rreze të mesme veprimi Cruis dhe Pershing II në territorin e RFGj, si kundërpërgjigje ndaj politikes sovjektike për militarizimin ekstrem të Gjermanisë Lindore dhe rrezikut eminent të përfshirjes ne një konflikt të mundshëm vëllavrasës. Ideja largpamëse e Kancelarit gjerman ishte e qartë, se vëtëm një NATO e forte mund të përballonte rrezikun rus dhe mund ta detyronte atë, ashtu sic edhe ndodhi më vonë, të ulej në tavolinën e bisedimeve për të marrë masa konkrete në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Europe.

E nje rendesie historike do te ishte edhe vizita e perbashket e Presidentit francez Miteran dhe Koncelarit Kohl me 22 Shtator 1984 ne Verdun, fushen me te pergjakshme te betejes mes dy popujve ne rrjedhen e gjate te historise, brenda se ciles jane vrare miliona njerez. Vetem ne Luften e pare boterore, ne kete hapesire prej disa kilometer katrore te territorit francez, humben jeten rreth 700 mije ushtare nga dy palet nderluftuese. Ne Luften e dyte Boterore, aty luftoi edhe vete Miteran, e nga ana kundershtare edhe babai dhe vellai i Helmut Kohl. Dhe simbolika politike  qe u percoll gjate kesaj vizite eshte e jashtezakonshme.

Perlotja dhe kapja instiktivisht per dore  e ketyre dy burrave te shtetit para nje arkivoli ne kujtim te te gjithe te  reneve ne kete fushebeteje, eshte mesazhi me i mire, me i forte  dhe me i qarte per gjeneratat qe do te vijne, se armiqesia dhe pergjakja shekullore mes popullit gjerman e francez ka marre fund. Ne vend te saj do te kete miqesi te perhereshme e bashkepunim te ngushte e konstruktiv jo vetem ne planin bilateral, por edhe angazhim te perbashket e serioz per ndertimin e nje Europe te orientuar teresisht e ne menyre te vazhdueshme per paqen, sigurine, zhvillimin ekonomik dhe mireqenien e te gjithe qytetareve te saj.

Po keshtu, mund te vecohet edhe fjalimi i shkëlqyer Presidentit Weizsacker  në Bonn më 8 Maj 1985 me rastin e 40 vjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, i cili eshte cilesuar “ si revolucion në mendimin gjerman të pasluftës”, pasi krijoi bazën e nevojshme të orientimit dhe filozofisë gjermane për ribashkim.  Fjalimi nxiti popullin dhe politiken gjermane për të vlerësuar me seriozitet dhe për ta pare të vërtetën e hidhur të periudhës nacional – socialiste në sy.  Ai i bëri ata “..të marrin fryme lirisht dhe të ndërgjegjësohen edhe më shumë për përgjegjësitë e luftës, të vlerësojnë objektivisht të shkuarën dhe të shohin me optimizëm e plot besim të ardhmen”. Weizsacker artikuloi qartësisht përgjegjësite historike të Gjermanisë e gjermanëve për krimet e kryera nga nazistët, veçanërisht ndaj çifutëve.

Ndër të tjera,ai theksoi se “… Të gjithë ne, fajtorë ose jo, të rinj apo të vjetër, duhet ta pranojme të shkuarën. Të gjithë duhet ta kuptojmë se sa e rëndësishme është të mbajmë gjallë memorien, sepse kush i mbyll sytë të shkuarës, bëhet i verbër për të tashmen”. Ai pati kurajon ta cilësonte 8 Majin e vitit 1945 jo si ditë të kapitullimit pa kushte, por si ditë të çlirimit edhe për Gjermaninë e popullin gjerman, gjë që provokoi jo pak debate në Gjermani,  por nga ana tjetër edhe mbështetje e vlerësime pa kufi në ShBA e vende të tjera të botës demokratike. Ambasadori i  Izraelit në Bonn do ta cilësonte këtë fjalim një moment impresionues e lavdie për popullin gjerman.

Faktor mjaft i rëndësishëm në ç’tensionimin e marrëdhënieve ndërkombëtare e në veçanti të atyre ndërgjermane ishin edhe ndryshimet e rëndësishme politike që u bënë në ish Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1986, Mikhail Gorbaçov zgjidhet Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të BS. Reformat kryesore që ai ndërmerr me emrin “Perestrojka” e “Gllasnost”, i hapën rrugën ndryshimeve të mëdha jo vetëm në planin e brëndshëm, por edhe atë ndërkombëtar. Mund të përmendet këtu angazhimi i tij për tu takuar e për të bashkëpunuar seriozisht me Presidentin amerikan Ronald Regan për çështje të rritjes së besimit të ndërsjellte dhe marrjen e masave efektive mbi probleme të sigurisë dhe të çarmatimit në Europë; eleminimin progresiv të arsenalit bërthamor, duke filluar me armët me rreze të mesme veprimi; nxitjen e dialogut Lindje –Perëndim, e të tjerë.

Me rëndësi të veçantë gjithashtu është vizita e Gorbaçovit ne Finlandë në vjeshtën e vitit 1989, gjatë së cilës ai, duke kundërshtuar doktrinën e Brezhnjevit mbi sovranitetin e kufizuar brënda kampit socialist, bëri deklarimin e qartë se Bashkimi Sovjetik nuk e ka më të drejtën politike e morale të ndërhyjë si më pare në çeshtjet e brëndshme apo të jashtme  të vendeve të Lindjes. Pak më vonë, zëdhënësi i tij do të theksonte me shaka se Moska ka vendosur që me vëndet e ish kampit socialist të zbatojë“Doktrinen Sinatra”, frymëzuar nga kënga e njohur “I Did It My Way” te këngëtarit legjendar amerikan Frank Sinatra. Dhe në fakt, për shkak të kësaj fryme te re, në vitet 1987-1989, dy Gjermanitë përfunduan mes tyre disa marreveshje të rëndësishme bashkëpunimi në fushat e kultures, arsimit e kërkimit shkencor.

Megjithatë, në këtë kohe, Gorbaçov as që e mendonte ribashkimin e shpejtë të Gjermanisë. Kjo ishte konstatuar qartësisht edhe gjatë vizitës së Kancelarit Kohl në Moskë më 24 Tetor 1988. I pyetur nga gazetarët e shumtë për takimin e tij të pare me Gorbachov, Helmut Kohl do te përgjigjej se bisedimet ishin mjaft të mira e konstruktive, por që ende çështja e ribashkimit gjerman mbetej një“Empire of Fantasy”. Por ndërkaq, Kancelari gjerman e kishte prekur temën e ribashkimit me mjaft finesë e kujdes në takime e aktivitete të shumta brënda e jashtë Gjermanisë. Kështu për shëmbull, gjatë vizitës që Honeker do të bënte për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermaninë Federale në vitin 1987, Kancelari Kohl do ti thoshte ndër të tjera atij se “Ne i respektojmë kufijte e sotëm, por ne duam shumë që me mjete paqësore dhe përmes një procesi bashkëpunimi reciprok, ti japim fund ndarjes së vendit. Ne kemi përgjegjësi të përbashkët për të mbrojtur interesat jetësore të kombit tonë”.

Padyshim që klima e re e detantës dhe bashkëpunimit në planin global, veçanërisht mes dy superfuqive, zgjoi shpresat dhe ëndrrat e masave të gjëra popullore në vëndet e Lindjes, për reforma të qënësishme politike e ekonomike në vënd si dhe për më shumë të drejta e liri individuale. E kjo padyshim që natyrshëm do të ndjehej më shumë se kudo tjetër në Gjermaninë Lindore, pavarësisht se shkëndijat e para të fuqishme kundër totalitarizmit komunist ishin dhënë nga lëvizja punëtore “Solidarnost” me në krye Leh Valesen në Poloni si dhe i ashtuquajturi “revolucion i butë”, i drejtuar nga shkrimtari dhe intelektuali i shquar çek Vaclav Havel.

Prandaj gjatë gjithë vitit 1989, ka një sërë protestash paqësore të mijëra e mijëra qytetarëve në Berlin, Drezden, Leipzig, e të tjerë. Temë qëndrore në këto tubime jane ribashkimi gjerman, duke u përdorur parulla politike “Ne jemi një popull”, si edhe kërkesat për lirinë e fjalës, lirinë e shtypit dhe lirinë e organizimit, pra pluralizmin politik. Ndërkaq, për shkak të humbjes së qetësisë e nervozizmit të pushtetit në Lindje, ka edhe përplasje, dhunë e të arrestuar të shumte. Përveç sa më sipër, në verën e vitit 1989, ka me qindra e qindra qytetarë gjermano lindorë që hynë në ambasadat e Gjermanisë Federale në Pragë e Budapest, duke kërkuar krijimin e mundësive të kalimit pa pengesa  në Perëndim, në drejtim të Gjermanisë ose Austrisë. Me 30 shtator 1989, pas angazhimit të drejtpërdrejtë mbi këtë çështje të ministrit dhe politikanit të shquar gjerman Hans Dietrich Gensher, autoritetet çeke dhe hungareze lejuan këtë kalim, gjë që në fakt ishte një goditje e rëndë për regjimin e Honekerit.

Në këto kushte protestat u shtuan edhe më shumë në Lindje, veçanërisht në Berlin, në një kohë që shihej qartë që Moska po mbante një qëndrim gjithnjë e më të ftohtë ndaj lidershipit politik të Gjermanisë Lindore. Me 18 Tetor 1989 Honeker detyrohet të japë dorëheqjen, duke u zëvendësuar nga Egon Krenz, i cili, për arësye propagandistike, shpalli menjëherë nje program të ri masash reformuese, përfshi këtu edhe lëvizjen e lirë të shtetasve gjermano-lindorë drejt Gjermanisë Federale. Por protestuesit nuk kishin besim, ndaj nuk mund të prisnin gjatë.

Duke përfituar edhe nga një lapsus në njoftimin lidhur me hartimin dhe hyrjen në fuqi të rregullimeve të reja mbi levizjen e lirë, me 9 Nentor 1989, në Berlinin Lindor, mijëra e mijëra qytetarë u dyndën në gjashtë pikat e kalimit kufitar me Perëndimin. Presioni popullor ishte i jashtëzakonshëm. Autoritetet ushtarake gjermano – lindore u detyruan të hapin fillimisht një nga pikat e kalimit, gjë që ishte e mjaftueshme për të krijuar ortekun e papërmbajtshëm të njerëzve që kërkonin lirinë. Të gjithë kaluan në anën Perëndimore të Berlinit. Perdja e hekurt u ça.

Muri ideologjik mes dy sistemeve, simbol i ndarjes se Gjermanise, i ndarjes se Europes e Botes, simbol i së keqes dhe i regresit, u shemb menjëherë, ndërsa muri fizik, i përbërë nga blloqet e shumta të betonit ndarës të Berlinit, ndërtuar që vitin 1961 nga udhëheqja komuniste e Gjermanisë Lindore, do të thërrmohej shumë shpejt e dita – ditës nga vetë masat popullore në të dy anët e tij. Pamjet që u dhanë me këtë rast ishin magjike e tepër emocionuese. Ato tronditën regjimet e vjetra dhe u bënë frymëzim për forcat progresiste në mbarë botën. Në Gjermaninë Federale filloi menjëherë marrja e masave për të realizuar ribashkimin e plotë e përfundimtar mes dy vendeve. Sigurisht që në këtë proçes tepër të rëndësishëm ato do të kishin mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjë që ishte vendimtare për të garantuar suksesin e padiskutueshëm të ribashkimit.

Dhe në fakt, të gjithë presidentët amerikanë të pasluftës pa përjashtim, ishin deklaruar qartësisht në favor të një Gjermanie të ribashkuar e demokratike. Mund të përmendet në mënyrë të veçantë me këtë rast fjala e Presidentit te shquar Kenedi në Berlin me 23 Qershor të vitit 1963, qe konsiderohet si fjalimi me i mire, me emocionues dhe me i fuqishem gjate gjithe Luftes se Ftohet. Duke shprehur qartesisht solidaritetin e ngushte dhe mbeshtetjen e pakursyer ndaj qytetareve te Berlinit Perendimor, te cilet jetonin te rrethuar ne te gjitha anet nga forcat ushtarake sovjetike te stacionuara ne territorin e Gjermanise Lindore, nder te tjera, ai do te bente deklarimin lapidar  se “ Ndersa dy mije  vjet me pare, krenaria me e madhe ishte  te thuhej  jam qytetar romak (civis romanum sum), sot, ne boten e lire, krenaria me e madhe  eshte te thuhet se une jam nje berlinez..Ndaj te gjithe njerezit e lire, kudo ku jetojne, jane njekohesisht qytetare te Berlinit.. Prandaj edhe une, si nje njeri i lire, kam kenaqesine te theksoj se jam nje berlinez (Ich bin ein Berliner)”.,  si simbol i qëndresës dhe nevojës për ribashkim e zhvillim te perbashket demokratik të këtij qyteti të ndarë padrejtësisht në dy pjesë. Po kështu, gjatë fjalës së tij në 1987, po në Berlinin Perëndimor, Presidenti Regan, duke ju drejtuar Gorbaçovit i bënte thirrje “të rrëzonte murin që ndante gjermanët”.

Edhe Presidenti Xhorxh Bush, në vitin 1989, deklaronte se ribashkimi i Gjermanisë duhet të varet vetëm nga vullneti i popullit gjerman. E vetëm tre ditë pas shembjes së murit, Presidenti Bush do të thërriste për konsultim mbi këtë çështje Sekretarin e Shtetit James Backer si dhe ekspertin e shquar amerikan të politikës së jashtme Henry Kissinger, lidhur me masat që duheshin marrë për mbështetjen e ribashkimit gjerman. Sigurisht që shqetësimi kryesor për politikën amerikane ne kete moment ishte impakti që mund të kishte ky proçes në NATO. Megjithatë, garancia më e madhe për këtë çështje ishte vetë Kancelari Helmut Kohl, i cili, ashtu si edhe më parë, kishte deklaruar qartësisht dhe menjëherë se do të angazhohej pa humbur kohë për përfshirjen e të gjithë Gjermanisë së bashkuar në këtë organizatë tepër të rëndësishme ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, duke lobuar mbi këtë çështje, Presidenti Bush, në bisedimet e përbashkëta të Majit 1990,  arriti të binde Gorbaçovin se edhe me Gjermaninë e bashkuar “NATO do të vazhdonte të ishte një mekanizëm i rëndësishëm stabiliteti, që do të garantonte solidaritetin në të gjithë Europën…”. Duhet theksuar gjithashtu se me mbështetjen amerikane, Gjermania arriti shumë shpejt të mënjanonte edhe skepticizmin apo rezervat që shfaqën në fillim rreth ribashkimit të shpejtë aleatët strategjikë e tëpër të rëndësishëm të saj, Franca e sidomos Britania. Franca i druhej një Gjermanie të fuqishme me 80 milion banorë si dhe rrezikut të humbjes së lidershipit te saj në Bashkimin Europian, ndërsa Britania  kërkonte zgjatjen kohore të këtij proçesi, për të garantuar më parë kufijtë Europianë ekzistues (sidomos të kufirit të Gjermanisë me Poloninë përgjatë lumenjve Oder dhe Neiss), si dhe për tu siguruar nga rreziku i mundshem i dobësimit të pozitave të Gorbacovit në Bashkimin Sovjetik.

Ndërkaq ishin bërë hapa të rëndësishëm për ribashkimin e brendshëm gjerman. Vetëm pas pak ditësh nga shembja e Murit të Berlinit, Kancelari Kohl do të shpallte në Bundestagun gjerman një program të veçantë me 10 pika për realizimin e tij. Në pikën më të rëndësishme të këtij programi, në atë me numër pesë, kërkohej krijimi i menjëhershëm i një konfederate mes dy Gjermanive, e cila në një perspektivë jo të largët duhej të shkrihej brenda shtetit federal ekzistues, pra në Republikën Federale Gjermane. Me 19 Dhjetor 1989, Kancelari gjerman bën për herë të parë një vizitë në Drezden dhe mban fjalimin e rëndësishëm me titull “Nje Atdhe”, i cili u ndoq me  vëmëndje të veçante brënda e jashtë Gjermanisë.

Me 22 Dhjetor 1989, Helmut Kohl dhe Kryeministri i Gjermanisë Lindore Modrov hapin zyrtarisht Portën historike të Brandenburgut, e cila, në mënyrë krejtësisht paradoksale, kishte shërbyer si vijë ndarëse ndërmjet dy Gjermanive mu në zemër të Berlinit. Me 18 Mars 1990, në Gjermaninë Lindore u organizuan për herë të parë zgjedhje parlamentare të lira e demokratike.  Mbi 80% e votave ju dhanë partive politike që kishin në programin e tyre ribashkimin e Gjermanisë. Ky vullnet i qartë duhej zbatuar pa vonesë, ndaj filluan menjëherë konsultimet mes dy qeverive dhe me partnerët ndërkombëtarë. Duhej krijuar një kuadër ekonomik e monetar i përbashkët si dhe duhej përcaktuar statusi juridiko – ndërkombëtar i Gjermanisë së Bashkuar.

Me 1 Korrik 1990 hyri në fuqi marrëveshja ndërgjermane për bashkimin ekonomik, monetar e social. Monedhë e përbashkët u bë marka e Gjermanisë Perëndimore. Në Gusht 1990, Parlamenti i ri i Gjermanisë Lindore votoi  në favor të ribashkimit gjerman, duke theksuar që ky proçes të bëhej “sa më shpejt që të jetë e mundur”. Mbi këtë bazë, me 31 Gusht 1990, ministrat e brendshëm të të dy vendeve nënshkruan Traktatin e Ribashkimit, në të cilin parashikohej ndër të tjera që përmbyllja e ketij proçesi dhe hyrja në fuqi e Traktatit në fjalë, pra ribashkimi de jure i Gjermanisë, të bëhej më 3 Tetor 1990, bazuar në preambulën dhe nenin 23 të Ligjit Themelor (Kushtetutën) të Republikes Federale Gjermane të vitit 1949. Nga ana tjeter, katër Fuqitë Aleate të Luftes së Dytë Botërore (ShBA, BRSS, Franca dhe Britania) dhe dy Gjermanitë nënshkruan  në Moske më 12 Shtator 1990 Traktatin mbi Zgjidhjen Përfundimtare të Çështjes Gjermane, apo të ashtuquajturën marrëveshje 4 +2, përmes së cilës, zyrtarisht ato hiqnin dorë nga të gjitha të drejtat që kishin më parë në të dy territoret gjermane, përfshirë këtu edhe çështjet që kishin të bënin me statusin e Berlinit.

Me fjalë të tjera, kjo marrëveshje i hapi rrugën ribashkimit gjerman më datë 3 Tetor 1990.  Kështu, në mbrëmjen e datës 2 Tetor 1990, mbi 100 mijë gjermanë u mblodhën në Sheshin e Republikës, pranë Portës së Brandenburgut dhe godines se Rajshtagut, për të pritur orën 24.00, pas së cilës Gjermania konsiderohej juridikisht e ribashkuar. Në fjalën e vetme të mbajtur pas kësaj ore në këtë ceremoni impresionuese, Presidenti gjerman Richard von Weizsacker do të theksonte ndër të tjera se “Ne gjermanët, për herë të parë nuk do të jemi një problem shqetësues i axhendës Europiane. Bashkimi ynë nuk u bë me forcë, por përmes bisedimeve paqësore. Ai është pjesë e një procesi historik Pan – Europian, që synon të garantojë lirinë e të gjithë popujve dhe vendosjen e një rendi të ri e paqësor në kontinentin tonë. Ne si popull shpresojmë ti shërbejmë këtij qëllimi….Ne tani kemi një shtet që nuk mund ta konsiderojmë më si të përkohshëm, dhe që identiteti dhe integriteti i të cilit nuk mund të kundërshtohet më nga fqinjët tanë”.

Me realizimin e ribashkimit, padyshim që u çel një kapitull i ri për Gjermaninë dhe popullin gjerman. Detyra e përgjegjësi të shumta duhej të realizoheshin si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Sot, pas rreth tridhjetë vitesh nga shembja e Murit të Berlinit dhe njëzet e nëntë vitesh nga ribashkimi gjerman, jemi dëshmitarë se ky proçes ka qënë një sukses i jashtëzakonshëm. Në Gjermani kanë ndodhur zhvillime tepër të rëndësishme në drejtim të forcimit e konsolidimit edhe në Landet e Lindjes të demokracisë, shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave e lirive themelore të individit. Zbatimi i një strategjie largpamëse, shoqëruar me investime pa fund në të gjithë sektoret e ekonomisë dhe jetës së përditshme, kanë bërë që edhe në këto lande, ashtu si në të gjithë Gjermaninë e ribashkuar të zhvillohet e të lulëzojë një ekonomi moderne e bashkëkohore.

Nga ana tjetër, në planin ndërkombëtar, falë vizionit dhe angazhimit serioz të Kancelares Merkel, Gjermania vazhdon të mbetet një shtet me peshë shumë të madhe dhe vokacion të padiskutueshëm botëror. Prioriteti i Gjermanise mbetet natyrshëm angazhimi serioz në realizimin e detyrave tepër të rëndësishme në kuader të OKB-së (aktualisht ka Presidencën në Këshillin e Sigurimit); partneriteti i ngushtë strategjik me ShBA, veçanërisht në kuadër të Aleancës së Atlantikut Verior (NATO), si edhe zhvillimi e thellimi i bashkëpunimit e integrimit në Bashkimin Europian, si tre shtylla apo garanci të fuqishme për bashkëpunimin, paqen, sigurinë dhe mirëqenien e   popujve të shteteve anëtare. Gjermania vazhdon të mbështesë gjithashtu me bujari e përkushtim proçeset demokratike, integrimin dhe zhvillimin ekonomik të një sërë vendeve në zhvillim në Europë dhe rajone të ndryshme të globit.

Bashkimi gjerman është padyshim një ditë e shënuar edhe për popullin shqiptar dhe demokracinë në Shqipëri. Ai frymëzoi e nxiti lëvizjen studentore dhe protestat popullore për ndryshim edhe në vendin tonë. Përveç kësaj, gjatë gjithë kësaj periudhe, përmes kontakteve dhe programeve të shumta të bashkëpunimit, Gjermania i ka dhënë mbështetje e ndihmë të pakursyer Shqipërisë për forcimin e demokracisë, zhvillimin e ekonomisë dhe përmbushjen e detyrimeve për integrimin e plotë në Bashkimin Europian. Padyshim që marrëdhëniet tradicionale të miqësisë e bashkëpunimit të sinqertë mes dy popujve tanë do të zhvillohen e forcohen edhe më tej në të ardhmen.

Xhezair Zaganjori
Tirane, 3 Tetor 2019 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura