Restoranti i SHQUP-it

Aug 16, 2013 | 12:13
SHPËRNDAJE

SAMI NEZA

  Nuk besoj se ka njeri në Shqipëri që konsideron seriozisht se SHQUP, ajo godinë e zymtë, por e bollshme buzë Lanës, përbën një simbol për Ushtrinë shqiptare, qoftë ky simbol kulturor e qoftë historik. Por shumë njerëz që kanë jetuar  në Tiranë apo kanë vizituar Tiranën para vitit 1990, mund të kenë të drejtë ta mbajnë atë si simbol të kulinarisë. Në kushtet e mjerimit dhe varfërisë që kishte pllakosur vendin në vitet ’80, ishte e vështirë të gjeje një restorant të hairit për të ngrënë diçka me mish. Në restorantin e hotel “Arbërisë”, atë të hotel “Drinit”, lulishtet “1 Maji”… (kanë qenë disa), bërxollat apo biftekët  mbaronin që 20 minutat e para të shërbimit. E njëjta histori ishte edhe tek “Tymi” dhe te “Derri”, i pari te Rruga e Barrikadave dhe i dyti në krah të bustit të Qemal Stafës. Këto dy lokale gatuanin bërxolla e shërbenin birra, por ishin në këtë funksion jo më shumë se dy orë në ditë. Nga mesi i viteve ’80, edhe tri-katër lokale të tjera të ngjashme me to, nga të cilat njëri përballë Postës, një te Fakulteti i Mjekësisë, morën fund si lokale mishi apo birrash. Ajo çfarë mund të shërbehej atje ishin më së shumti imitime të gatimit të mishit, siç janë romstekët, qofte me perime etj. Gjithë Shqipëria ishte futur në sistemin e tallonit, ku ndër ushqime të tjera ishin racionuar edhe produktet e mishit, kafja, gjalpi etj.
Por, mes këtij kërcënimi prej urisë dhe mungesës së proteinave në ushqimet shqiptare, në Tiranë kishte ende dy oaze ku shkëlqente gatimi, në kuptimin atëhershëm të shkëlqimit, njëri prej të cilëve ishte restoranti i SHQUP-it, përveç atij të Ministrisë së Brendshme. Ky akronim për Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë Popullore nuk ka shërbyer ndonjëherë për të na orientuar drejt një vendi i cili përbën një ekstrakt shpirtëror për ushtrinë, por thjesht për ta kujtuar restorantin ku mund të gjeje ndonjë të shtunë bërxolla dhe birrë, natyrisht jo pa stres dhe jo kaq thjesht. Për të hyrë në SHQUP, pra në restorant, duhej të kishe një fletëhyrje, gjë që ishte pothuajse e pamundur për njerëz joushtarakë. Por mund të futeshe në restorant nëse shoqëroheshe më një ushtarak në rastin më të thjeshtë, ose njihje ushtarët roje të SHQUP-it. Kjo ishte një arsye që ndonjë i njohur në shkollën “Skënderbej” (begsat)  të merrte rëndësi të madhe.
Nuk ka dyshim se në atë ndërtesë janë bërë konferenca, takime, koncerte, funerale, siç janë bërë edhe në dhjetëra godina të tjera të Tiranës. Sa konferenca, takime, tryeza debati, përkujtimore, ceremoni të të gjitha llojeve dhe me gjithfarë vlerash bëhen këto vite në hotel “Tirana”, “Rogner”, “Sheraton”, hotele të tjera të Tiranës si “Monark”, “Mondial”, “Grand”, “Iliria”, në qendra biznesi si “ABA”, “Zayed”, “Sky” etj. Por asnjëra prej tyre nuk është kthyer në ndonjë simbol për shkak të përditshmërisë së tyre, dhe nuk është shkak që dikush të dalë në protestë nëse ndonjëra prej këtyre ndërtesave që përmenda të vendosë të ndryshojë funksionin.
Por nuk ka buruar prej SHQUP-it ndonjë frymëzim kulturor apo kauzash për ushtrinë e komunistëve shqiptarë, ndonjë farë simbolike për fuqinë apo cilësitë e asaj ushtrie. Aq më pak të jetë godinë e rëndësishme për Shqipërinë për shkak të Ansamblit të Ushtrisë, selia e të cilit nuk ishte aty, por andej nga Tregu Elektrik, apo pse pjesë e tij kanë qenë talente si Vaçe Zela. Mendo tani sa qesharake është të thuash se reparti i Zall-Herrit së shpejti do të nxjerrë një këngëtar të famshëm. Ç’punë ka një ushtri që ndërton 700 mijë bunkerë me këngëtarë, me muzikën, me meloditë, regjinë, kompozimin e talentuar, përveç me pjesën e indoktrinuar të kulturës që e ndihmonte aplikimin e teknologjisë së izolimit nga ushtria te njerëzit?
Ish-oficerët kanë nxjerrë në dritë këto ditë shumë argumente lidhur me ruajtjen e funksionit të SHQUP-it edhe në të ardhmen. Pavarësisht se ajo çfarë thonë ata nuk ka kurrfarë baze reale, përveç problemit të restorantit që nuk di pse nuk e përmendin, sërish iluzionet e ish-oficerëve të protestës janë argumente që shërbejnë për ta shndërruar SHQUP-in një orë e më parë nga një godinë e indoktrinimit-dje, apo godinë pa kurrfarë funksioni serioz-sot, në një godinë të vlefshme në vijim.
Vendimi i qeverisë për t’ia kaluar një partie politike atë ndërtesë e ngarkon ndërkohë me histori atë, një merak që mund ta kenë vetë ish-oficerët e ushtrisë së kuqe të Shqipërisë. E ngarkon me historinë e një partie që shembi sistemin më brutal, pjesë e të cilit ishte edhe ushtria, përveç restorantit të SHQUP-it.
Politizimi i një vendimi rutinë prej një grupi të vogël enveristësh ka përfshirë në vorbullën e tij edhe ministren e re të Mbrojtjes së vendit, Kodhelin, e cila nuk ka pse ngatërron NATO-n me SHQUP-in që ditën e saj të parë në krye të Ushtrisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura