Replikë me Donika Omarin: Çfarë s’mund t’i shpjegonte për Haki Mborjen në vitet ’60 Skënder Luarasi

Oct 27, 2014 | 14:26
SHPËRNDAJE

Në suplementin “Unë gruaja” të datës 19.10.2014, në intervistën me titull “Si i përjetuam arrestimet në shtëpinë botuese Naim Frashëri”, Donika Omari përmend edhe Haki Mborjen. Omari vëren se Mborja ishte censuruar si “zogist” nga librat, në atë kohë kur ajo ishte redaktore. “Ka qenë një rast kur u çua në shtyp një libër për Sevasti Qiriazin. Isha redaktore e librit. Autori, Skënder Luarasi, kishte bërë një përmbledhje të veprave të saj dhe aty përmendej si patriot H. Mborja, i cili kishte qenë luftëtar për pavarësi, kishte luftuar edhe kundër sulmeve greke, por më vonë ishte lidhur me Zogun e pra nuk duhej përmendur në libër. Libri shkoi në shtypshkronjë. Atje nuk e di kush e vuri re dhe u bë problem. Si rezultat mora si dënim një vërejtje të rëndë me shënim në biografi, që e ruaj edhe sot si kujtim të një kohe të ashpër. Autori i librit, S. Luarasi, erdhi e më kërkoi falje, duke më thënë: “Ti je e re dhe nuk mund ta njihje këtë emër, duhej të isha treguar unë më i kujdesshëm.”  Ndërkohë, të afërmit e H.Mborjes reagojnë me replikën e mëposhtme, duke thënë se Donika Omari gabon dhe se H.Mborja nuk ishte “zogist”, por përkundrazi një antizogist, i vlerësuar edhe nga Fan Noli.

Gazeta “ORA” e datës 21 maj 1932 tregon se edhe një vit e gjysmë pas vdekjes së Hakiut, Zogu nuk ia jep pensionin që i takonte familjes së atij që gjithë jetën dhe pasurinë e shkriu për Shqipërinë

Kjo ndodhi që tregon zonja e nderuar Donika Omari, është e plotësisht e besueshme të ketë ndodhur… dhe si e tillë, ne familjarëve të Haki Mborjes na prek shumë. Madje na indinjon. Sot, zogizmin, disa e quajnë edhe vlerë, por për këtë rast, kjo dëshmi të revolton si një e pavërtetë, madje si një intrigë, që paska funksionuar dhe që e zhbën të vërtetën e historisë për antizogizmin e dr. Haki Mborjes… Regjimi i shkuar, duke ia zbehur në maksimum luftën dhe përpjekjet e tij për Pavarësi, këtë, republikanizmin e pashoq të tij, nuk ia mohoi kurrë publikisht. Edhe “Fjalori Enciklopedik” i akademisë së monizmit, në ato pak rreshta që shkruante për dr. Haki Mborjen, nuk e mohonte antizogizmin e tij. Edhe po të ishte zogist Haki Mborja, ne nuk do të kishim përse ta fshihnim sot… Por e vërteta është ajo që dihet botërisht dhe që e thotë edhe Noli në mars të 1931 te “Republika” e tij e Bostonit: “Pas Mihal Gramenos na la shëndenë edhe një tjetër veteran i çështjes kombëtare, doktor Haki Mborja, që luftoi tërë jetën me pushkë maleve dhe me propogandë fushave, për indipendencë…” dhe në fund, shkrimi i Nolit mbyllet kështu: “…Kur Zogu u prokllamua sulltan, doktor Haki Mborja, si republikan i bindur që ishte, nuk ia dha votën dhe nuk shkeli më në Tiranë. Ish i vetmi nga asambleistët që guxoi e bëri një trimëri të tillë nën terrorizmën e malokut mercenar”. Për vdekjen e menjëhershme të 49-vjeçarit Haki Mborja, ato ditë, e gjithë Korça foli: “E farmakosi Zogu”. Vunë gishtin edhe te personi që kreu porosinë e Mbretit, një farmacist që i përgatiti “hilaçin e reumatizmës”. Si mund t’ia falte satrapi Zog, asambleistit të vetëm që e kundërshtoi botërisht mbretërimin dhe i flaku tej mandatin e deputetit?… Këto dhe shumë dyshime të tjera, ne pasardhësit e tij, nuk u munduam as për t’i dokumentuar dhe as për t’i publikuar, pasi gjykuam se nuk është punë e jona, por e historianëve. Po që dëshmori i republikanizmit të shpallet si monarkist, këtë ne nuk mund ta lejojmë. Prandaj është revoltuese ajo që mësojmë nga intervista e zonjës Omari.            
Prandaj e gjithë fjalia: “Aty përmendej si patriot H. Mborja, i cili kishte qenë luftëtar për pavarësi kundër sulmeve greke, por më vonë ishte lidhur me Zogun”, është një fyerje për ne pasardhësit e dr. Haki Mborjes.
Dr. Haki Mborja ka luftuar me armë brenda kufijve të Shqipërisë edhe kundër turqve, edhe kundër andartëve grekë. Shtëpia e tij në Mborje u dogj tri herë. Dy herë nga turkoshakët dhe një herë nga grekomanët. Por edhe njerëzit ashtu si redaktorja Omari, jo për faj të tyre, nuk dinë shumë për këtë figurë. Megjithëse ka shumë dokumente që e dëshmojnë Haki Mborjen si komandant i çetave nga më të parat, që në pranverë të 1909-s, asnjë fjalë nuk u tha për atë, as me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Megjithëse prej kohësh është zbuluar në arkivat e Beogradit nga historiani Sadullah Brehtovci, një dokument shumë i rëndësishëm që dëshmon për një takim të korrespondentit [Vums] të “Times” të Londrës me Haki Mborjen në Shpat të Elbasanit më 1910-n dhe i paraqitur tek historianët tanë të akademisë së viteve ’80, ky dokument shumë i rrallë, nuk u përfill kurrë nga Stefanaq Pollot me shokë. Shumë më vonë, në janar të 1996, prof. Bujar Hoxha e botoi te gazeta “Rilindja” e Kosovës që dilte atëherë në Tiranë, këtë dokument që e cilëson Haki Mborjen si udhëheqës kryesor të kryengritësve të Jugut (mbi 500 shpirt mblidhte pas vetes thotë fjalë për fjalë korrespondenti anglez që e ka takuar vetë në Shpat të Elbasanit).
Ai ishte intelektual i diplomuar në një nga universitetet më të njohura të kohës dhe si të tillë, malet e Shqipërisë, veç dr. Haki Mborjes, nuk njohin asnjë komit rilindas. Ai ishte autor i librit “Krimi dhe krimineli” që është ende në përdorim për ata që studiojnë mjekësinë ligjore në fakultetet e Stambollit. As fotografia e rrallë me bashkëkomandantin e krishterë Vangjel Gjikën, e kryer nga Lef Nosi në Shelcan të Shpatit, nuk u pasqyrua gjëkundi në albumet për 100-vjetorin. As Vangjel Gjika, që la ëmbëltoren e tij me emrin “Manushaqja” në mes të Korçës dhe doli në male, që vdiq fare i ri nga torturat e esadistëve, nuk u zu me gojë fare për 100-vjetorin e Pavarësisë.
Po të mos kishte dalë intervista e zonjës Omari, as që do të isha ulur ndonjëherë të shkruaja për dr. Haki Mborjen. Nuk më takonte pikërisht mua ta bëja këtë. Haki Mborja ishte gjyshi im dhe normalisht u takonte të tjerëve, historianëve, të flasin për të. Por kjo kohë normale, duket se s’ka për të ardhur kurrë. Prandaj po detyrohem të dëshmoj vetë diçka nga kontributi i gjyshit tim. Po përmend vetëm disa fakte lehtësisht të dokumentueshme në ndihmë të së vërtetës dhe këtë nuk e bëj për të përfituar dekorata gjyshi im. Ato nuk i kam aspak merak… Ashtu si janë shpërndarë e zhvleftësuar sot ato, të vjen turp t’i kesh.
Por, me heshtjen tonë, e shoh se e paskemi pasur gabim unë edhe të gjithë të parët e mi. Edhe xhaxhai im fisnik, ka gabuar me modestinë e tij, edhe në rastin e Haki Mborjes. Ish-kryetari i parë i Komitetit të Qarkut Korçë që nga Lufta e deri më ’47, Sali Mborja, kohë kur vendoseshin emrat e rrugëve dhe të institucioneve, kundërshtoi çdo propozim për emërtimin e tyre me emrin e babait të tij. Heshtja dhe harresa për dr. Haki Mborjen shpjegohet se ai, ndryshe nga ndonjë rilindas i shquar si Mihal Grameno, që shkëmbeu edhe peshqeshe me mbretin Zog, la pas trashëgimtarë. Haki Mborja la pas shëmbëlltyrën e tij, atdhetarin e paepur Sali Mborjen, që i vriste sytë vërsnikut të tij, aventurieri dhe mosmirënjohësi Enver Hoxha. Këtë e dinte shumë mirë, por nuk mund t’ia shpjegonte kujtdo Skënder Luarasi.
Vetëm nga dokumente që dalin rastësisht, mësojmë se me hapjen e Normales në Elbasan, ai paska dhuruar 50 napolona floriri, dhe ka marrë përsipër vizitat dhe mjekimin falas të të gjithë konviktorëve të saj. Nga një dokument tjetër marrim vesh se Ismail Qemali në qeverinë e Vlorës më 1912-n i paska ngarkuar  dr. Haki Mborjes detyrën e kryetarit të Komitetit për Shëndetin e Popullatës Civile etj., dokumentohet se Haxhi Qamili e paska pas dënuar me vdekje dr. Haki Mborjen etj., etj. Të gjitha këto të mësuara krejt rastësisht…                          
Ish-redaktorja D. Omari, duke përmendur gjithë shkujdesje në intervistën e saj këtë rast, që “H. Mborja… ishte lidhur me Zogun”, na ka ndihmuar të mësojmë një të vërtetë të hidhur: Paska qenë vënë dikush në shtypshkronjë që të kontrollonte librat (sidomos ato të Skënder Luarasit) dhe të fshinte emrin e dr. Haki Mborjes. Ky episod tregon, se ashtu si Ahmet Zogu që e helmoi, edhe censuruesit nuk i dolën kurrë ballazi, edhe të vdekur     dr. Haki Mborjes. Gjithashtu nga D. Omari, dhe për këtë e falënderojmë, ne sot marrim vesh se Skënder Luarasi paska shkruar fakte vlerësuese për dr. Haki Mborjen… Skënder Luarasi është i njëjti intelektual trim dhe parimor që nuk u përkul asnjëherë, por i qëndroi përballë Enver Hoxhës dhe “akademikëve” të tij servilë në historinë “e revolucionit fshatar” të Haxhi Qamilit… Dhe dr.Haki Mborja, miku më i ngushtë i Fan Nolit, Sevasti Qiriazit, Themistokli Gërmenjit, Vangjel Gjikës, Mihal Gramenos dhe plot “kaurrëve” të tjerë, ishte i dënuar me vdekje nga idhulli i Enveri Hoxhës, bashibozuku Haxhi Qamili. Edhe kjo është një arsye e vërtetë pse e hoqën emrin e Haki Mborjes nga libri dhe ju dhanë “vërejtje të rënda me shënim në biografi” juve zonja redaktore. Edhe këtë nuk e dinit ju, si e re që ishit, redaktorja D. Omari.

Reagimi i Donika Omarit:
Kur flas për H.Mborjen, sjell jo konsideratat e mia por fjalët që m’u thanë nga drejtoria për të, dhe kjo ishte një nga arsyet për të cilat libri nuk duhej të ishte lejuar të shkonte në shtyp nga ana ime si redaktore. Por, me sa duket, nuk kam qenë mjaft e qartë në atë që kam dashur të them, çka ka lënduar të afërm të familjes së të ndjerit. Veç kësaj, meqë nuk kam qenë e sigurt për inicialen e emrit të përmendur do të kishte qenë mirë të mos e përmendja fare. Shpreh keqardhje për keqkuptimin e shkaktuar nga unë.

ILIR MBORJA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura