Rendi i ri opozitar që e lë Ramën vetëm me një aleat: krimin

Sep 16, 2018 | 19:21
SHPËRNDAJE

Sikurse është në natyrën e akteve të tilla politike, valët e krijuara nga kjo lëvizje ngritën një debat të gjallë, brenda dhe jashtë opozitës, mbi rolin e PDIU-së dhe impaktin e saj në betejën kundër mazhorancës. Nëse pjesën e parë e debatit, duhet të pranohet apo jo PDIU, mund ta konsiderojmë të ezaururar nga nënshkrimi i marrëveshjes ditën e sotme. Pjesa e dytë e debatit, çfarë mund t’i shtojë PDIU opozitës dhe si do të funksionojë një aleancë kaq e gjerë, do të vijojë të gjejë jehonë ditën në vazhdim; ku patjetër do të evidentohen të gjitha të mirat dhe gjynahet sipas oreksit politik të komentuesve.
Ajo që mund të thuhet pak orë pas kësaj kontrate të re politike, me bojën ende të patharë në dokumentet që e bëjnë PDIU-në pjesë të opozitës, është se nga sot lindi një rend i ri opozitar me një masë kritike krejt të ndryshme nga ajo e zgjedhjeve të fundit. Në zhargonin e marrëdhënieve ndërkombëtare quhet “bandwagoning” (të hipësh në karrocën e fituesit); pra aktorët politikë kanë tendencën që të krijojnë aleanca me atë grupim që perceptohet si më afër triumfit në një betejë. Dhe nëse do të analizonim këtë grupim nga pikëpamja numerike, rezultati do të konfirmonte pikërisht këtë. Me një spostim mekanik të votave të vitit 2015 për Bashkinë e Tiranës, meqenëse rendi i ri opozitar betejën e parë politike do ta ketë vendore, pra duke postuar LSI-në dhe PDIU-në në krah të PD-së, rezultati në tavolinë do të ishte në favor të opozitës së sotme me një diferencë prej 25 491 vota.
Me këtë fitore simbolike në xhep, të cilën e japin në tavolinë zgjedhjet e vitit 2015,  duhet të nisë puna për të fituar zemrat dhe mendjet e qytetarëve që nuk e kanë votuar tradicionalisht; pasi dihet, politika nuk është vetëm çështje matematike, por edhe emocionesh, vizioni dhe oferte programore.
Dhe këtu vijmë te kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka detyrën dhe përgjegjësinë që nga ky ekip (LSI, PAA, PDK, PR, PBDNJ dhe PDIU) të nxjerrë jo vetëm platformën qeverisëse, të ngjizë frymë dhe shpresë, por edhe të fitojë mbështetjen e mëtejshme të faktorit ndërkombëtar. Qartësisht renditja e të gjitha partive politike kryesore në vend, kundër një mazhorance me probleme kronike me krimin, ndihmon, sikurse dhe prania e Riccardo Migliorit mund të sugjerojë, në përçimin e një mesazhi të qartë dhe unik: të bashkuar kundër kriminalizmit të politikës.
Sigurisht, vendimin final mbi zgjidhjet e Opozitës të bashkuar do ta japin qytetarët me votën e tyre; megjithatë ky mbetet një fillim i mbarë për një grupim që me dashakeqësi përshkruhet në vështirësi. Mund të duket pak, por sot ka arritur një rezultat të kënaqshëm: ka lënë Ramën vetëm me një aleat për zgjedhjet e ardhshme: Krimin!/Politiko.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura