Rehabilitohet Xhamia e Plumbit! Zgjidhet problemi i përmbytjeve. Bashkëpunim me qeverinë turke që do shpëtojë monumentin e kategorisë I

Mar 19, 2021 | 13:22
SHPËRNDAJE

Xhamia e PlumbitPas firmosjes së Protokollit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Fondacioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, pritet të nisë zbatimi i projektit “Restaurimi dhe sistemimi i mbrojtjes nga përmbytja i Xhamisë së Plumbit Shkodër”.

Sa herë që flitet për Xhaminë e Plumbit, monument kulture i kategorisë I, i ngritur në 1773, në mendje të vjen ajo pamja tragjike, ku ajo, e vetme, qëndron në mes të ujërave që e rrethojnë nga të katërta anët. E bukur edhe në mjerimin e vet, me kupolat bojë hiri që reflektohen në sipërfaqen e ujit, që vërshon mureve të saj çdo dimër. Ndoshta, këto imazhe do t’i përkasin së kaluarës. Pas një periudhe të gjatë diskutimesh, në 6 janar të këtij viti, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nënshkroi protokollin e bashkëpunimit në Ankara, i cili duket se nuk do të mbetet vetëm në letër. Ministrja Margariti bën me dije se shumë shpejt nis zbatimi i projektit nga specialistët më të mirë turq të Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve në Turqi dhe shqiptarë.

PROBLEMATIKA DHE NDËRHYRJA

Me gjithë reshjet dhe përmbytjet e shumta, Xhamia ka mundur të qëndrojë në këmbë, por dëmtimet janë të dukshme. Përmbytjet dhe qëndrimi i ndërtesës për një kohë të gjatë nën ujë kanë qenë faktori kryesor për dëmtimin në gurët veshës së fasadës. Sipas specialistëve, për shkak të pozicionit gjeografik dhe karakteristikat topografike, xhamia herë pas herë ka rritje të ujërave nëntokësore dhe për zgjidhjen e këtij problemi do të projektohet një sistem drenazhimi rreth ndërtesës dhe një mur që të parandalojë vërshimin e ujërave.

Sipas ministres Margariti, “Ndërhyrja kryesore synon krijimin e një sistemi kullimi të sigurt dhe pengimin e ujërave vërshuese dhe restaurimin e ndërtesës, por po aq i rëndësishëm është edhe sistemimi i peizazhit të ambientit përreth, duke e kthyer në një park të denjë për besimtarët dhe vizitorët”.

Duke qenë një monument i rrallë kulture, teknikat e ndërtimit dhe materialet e përdorura dhe të gjitha detajet arkitektonike origjinale do të ruhen dhe nëse është e nevojshme riparimi ose ndërrimi i tyre do të bëhen më teknika dhe me materiale me karakteristika të njëjta. Ndërtesa do të vazhdojë funksionin e saj si xhami dhe pas procesit të restaurimit do t’u rikthehet besimtarëve myslimanë.

HISTORIA DHE VLERAT

Xhamia e Plumbit është përfaqësuese e tipit të Xhamisë me kupolë, po e një lloji të veçantë. Ajo pasqyron modelin e stilit klasik osman të realizuar në Stamboll nga arkitekt Sinani në shekullin e XVII.

Në fillim xhamia ka qenë e veshur me plumb. Kompozimi i xhamisë dallon mirë pjesët funksionale, hajatin në formë oborri të mbyllur, të mbuluar me një varg kupolash, njëra pas tjetrës, sallën e faljes në formë kuadratike, kupolën qendrore, gjysmë sferike. Ndër veprat e shumta të ndërtuara në Shkodër nga trashëgimtarët e njëpasnjëshëm e sundimtarë të mëdhenj siç ishin Bushatllinjtë, është dhe Xhamia e Plumbit, e cila njeh si datë të lindjes së vet vitin 1773.

Kjo vërtetohet edhe me shqipërimin e shkrimit të gdhendur në pllakën e vendosur mbi derën kryesore të kësaj xhamie, ku thuhet: “Viti 1187 Hixhri është data e ndërtimit të xhamisë së madhërishme prej Mehmet Pashës, zot i bamirësive”. Dhe më poshtë: “Viti 1280 është data e riparimit të xhamisë prej kujdestarit të saj Mahmut Berberi”. Respektivisht, këto dy data të kalendarit islamik përkojnë me vitet 1773 dhe 1863.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura