Regjistrimi i pronës në Hipotekë brenda 10 ditëve nga data e aplikimit

Jul 19, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Nuk do të jenë më qytetarët ata të cilët, pasi kanë mbaruar punë tek ALUIZNI t’u drejtohen dyerve të Hipotekës.

legalizime

Kjo do të jetë një procedurë që do ta kryejë ALUIZNI. Udhëzimi i përbashkët i zyrtarizuar pak ditë më parë ndërmjet kreut të Agjencisë së Legalizimeve Artan Lame dhe kreut të Hipotekës, Ilirjan Muho, parashikon që aplikimet të kryhen nga ALUIZNI.

Brenda 10 ditëve nga depozitimi i kërkesës, Hipoteka ka detyrimin që të përmbyllë procedurat e regjistrimit.

“Regjistruesi brenda 10 ditëve punë nga data e paraqitjes së kërkesës është i detyruar të kryejë regjistrimin, pasi ka verifikuar nëse dokumentacioni i dorëzuar është i plotë dhe i saktë”, thuhet në pikën 6 të udhëzimit. Pas kësaj, brenda pesë ditëve qytetarët do të njoftohen nga ALUIZNI për të kryer pagesën e shërbimit. Kjo është një tarifë fikse që vilet nga Hipoteka dhe shkon për llogari të këtij institucioni. Në përfundim të gjithë kësaj praktike do të lëshohet edhe certifikata e pronësisë. Kjo e fundit do t’u dërgohet qytetarëve në shtëpi nëpërmjet shërbimit postar.

“Me konfirmimin e kryerjes nga subjekti të pagesës për tarifat e shërbimit, ZVRPP-ja dërgon në rrugë postare certifikatën përkatëse të pronësisë”, specifikohet më tej në pikën 11. Në rastet kur pagesa e truallit nuk është kryer, regjistrimi bëhet me hipotekë ligjore, e cila hiqet 5 ditë pas shlyerjes së detyrimit financiar.

Ndërsa në rastet kur nuk është bërë kalimi i pronësisë, regjistrohet vetëm objekti dhe procedurat e tokës nisin pas miratimit të listave në qeveri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura