Regjimi ’41-bis’ në burgje, Gjonaj: Do të takohem me drejtuesit e SPAK. Rasti i Dritan Dajtit, i veçuar, u morën masat më drastike

Jan 26, 2020 | 8:37
SHPËRNDAJE

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka folur për rritjen e sigurisë në burgje. Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në “News 24”, Gjonaj është shprehur se shumë shpejt do të ketë një takim me drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, (SPAK) për të diskutuar në lidhje me sigurinë e burgjeve dhe personat që duhet të futen në regjimin ’41-bis’.

Gjonaj-2-770x386

Ministrja e Drejtësisë më tej foli edhe për amnistinë, duke theksuar se me ndryshimet që u bënë në Komisionin e Ligjeve, do të jenë 180 personat që do të përfitojnë.

“Ndryshimet ligjore të 2019-s parashikojnë subjektet që do të hyjnë në ’41-bis’. Kam lënë për t’u takuar me drejtuesit e SPAK, që të kemi një vendimmarrje sa më të shpejtë, por edhe me disa institucione të tjera. Në shkurt dalin propozimet e para, duke plotësuar informacionin edhe në ato dosje që nuk janë plotësuar tërësisht. ’41-bis’ ka ngjallur interes dhe mbështetje nga ambasadat e SHBA, BE, por edhe nga ambasada britanike jo vetëm për të dhënë ekspertizën e zbatimit, por edhe për sa i përket formimit të trupave speciale.

Shumë shpejt do të jepen dhe propozimet e para. Situata e burgjeve nuk është se lindi sot me të njëjtën problematikë. Sa u përket masave të reja që duhen marrë, është pikërisht një paketë me ndryshime ligjore që qeveria ka përgatitur dhe e ka dorëzuar në Parlament, me qëllim që të përfshihen disa mekanizma për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Për të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë që mund të pezullohen me vendim të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe me vendimmarrje të këshillave”, tha Gjonaj.

RASTI ‘DOKLE’

Ndërsa për çështjen më të bujshme të ditëve të fundit, ku i dënuari me burgim të përjetshëm, Endrit Dokle, ia doli që të lërë qelinë, ministrja Gjonaj theksoi se bëhet fjalë për një vendim që është marrë në kundërshtim me Kodin Penal.

Gjonaj tha se ka kërkuar marrjen e masave nga KLGJ-ja për gjyqtaren që dha vendimin për lirimin me kusht të Dokles. “Për çështjen ‘Dokle’, ne kemi pasur një sinjalizim dhe më herët nga Drejtoria e Burgjeve dhe e Shërbimit të Provës, ku ka pasur një indicie, të cilën e kemi referuar si shqetësim tek institucionet e drejtësisë. Ka qenë një indicie që mund të lirohej subjekti. Kur është dhënë vendimi nga gjyqtarja, kam filluar një hetim administrativ. Nga verifikimi paraprak që kemi kryer, ka rezultuar se vendimi i gjyqtares është marrë në kundërshtim me Kodin Penal dhe vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë.

U jam drejtuar të gjitha institucioneve të drejtësisë, edhe KLGJ-së, që të marrë menjëherë masën për pezullimin e gjyqtares, dhe KLP-së e ONM-së, me qëllim që të këtë gjyqtarë apo subjekte të tjera që të përfshihen në mënyrë prioritare për veting. Nuk është rasti i parë. Nëse ka pasur një reagim të fortë nga ana ime, ka qenë pikërisht që këto fenomene të parandalohen. Ka pasur raste me të njëjtën gjyqtare e të njëjtën situatë. E njëjta situatë dhe me gjyqtarë të tjerë që kanë dhënë vendime të paligjshme, për të cilat Ministria e Drejtësisë ka dhënë sinjalizimin, por është kërkuar edhe procedim disiplinor”, u shpreh ministrja.

DRITAN DAJTI

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, foli edhe për rastin kur i dënuari tjetër me burgim të përjetshëm, Dritan Dajti, u shoqërua nga Policia për të bërë një vizitë mjekësore jashtë burgut. Sipas Gjonajt, bëhet fjalë për një rast të izoluar dhe se më shumë rëndësi ka reagimi në këtë ngjarje, që, sipas saj, ka qenë shembullor.

“Pa dyshim, shqetësimi juaj dhe i qytetarëve dhe reagimet publike janë të mirëkuptuara. Është një rast, të paktën për fat të mirë, i veçuar. Jo vetëm nuk mund të përgjithësojë veprimin e burgjeve, por duke e konsideruar si shkelje të ligjit, edhe nga ata të cilët kanë qenë të përfshirë në gjithë veprimin. Nuk më vjen mirë që ndodhin, por e kuptojmë që s’mund të parandalohen katërçipërisht. E rëndësishme është që institucionet të reagojnë. Ka pasur një hetim me dy grupe të pavarura. Janë marrë masat më drastike. Janë shkarkuar drejtuesit më të lartë. Ka një kallëzim në Prokurori. Nëse ka vepër penale, të merren masat edhe për përgjegjësinë penale”, tha ministrja e Drejtësisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura