Regjenca e … At’ Anton Harapit dhe “regjenca” e PD-së

Aug 12, 2020 | 9:35
SHPËRNDAJE

FRANO KULLI Frano-Kulli

Nëse qasja e një komisio ni që Partia Demokratike ka ngritur tani së fundi për shestimin e listave të gjata të kandidaturave të ardhura nga baza e saj me Regjencën (tetor ‘1943-nëntor 1944) dikujt i vjen si e sforcuar, unë mendoj se, megjithatë, në thelb e kanë një të përbashkët. Si formë administrimi politik, së paku. Fjala Regjencë, sipas fjalorit të Gjuhës shqipe (Tiranë 1980, fq. 1641) është: Sundim i përkohshëm i një regjenti ose i një këshilli (në një monarki) kur mbreti mungon ose kur është i mitur; funksioni i një regjenti a i këshillit që kryen këtë detyrë; koha sa zgjat ky funksion: kryetar (anëtar) i regjencës; këshilli i regjencës.

Pra, nevoja për këtë krijesë, në historinë administruese asohere ka ardhë si imperativ i kohës se… diçka ka munguar. Në Shqipëri, në të dyja herët ka munguar mbreti; herën e parë Princ Vidi i emëruar prej Fuqive të Mëdha e herën e dytë Mbreti i shqiptarëve, se u largua më 6 prill 1939 dhe froni i tij mbeti bosh. Dhe, ashtu patën ardhë punët, njëri prej të katër regjentëve: Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Fuat Dibra (pas vdekjes së tij), Cafo Beg Ulqini, frati At Anton Harapi qe një zgjedhje disi e veçantë e kohës. E kjo është shkruar e thënë prej komentarëve të historisë, por edhe prej vetë dëshmisë së tij, gjithashtu.

“… Tash sa kohë publiku shqiptar ka pritë me ndie nji fjalë prej meje-e fillon ai fjalimin e vet promovues-megjithëse parashoh se do të kuptohem keq dhe do të komentohem ndoshta edhe mâ keq, due t’i a çoj në vend dishirin: due t’a thom fjalën t’eme

Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kolltuk, për interes a për ndonji intrigë. Mundet veç me dashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe unë po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk ma tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtrënguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë; ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase – sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem…”

Dhe a e dini se si u “komprometua” pader Antoni? Një gojëdhënë, por e dokumentuar, thotë se në çastin e mbramë, kur përfundimi i misionit në përbërje të regjencës do ta çonte padër Antonin në dorë të komunistëve triumfues, në fundin e luftës kur gjermanët po tërhiqeshin dhe prej aty përpara skuadrës së pushkatimit si tradhtar i kombit të komunistëve (në fakt, komunistët s’kanë atdhe), Hermann Neubacher i dërgon aeroplanin e tij personal për ta tërheqë nga rreziku i forcave partizane. Në gusht 1943, ai ishte i dërguar i veçantë i Zyrës së Jashtme gjermane për Europën Juglindore dhe nga 11 shtatori i 1943-shit, pas rënies së Italisë, ai u emërua dhe përgjegjës për Shqipërinë dhe punoi ngushtë me Vermahtin deri në kapitullimin e Gjermanisë në 1945- ën. Padren e kishte njoftë e e bashkonte “dojç kultura” e synuar prej tyre në zgjedhjen për qeverisjen që ato do t’u linin në dorë vetë shqiptarëve. Pa mbërrijtë në destinacion ku e priste aeroplani shpëtimtar për të, padër Antoni ndalon në Thumanë, ku familjarët e tij kishin një punishte e prona të tyret. Dhe i drejtohet shoferit: “Unë po ndaloj këtu. Edhe ti shko në shpi se ke fëmijë”. Dhe avioni personal i nisur vetëm për ta larguar regjentin Anton Harapi nga Shqipëria e për t’ia shpëtuar jetën, largohet me një vend bosh. Se i vetëdijshëm për misionin që kishte ndërmarrë frati i ditur fort e i përvûjtë gjithashtu, kishte vendosë që edhe fatin e vet do ta ndante këtu në Shqipëri. Edhe pse e dinte se çfarë e priste… Ajo që e priti atë e regjentin e tjetër: Lef Nosin e Kryeministrin Maliq Beg Bushatin. Një gjyq me akuzën e skajshme të bashkëpunimit me pushtuesin në dëm të atdheut dhe… Pushkatimi prej komunistëve, që dihet se ç’bënë ata me atdheun për gati gjys’ shekulli..

Sigurisht, sot këtu nuk jemi as në mbretëri kur mbreti mungon siç ishte në Shqipërinë e ’43-it, as se mbreti është i mitur…

PD-ja, njëra prej “mbretërive” politike të Shqipërisë së re, alternativë pushteti qysh se është krijuar në vitin 1990 edhe sot e ka “mbretin”, kryetarin e vet institucional, ka Këshillin Kombëtar e Kryesinë si organe të sajat qeverisëse e të gjitha strukturat e veta të zgjedhura për të administruar jetën politike të anëtarësisë së saj. Por edhe të opozicionit të mëpërtejmë politik e social që përsillet rreth saj e që në Shqipëri është në ato kufij e gatshme për të bërë rrotacionin politik. Të nevojshëm fort e shumë jetik për të sotmen e Shqipërisë kur qeverisja aktuale e kalbur prej korrupsionin dhe paaftësisë kërcënon drejtpërdrejt jetën publike në Shqipëri dhe përbën rrezikun akut të shprishjes së vlerës sonë kombëtare. Me ekonomi të rrënuar drejt theqafjes, me demokraci të cunguar deri në mosekzistencën a shprishjen e institucioneve bazë të saj siç janë ato të drejtësisë e përmbi këto me një parlament të paplotë për të përmbushë cilësitë e një organi qendror ligjvënës të një republike parlamentare të një vendi demokratik.

Atëherë, pse ky këshill? (Ky “këshill i naltë-regjencë”, pra?).

“Për ta demokratizuar procesin e zgjedhjes së kandidatëve për deputetë e shtetarë vendorë”, kanë thënë. Partia ka zgjedhur 5 anëtarë të rëndësishëm të saj. Figura që kanë administruar pushtet politik, legjislativ e ekzekutiv deri në majën e piramidës. Siç është rasti i zotit Nishani, ish-President i Republikës.

E këtu interesi është jetik e del përtej caqeve të partisë, edhe përtej simpatizantëve të saj dhe përbën rëndësi jetike në interesin e ardhmërisë së shqiptarëve. Të atyre që e kanë ndarë jetesën këtu, por edhe të tjerëve që nga përjashta Shqipërisë e duan prosperitetin e saj e të kombit tonë njësoj.

Vështruar kështu, iniciativa duket risi serioze. Komisioni i vlerësimit të kandidaturave është zgjedhur si nevojë për të shtuar besimin e munguar tek udhëheqësia e opozitës. E vetëkuptuar e dallueshme kjo. Por, a janë këta persona “regjentët” që do ta përmbushin këtë mision?!…

Vetëm nga zoti Besnik Mustafaj kemi dëgjuar se ka thënë publikisht: “Nuk dua të turpërohem”. Një deklaratë e vënë në një regjistër moral të denjë për një mision. Dhe Besniku është personazh jetëgjatë shumë i Partisë Demokratike, qysh prej krijesës dhe i vetmi nga udhëheqësia e saj që ka dhënë një herë dorëheqje të vetëvullnetshme nga posti i ministrit.

Ka pasë ajo parti edhe të tjerë ministra që kanë naviguar gjatë vetëm ngarkesa me thasë të parasë publike në ekonominë e financat e këtij vendi, shpesh të përfolur për udhëtimin e gjatë ministror. E masandej, në kohët e pushtetlënies, kanë çarë ferrën e janë hedhë në krahët e mullixhiut… Thua do të mund të bëjnë mision edhe ata?!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura