Refren i përditshëm

Aug 19, 2018 | 14:22
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

edmond-tupja

pas hapi dhe që unë, ti ai, ajo, ne të gjithë e dëgjojmë edhe kur ai, objektivisht, pushon, veçse përkohësisht, së ushtuari. Një makth i vërtetë ai refren: “Hek’ra t’vjetra… Lavatriçe, frigorifera, soba t’vjetra…” Janë romë që jetojnë kështu, duke blerë fare lirë objekte metalike të vjetruara nga përdorimi ose duke mbledhur hekurishte për skrap. Ata kalojnë, pra, sidomos mëngjeseve, rregullisht poshtë dritareve të mia, të tua, të atij e të asaj, a thua se ne, të gjithë, banore e banorë të rrugës sime, të lagjes sime, të Tiranës sime, blejmë rregullisht çdo muaj lavatriçe, frigoriferë apo soba fringo të reja dhe, si pasojë, na duhet të heqim qafe e sysh ato të vjetrat ose ato të prishurat, të cilat as specialisti më i mirë nuk i ndreq dot më. “Hek’ra t’vjetra… Lavatriçe, frigorifera, soba t’vjetra…”.

Ky refren i përditshëm më sjell ndër mend diçka të ngjashme, diçka si një jehonë nga fëmijëria ime e largët, para gjashtëdhjetë vjetëve, diçka që vetëm moshataret e moshatarët e mi e kanë njohur: Në të dalë të vjeshtës së dytë, pra, të muajit tetor, nga zonat e thella veriore të vendit, si Luma, për shembull, zbrisnin malësorë tejet të varfër me një sharrë në sup, një trastë lecke krahaqafë e një sëpatë në dorë, dhe thërrisnin rrugëve të kryeqytetit: “Kush ka dru me preee… Kush ka dru me preee…” sepse, asokohe, drutë e zjarrit, që u shiteshin qytetarëve me sterë, kishin nevojë të priteshin ende, në përmasa më të vogla, me qëllim që t’i nxinin sobat e tyre. Gjithsesi, thirrjet “Kush ka dru me preee…” jehonin rrugëve të Tiranës së vjetër vetëm gjatë stinës së ftohtë, ato nuk bezdisnin njeri, madje bënin pjesë në folklorin urban dhe qytetarëve u dhimbseshin ata malësorë të varfër, prandaj tregoheshin bujarë ndaj atyre duke u falur ndonjë veshje apo ndonjë palë këpucë të vjetra për vetë ata ose për fëmijët. Sot, gjithashtu, thirrjet “Hek’ra t’vjetra… Lavatriçe, frigorifera, soba t’vjetra…”, bëjnë pjesë në folklorin urban të Tiranës, folklor i varfërisë gjithashtu, siç bën pjesë në të edhe mbledhja, nga romët sërish, e sendeve plastike nëpër kazanë plehrash e kudo gjetiu, por askush nuk u fal atyre kurrgjë, kështu që këto dukuri vazhdimisht të përditshme prej kaq e kaq vjetësh i kanë shtuar një tipar tronditës folklorit urban të kryeqytetit ku kullat e përbindshme e nxjerrin edhe më shumë në pah varfërinë, këtë bashkudhëtare të modernitetit tonë “europian”.

Megjithatë, në këtë kontekst, nuk do të ishte keq sikur qeveria në përgjithësi dhe zoti Kryeministër bashkë me zotin Kryebashkiak të Tiranës në veçanti, për të fituar simpatinë e gjithë romëve pa përjashtim dhe, rrjedhimisht, votat e tyre për zgjedhjet e ardhshme vendore, ta lexonin edhe ata këtë shkrimin timin e vetëm timin, modest e dashamirës, dhe të merrnin një nismë fantastike, krejtësisht surrealiste, që do t’u sugjeroj tani me kënaqësi e krenari njëherazi, e cila do t’u siguronte pushtetin qendror e atë vendor edhe për tri mandate të tjera: Le të vishen të dy zotërinjtë në fjalë si romë, le t’u hipin dumdumëve dërr-dërr, karrocave kërr-kërr apo triçikleve trik-trik dhe, të paktën çdo të diel, deri në ditën e zgjedhjeve të ardhshme vendore, le t’i krehin mbarë e prapë sheshet, rrugët e rrugicat e Tiranës duke thirrur “Hek’ra t’vjetra… Lavatriçe, frigorifera, soba t’vjetra…”. Po, po, këtë e dëshmon edhe përvoja e skllavopronarëve romakë para dy mijë e ca vjetësh, të cilët, një ditë në vit, ndërronin rrobat me ato të shërbëtorëve dhe këmbenin me ata statusin social, çka përbën një garanci më shumë që propozimi im i mësipërm të pranohet pa më të voglin ngurrim! Pra, oburra, zoti Kryeministër me zë baritoni, oburra zoti Kryebashkiak i Tiranës me zë soprani, lëreni mënjanë çdo kompleks inferioriteti (në paçi ndonjë të tillë) e bëjani fora duke thirrur “Hek’ra t’vjetra… Lavatriçe, frigorifera, soba t’vjetra…”, “Hek’ra t’vjetra… Lavatriçe, frigorifera, soba t’vjetra…”, “Hek’ra t’vjetra… Lavatriçe, frigorifera, soba t’vjetra…”, dhe ju betohem se do të dilni të fituar e do të luani gjatë me qarin (fjalë kjo që fillon me “q” dhe aspak me ndonjë tjetër germë fort të pahijshme për edukatën tuaj të pashoqe, fjalë kjo e fundit ku as shkronja “sh” nuk mund të zëvendësohet me ndonjë simotër të pahijshme gjithashtu)!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura