Reforma në drejtësi/ Vlahutin: Vetingu mund të dojë 3 vjet kohë

Jul 25, 2016 | 20:32
SHPËRNDAJE

Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin ka kërkuar sot zbatim të padiskutueshëm të reformës në drejtësi.

Diplomatja e BE-së është shprehur sot gjatë një vizite në Kukës se, zbatimi i reformës nuk mund të shpërfillet nga politikanët dhe sa më shumë Shqipëria t’i afrohet BE-së, aq më të rrepta do të jenë kërkesat e kësaj e BE-së ndaj vendit tonë.

Vlahutin  ne  Kukes

“Kjo është reforma më e madhe që Shqipëria ka ndërmarrë ndonjëherë, ndaj dhe do të duhet të zbatohet sa më shpejt, e për këtë nuk ka kthim prapa”, shprehet Vlahutin.

“Unë nuk thashë që janë skeptikë, unë thashë kanë të drejtën të jenë skeptikë dhe mendoj se është dicka ndryshe, por jam shumë e bindur që do të ndodhë kjo gjë, jo vetëm sepse kërkesa nga qytetarët është e madhe, por është aq e madhe sa nuk mund të injorohet dhe shpërfillet nga asnjë politikan, por edhe për arsye se ne do të kemi jo vetëm atë operacionin ndërkombëtar të monitorimit që e kemi përmendur në reformë, por edhe për faktin që sa më shumë ti afrohet Shqipëria BE, mbikqyrja dhe kontrolli është më i madh dhe më i vështirë. Unë mendoj se fjala zbatim, por zbatim i besueshëm është përdorur aq shumë sa njerëzit arrijnë të kuptojnë se çfarë do të shikojmë me kujdes.

Dhe këtu nuk do të ketë as justifikime dhe as ndonjë rrugë të veçantë për të arritur diçka. Ju si qytetarë që sa më shumë t’i afroheni BE, aq më strikt, më të rrepta janë gjërat për të mirën tuaj, në mënyrë që ne të jemi të sigurt që nuk flasim vetëm për një ligj që mbetet në letër, por që flasim për një ligj, i cili është i gjallë, dhe që vërtetohet që ky ligj është përfitues, jo vetëm për pavarësinë e institucioneve por edhe për qytetarët.

Është një reformë tërësore dhe shumë e madhe. Ne do të shikojmë disa përfitime që do të duken shumë shpejt. Faza e parë është ajo e vetingut, por edhe vetë vetingu mund të dojë 3 vjet. Kjo është reforma më e madhe që do të ndërmarrë ndonjëherë Shqipëria në rrugën e BE.

Prandaj duhet të jemi realist, edhe për atë sa kohë do të duhet, ajo që është e rëndësishme nuk ka kthim prapa, duhet të vazhdohet të ecet përpara dhe ju premtoj që BE në këtë aspekt do të jetë tejet i saktë në mënyrën e zbatimit të standardeve”, është shprehur Vlahutin.

Deklaratën Vlahutin e bëri pas takimeve që pati sot me Kryetarin e Bashkisë,Bashkim Shehu dhe disa të rinjë anëtarë të shoqërisë civile në Kukës. Në këto takime është folur për projektet e bashkëpunimit nderkufitar që BE po zbaton në rajonin e Kukësit. /ATA/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura