Reforma, 72 infermierë dhe sanitarë do të hiqen nga puna

Apr 30, 2016 | 13:21
SHPËRNDAJE

Vendimi për largimin nga puna çon në protestë 72 punonjës në spitalin e Fierit. Pas njoftimit se në datën 24 maj do të shkëpusin marrëdhënien e punës, ata janë grumbulluar përpara drejtorisë së këtij spitali.

infermieretAta u shprehën se ky vendim është i padrejtë dhe se nuk merret parasysh fakti se janë të kualifikuar dhe punojnë në vendet e tyre prej më shumë se 20 vitesh.

“Kemi nga 20-30 vite punë në këtë spital. Jemi të kualifikuar dhe tani po na hedhin në rrugë pa menduar fare se si i kemi kushtet.

Ne kemi tjetër status në këtë punë, prandaj duhet të na trajtojnë si të tillë. S’di se çfarë ligji na hedh në rruga pa asnjë përgjegjësi”, u shprehën punonjësit në protestë.

Shumë prej tyre nuk kanë asnjë të ardhur tjetër në familje, ndaj bëjnë thirrje të rishikohet ky vendim. Në të kundërt protesta do të përshkallëzohet.

“Unë isha në punë si çdo ditë, kur më erdhi një shkresë që më njoftonte se duhet të iki nga puna pas 20 ditësh.

Unë kurrë s’kam marrë vërejtje në punë, kurrë s’kam lënë punën pa bërë, jam lidhur një jetë me të, këta na hedhin në rrugë. Jemi të gjitha familje në nevojë. Nuk punojmë nga qejfi.

Rrogat tona na mbajnë familjet. Me një rrogë jemi të gjithë kush punon këtu”, u shpreh një nga infermieret e spitalit. Punonjësit që janë paralajmëruar se do të largohen nga puna me justifikimin e reformës në shëndetësi janë infermierë, punonjës sanitarë dhe të prapavijës.

Gjatë ditës së djeshme ata u shprehën se vendet e tyre të punës do të zihen nga persona të tjerë, prandaj i kanë bërë thirrje Ministrisë së Shëndetë- sisë që të rishohë vendimin e marrë, pasi nuk është e drejtë që ata të flaken në mes të rrugës. Ndërkaq, drejtuesit e spitalit nuk japin asnjë version zyrtar për arsyet e largimit.

Duke qenë se ka vetëm pak ditë që janë ndërruar drejtuesit e këtij spitali, e emëruara e re në këtë drejtim, Brunilda Cami, nuk është në dijeni të arsyeve dhe lëvizjeve.

Burime nga spitali thonë se në ditët në vijim do të ketë një deklaratë zyrtare për arsyet e largimit dhe motivacionet për secilin, apo nëse do të ketë një kthim të këtij vendimi mbrapsht.

MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura