Raporti: Universiteti i Tiranës në kaos, dëme financiare e shkelje ligji

Apr 17, 2018 | 8:12
SHPËRNDAJE

Kaosi e keqmenaxhimi i Universitetit të Tiranës tashmë faktohet edhe nga Ministria e Arsimit me anë të një raporti të detajuar.

Universiteti_i_Tiranës_Universität_von_Tirana_1957_Sheshi_Nënë_Tereza_Albanien_Foto_Wolfgang_Pehlemann_DSC05868

Në dokumentin prej 38 faqesh nisur rektorit Mynyr Koni, të siguruar nga “News 24”, janë konstatuar probleme në administrimin e brendshëm të universitetit, kryesisht nëpërmjet bllokimit të procedurës së brendshme të protokollimit, delegimit dhe vulosjes së praktikave shkresore, të cilat kanë sjellë konfuzion në të gjitha organet drejtuese të UT-së.

Sipas raportit, shkak për këtë janë bërë mosmarrëveshjet e vazhdueshme mes rektorit Mynyr Koni me drejtues të njësive kryesore, me ish-kancelarin dhe administratorin e ri, ku kapërcimi i kompetencave ka sjellë shkelje te ligjit dhe dëme financiare.

Papajtueshmëritë me bordin e administrimit, Koni ka kërkuar t’i zgjidhë në rrugë ligjore, ndërkohë që thuhet të ketë penguar veprimtarinë e tij. “Kundërshtimi në rrugë gjyqësore i vendimeve të bordit të administrimit nga ana e rektorit, i pabazuar në ligj dhe prova, çka është konstatuar dhe me vendim gjykate, ka sjellë si pasojë pengimin e ushtrimit të veprimtarisë nga bordi i administrimit me garantimin e përmbushjes së misionit, mbarëvajtjes financiare dhe administrative të tij”, citohet në raport.

PROBLEMATIKAT

Ndonëse kanë kaluar gati tre vite nga hyrja në fuqi e ligjit të ri për arsimin e lartë, grupi i punës së MARS ka konstatuar se ende nuk është miratuar nga Senati Akademik, statusi dhe rregullorja e brendshme e IAL-ve, pasi mungon vendimi i miratimit nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës.

Një tjetër problematikë është mosfunksionimi i sistemit informatik që prej muajit korrik të vitit 2017-të. Mungesa e funksionimit të sistemit informatik ka sjellë pasoja për personelin akademik dhe studentët. Dhe faji për këtë mbetet jetim.

Në dokumentin voluminoz thuhet se rektori dhe kancelari drejtojnë gishtin e akuzës nga njëri-tjetri. Sipas raportit të grupit të punës, probleme janë shfaqur në miratimin e buxhetit të UT-së për vitin 2017-të.

Në raport sqarohet se procedura e miratimit të buxhetit ka zgjatur 1 muaj e gjysmë, për shkak të mosparaqitjes korrekte të vendimeve të Senatit Akademik në Bordin e Administrimit.

“Për këtë arsye, UT-ja për 4 muaj ka qenë i bllokuar për realizimin e objektivave të tij”, thuhet në raport. Ndërsa pezullimi nga detyra e ish-kancelarit të Universitetit të Tiranës, Robert Skënderi nga Rektori Mynyr Koni, cilësohet i paligjshëm, pasi Bordi i Administrimit e kishte ngarkuar këtë autoritet me ushtrimin e funksioneve të administrimit. Pezullimi i këtij të fundit nga detyra përbën shkelje të ligjit nga ana e rektorit të UT-së. Konkluzionet janë nxjerrë nga grupi i punës i përbërë nga Alqi Kushi, Mirela Bimo, Jeton Shehu, Iva Beliu dhe Bledar Biçoku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura