Raporti i DASH: Një deputet shqiptar, trafikant qeniesh njerëzore. Qeveria, larg standardeve

Jul 27, 2015 | 18:01
SHPËRNDAJE

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar ditën e sotme raportin vjetor për trafikun e qenieve njerëzore.

departamenti i shtetitNë kapitullin e Shqipërisë, shkruhet se vendi ynë është një burim trafiku të qenieve njerëzore, të cilat bien viktima të prostitucionit dhe skllavërisë në punë.

Gjithashtu, DASH thekson se vendi ynë është larg standardit minimal në luftën ndaj trafiqeve dhe se një trafikant i qenieve njerëzore është deputet.

Në raport thuhet se Shqipëria ka ende shumë probleme me trafikimin e qenieve njerëzore, sidomos drejt vendeve fqinje.

Gjithashtu, raporti ngre zërin për trafikimin e femrave shqiptare, duke vënë theksin te martesat e detyruara kundrejt pagesave në vendet Perëndimore.

“Shqipëria është kthyer edhe në një destinacion të trafikimit të qenieve njerëzore. Shumë femra nga Ukraina, Rusia, Britania dhe Norvegjia janë viktima të trafikimit për qëllime prostitucioni në Shqipëri”, vëren raporti i DASH-t.

Gjithashtu, DASH shkruan në raport se qeveria shqiptare akoma nuk ka arritur minimumin e standardit në luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore.

DASH thekson se në Parlamentin shqiptar është një deputet i dënuar jashtë vendit për trafik të qenieve njerëzore. Edhe pse DASH nuk e përmend emrin e deputetit në fjalë, ai është Mark Frroku, i cili gjendet në paraburgim.

Me tej, raporti i DASH-it thekson se Shqipëria, gjithmonë e më shumë është kthyer në një vend transiti të trafikimit të qenieve njerëzore.

Por pavarësisht këtyre, qeveria shqiptare i ka rritur përpjekjet në fushën legjislative për të luftuar trafikun. Raporti shkruan se është rritur numri i identifikimit të viktimave të mundshme të trafikimit në krahasim me një vit më parë.

Janë bërë përpjekje të konsiderueshme për të parandaluar trafikimin. Për këtë, qeveria ka hartuar edhe Strategjinë Kombëtare 2014-2017 kundër trafikut.

Raporti rekomandon që Shqipëria të rrisë financimet për strehimin e viktimave të trafikimit dhe të vërë rregullisht në dispozicion fonde për këtë qëllim.

Aty rekomandohet gjithashtu që për viktimat të sigurohet kujdes shëndetësor dhe mendor falas, sipas një ligji të vitit 2014 dhe vendimit të ministrisë përkatëse.

Në raport thuhet që viktimat të mos ndëshkohen për akte të paligjshme të kryera si rezultat i drejtpërdrejtë i faktit që kanë qenë objekt trafikimi.

Raporti rekomandon gjithashtu që të vazhdohen përpjekjet për kontrollin e fëmijëve të rrugëve për shenja trafikimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura