Rama: Të rinjtë të mos lejojnë të shkatërrohet vendi

Nov 3, 2012 | 12:21
SHPËRNDAJE

Kreu i PS takon FRESSH në Durrës.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është ndalur dje në qytetin e Durrësit me të rinjtë socialistë në kuadër të projektit “Unë jam FRESSH”. Ai u ka bërë thirrje të rinjve që të jenë më aktivë në politikë dhe të mos lejojnë, siç tha kryetari i socialistëve, që Shqipëria të shkatërrohet dita-ditës. “Gjithë kjo zonë, nga bregdeti deri në malin e Skënderbeut, është një nga pjesët më të bukura të Shqipërisë. Por, ama, nga ana tjetër, i takon dhe gjeneratës suaj që të mos lejojë që kjo pjesë e mrekullueshme e Shqipërisë të shkatërrohet dhe shëmtohet dita-ditës nga një politikë e verbër ndaj bukurisë së vendit tonë dhe që është amaneti që të parët na lanë dhe që ne u kemi detyrim brezave që vijnë për ta ruajtur Shqipërinë të bukur dhe për ta bërë atë të begatë”, tha Edi Rama. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili tha se me votat e të rinjve socialistë, kryetari i PS-së, Edi Rama, do të bëhet Kryeministër vitin e ardhshëm. “Falë jush ne arritëm një fitore shumë bindëse në zgjedhjet e tetë majit 2011. Falë jush ne do ta bëjmë Edi Ramën Kryeministër në 2013-n”, u shpreh Dako gjatë takimit me të rinjtë durrsakë. Projekti i iniciuar nga Partia Socialiste “Unë jam FRESSH”, është ndalur së fundi në Tiranë, Elbasan e Lushnjë, dhe në ditët e ardhshme do të vazhdojë edhe në qytete të tjera të vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura