Rama batuta me qytetarët: Për këshillat bashkiakë votoni PD-në se na duhet pak opozitë

May 26, 2015 | 15:48
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama bëri thirrje në Kuçovë që të votonin për kandidatin e PS-së, Selfon. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për individin dhe jo për partinë.

Kështu, Rama u kërkoi qytetarëve që të votonin Selfon në Kuçovë, ndërsa për këshillat bashkiakë të votonin PD-në.

“Nuk ju themi votoni as për PS-në dhe as për LSI-në. Por ju themi të votoni për individin. Votoni Selfon për kryebashkiak të Kuçovës dhe pastaj votoni PD-në në këshillin bashkiak se na duhet edhe opozita. Por mos votoni Mahmutin, se ai nuk është për atë punë”, tha Rama. 

Kryeministri Rama u është përgjigjur akuzave të PD-së se qeveria nuk i ka mbështetur bashkitë e djathta për projekte dhe investime.

Rama tha se asnjë bashkiak i djathtë nuk ka kërkuar mbështetje te qeveria. Madje, Rama përmendi edhe një rast për një kryetar bashkie të djathtë, i cili, sipas tij, e kishte telefonuar për shqetësimet e qytetarëve, por që refuzonte ta takonte.

“Asnjë kryebashkiak i djathtë nuk ka kërkuar asnjë mbështetje te qeveria për projekte dhe investime në 18 muaj qeverisje. Madje, projektet ua kemi bërë ne dhe ua kemi dërguar. I vetmi kryetar bashkie që ka kërkuar mbështetje ishte ai që një ditë më mori në telefon dhe më kërkoi takim urgjent për shqetësimet e qytetarëve. Por kur i thashë të vinte të nesërmen të më takonte në zyrë, ai refuzoi se kishte frikë se e shihnin”, tha kryeministri Rama.

Më tej, kryeministri tha se të gjithë ata që do të votojnë për kandidatët e djathtë do të “marrin veten në qafë”, si edhe komunitetin.

Sipas tij, fushata e të djathtëve është përqendruar te kthimi i Shqipërisë të para 23 qershorit, me energji elektrike të papaguar, me ndërtime pa leje dhe me hartë të copëzuar territoriale. 

Reforma për drejtësinë, në vjeshtë shkon në Parlament

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët e Kuçovës, Rama shkëmbeu batuta me ta, por edhe foli për reformën në drejtësi, pasi u pyet nga një qytetar, që thoshte se kishte probleme me pronat. Rama tha se reforma në drejtësi do të jetë gati brenda këtij viti dhe se projektligji do të shkojë në Parlament në vjeshtë.

Batutat me qytetarët

Qytetari: Kam një pyetje për ju kryeministër. Pyetja ime është që në fshatin tonë ka shumë mangësi me pronat. Vjen njëri dhe më thotë mua se kjo pronë është e tij. Ndërkohë unë e kam me letra…

Rama: Do ma bësh pyetjen apo jo?

Qytetari: Po ja se do dal edhe aty. Unë e kam me letra pronën ndërkohë që gjykata vazhdon të japë vendime të padrejta. A do të zgjidhen kjo çështje me gjykatat?

Rama: Më bëj pyetje dhe jo urdhra!

Qytetari: Pyetje po të bëj, A do të vazhdojë gjykata të mos e njohë pronarin e tokës?

Rama: Kam unë një pyetje për ty. Sa fëmijë ke ti?

Qytetari: Pesë.

Rama: I ke bërë menjëherë apo me rradhë?

Qytetari: Me radhë.

Rama: Po të më kishe thënë se i kishe bërë menjëherë do më kishe kapur mat. Por po të them se edhe rruga, edhe drejtësia nuk mund të bëhen menjëherë, por me radhë. Për sa i përket drejtësisë, ajo është plaga e përgjithshme e këtij vendi, dhe vetëm ata që qeverisën 8 vjet nuk mund të flasin për të. Ne po punojmë dhe deri në vjeshtë, ligji për reformën në drejtësi do të jetë në Parlament. 

Rama prezanton projektin për ishullin e Osumit

Kryeministri Edi Rama ishte ditën e sotme në Berat, për të çelur konkursin për projektimin e ishullit mbi të lumin Osum. Rama tha se për shumë vite qyteti i Beratit u la në harresë nga qeveria e djathtë dhe premtoi se shumë shpejt do të ketë investime për transformimin rrënjësor të qytetit.

Kryeministri Edi Rama

“Për shumë vite Berati u la në harresë dhe pësoi një erozion të madh dhe braktisje. Ne jemi krenarë që kemi hapur rrugë të reja për zhvillimin e këtij qyteti, pjesë e të cilit është edhe projekti për ishullin i dalë nga ky konkurs”, tha Rama.

Më tej, kryeministri foli edhe për reformën territoriale, e cila sipas tij do t’i japë një zhvillim të mëtejshëm zonave rurale, që me ndarjen e mëparshme të territorit, nuk mundeshin të investonin në bujqësi dhe fusha të tjera.

“Ne jemi të vetëdijshëm për shembujt e shkëlqyer që disa individë të shkëlqyer, pa asnjë mbështetje nga shteti kanë krijuar në hapësirat rurale të Beratit sipërmarrje të shkëlqyera në bujqësi, duke i dhënë një hov të madh zhvillimit. Ky zhvillim do të shkojë edhe më tej falë reformës territoriale, e cila do të nisë të zbatohet menjëherë pas 21 qershorit”, tha kryeministri Rama. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura