Rama: Naftën për bujqësinë do e ulim në nivele të pranueshme

Nov 1, 2012 | 10:36
SHPËRNDAJE
Rama dje me fermerët e Arbanës

Kryesocialisti Edi Rama ka vijuar dje prezantimin e programit “Për një rilindje të fshatit” në zonat rurale të kryeqytetit. Kreu i selisë rozë ishte dje në takime me blegtorët dhe fermerët e fshatrave të Arbanës, Vishnjës dhe Vaqarit, të cilëve u ka prezantuar dhe pikat kryesore të ndërhyrjes së socialistëve për rimëkëmbjen e fshatit. Rama tha se me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet, prioritet do të jetë sistemimi i ujitjes dhe kullimit, ulja e çmimit të naftës në nivel të pranueshëm për bujqësinë dhe për sektorin e peshkimit. Me uljen e çmimit të naftës për bujqësinë, sipas Ramës do të synohet dhe nxjerrja e produkteve me kosto më të ulët në treg. Kreu socialist u zotua para fermerëve dhe blegtorëve të fshatrave të Tiranës se “ujitja dhe kullimi sipas programit ‘Për rilindjen e fshatit’ janë dy çështje që do u jepet zgjidhje përfundimtare brenda mandatit të parë qeverisës të PS”. “Kudo është e njëjta dramë. Nafta në stratosferë, plehrat kimike në stratosferë, farërat në stratosferë, plus të pakontrolluara fare, që s’dihet se çfarë janë. Dhe s’ka ujë për të vaditur dhe s’ka kanale për të kulluar. Jemi vendi i dytë në Europë për burime ujore, një pasuri e jashtëzakonshme dhe jemi i vetmi vend në Europë sot që nuk ujit dot tokën e vet dhe që s’ka ujë të pijshëm për njerëzit e vet në shumë pjesë të vendit. Kjo është një gjë e paimagjinueshme. Ne nuk mund të pretendojmë që të krijojmë kushte ‘për një rilindje të fshatit’ pa bërë premtime të bujshme, por duke marrë një angazhim të qartë; do sistemojmë ujitjen dhe kullimin patjetër, s’ka rrugë tjetër. Do ulim naftën në nivele të pranueshme për bujqësinë e për peshkimin dhe me patjetër do stimulojmë nxitjen e prodhimit duke ulur kostot e prodhimit dhe do krijojmë kushte që prodhimi të dalë në treg. Përndryshe, edhe ata që prodhojnë, i keni parë, rrinë në anë të rrugëve për të mbijetuar. Turp i madh!”, deklaroi kreu i selisë rozë. Edi Rama ka zhvilluar dje takime dhe me sipërmarrësin e një fabrike, e cila merret me përpunimin e produkteve të agrikulturës, kryesisht speca, fruta dhe perime, të cilit i ka prezantuar dhe pikat kryesore të programit të PS-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura