Rama “imiton” tezën moderne të patriotizmit kinez

Mar 15, 2016 | 12:02
SHPËRNDAJE
Kastriot Islami
Kastriot Islami

KASTRIOT ISLAMI

Në vjeshtën e vitit 2014, Chen Xiankui, profesor në Shkollën e Marksizmit të Universitetin Renmin të Pekinit, ka deklaruar Kjo konsiderohet teza moderne e patriotizmit kinez. Me ndërgjegje (koshiencë) apo pa ndërgjegje (subkoshiencë) politike, duke “imituar” ose jo tezën kineze, Rama, pas një “ngacmimi” të Blushit, ka hedhur në treg përmes “gardistëve të oligarkisë” tezën autoritariste të “patriotizmit shqiptar”: “Të duam më shumë rilindjen/ partinë sesa atdheun/Shqipërinë!”.

Kjo tezë, autoritariste, tipike për regjimet parti/shtet/lider, është në themel e vjetër, por shfaqet në forma “kontemporane”/moderne sa herë regjimet antipopullore kërcënohen nga distancimi i qytetarëve nga lideri/qeveria/partia sunduese. Kjo ka ndodhur e vazhdon të ndodhë edhe në regjimet e reja autoritariste, kleptokratike a plutokratike, klienteliste apo oligarkike, në forma “moderne”, të sofistikuara, të maskuara, por që në thelb mbeten të njëjta me tezën e vjetër.

Kjo u shfaq këto ditë edhe në Shqipëri, ndonëse flinte e fshehtë në subkoshiencën politike të regjimit oligarkik të Tiranës të drejtuar nga Edi Rama.

1. PATRIOTIZMI KOMUNIST KINEZ: TA DUAM PARTINË NJËLLOJ SA ATDHEUN…

Kina komuniste ruan përmes Kushtetutës, pra de juro, rolin primar të Partisë Komuniste në një kontekst formal “pluralist”, ndërkohë që de facto bëhet fjalë për partinë-shtet në një sistem monist, ku gjithç- ka kontrollohet nga vetëm një parti. Por Kina ka ndjekur në aspektin ekonomik “rrugën kapitaliste”.

Kjo “martesë” e monizmit politik me “ekonominë e tregut” ka mundësuar Kinën të realizojë, për një periudhë kohë, një zhvillim ekonomik të respektueshëm, pa harruar problemet/tensionet mes politikës dhe ekonomisë që duket do të kenë një limit për sa i përket ekzistencës së kësaj “martese”.

Ndërkohë Kina, e forcuar globalisht, tenton të promovojë “modelin e prosperitetit kinez” të ndryshëm nga modeli demokratik liberal, duke pohuar se prosperiteti mund të sigurohet për qytetarët edhe përmes martesës së “monizmit politik” me “pluralizmin ekonomik”.

Kjo “martesë” ka mundësuar krijimin e biznesmenëve të fuqishëm dhe arsimimin/ndriçimin e të rinjve; globalizmi dhe interneti po ashtu kanë mundësuar që qytetarët kinezë të mos jetë vetëm nën efektin e “propagandës moniste”. Për rrjedhojë kanë filluar gradualisht të mendojnë ndryshe nga ajo që mendonin prindërit e tyre nën regjimin strikt komunist.

Kjo është arsyeja që “teoricienët e marksizmit” nga ana tjetër, përpiqen, të hedhin në treg tezën e re të “patriotizmit” në kushtet e reja, përmes së cilës tentohet të mbahen të lidhur jo vetëm qytetarët e thjeshtë e të varfrit, por edhe të arsimuarit në Perëndim dhe biznesmenët e të pasurit. Teza e “patriotizmit modern kinez” është “dashuria për partinë dhe dashuria për vendin janë e njëjta gjë në Kinën moderne..”.

2. REAGIMI I ASHPËR I QYTETARËVE KINEZË KUNDËR TEZËS SË RE KOMUNISTE TË PATRIOTIZMIT…

Shtresa të ndryshme të publikut kinez kanë reaguar në median sociale në Kinë kundër kësaj teze. Për kinezët, teza që “Partia qëndron para Atdheut” nuk është diçka e re, por e thënë në trajtë eksplicite, nën etiketën e “patriotizmit modern”, ka ngjallur reagime ekstreme. Rrjeti Weibo, homolog i Twitter-it, ka bërë postimin: Mos e blini logjikën e Chenit.

Aktorja e famshme, Lin Tie nga Tjanxhini, ka deklaruar: “Ata nuk kanë turp!”. Biznesmeni Shi Liqin ka shkruar në rrjetin social, “Kjo është e njëjtë me atë që nazistët i tregonin popullit gjerman: të duam atdheun sa e duam Partinë dhe të duam Partinë aq sa duam Fyhrerin”… Kurse një tjetër përdorues i rrjetit social ka shkruar: “…Unë dua vendin tim, por s’e dua partinë; kaq e thjeshtë është ajo që dua”.

Nga ana tjetër, kryeredaktori i revistës “Times”, Hu Xijin, shkruan se ‘të tentosh të ndash patriotizmin nga dashuria për partinë është një “shigjetë e helmuar”, e përdorur nga individët me ‘motive të ulëta”, për të minuar unitetin e Kinës. Dhe një ditë më vonë, në editorialin e revistës shkruhej: “Intelektualët po tentojnë t’u shpëlajnë trurin qytetarëve, duke i bindur “se dashuria për atdheun s’është e njëjtë me dashurinë për qeverinë dhe për partinë”… Ndërsa gjatë një konference shtypi, një gazetar i “Financial Times”, i bëri një pyetje një zyrtari të lartë kinez: “A është dashuria për Partinë Komuniste parakusht për të dashuruar Atdheun?”, përgjigja e zyrtarit të lartë kinez ishte e menjëhershme:”…Kjo kuptohet pa u thënë”.

3. BLUSHI NXJERR NGA SUBKOSHIENCA E RAMËS SIMPATINË PËR “PATRIOTIZMIN KINEZ”…

Është dashur një pyetje apo pohim i thjeshtë i Blushit, në një takim publik, siç është mbledhja e Asamblesë, që nga subkoshienca e Ramës të “ngrihet nga gjumi” simpatia/adhurimi për modelin e “patriotizmit kinez”. Mund të ketë mjaftuar edhe “kokë- fortësia” ballkanike e Ramës për të nxitur “gardistët e oligarkisë” të pohonin të kundërtën e pohimit të Blushit, duke përkrahur pa dashje apo me naivitet modelin kinez të patriotizmit.

Pak rëndësi ka rruga e këtij zbulimi, rëndësi është që në koshiencën apo subkoshiencën e Ramës flinte modeli tipik autoritar i “dashurisë më të madhe apo të barabartë për partinë e veten, sesa për atdheun”, në formën “kineze” apo të një lloji tjetër, kjo nuk ka shumë rëndësi. Pyetja që shtrojnë të gjithë është: Përse Rama reagoi në këtë mënyrë? Ra ai në kurth, apo një rastësi që domosdoshmërisht do të ndodhte një ditë?

4. FRIKA APO MË SHUMË ARROGANCA SHTYJNË RAMËN DREJT KËSAJ MARRËZIE?

Reagimi i Ramës ndaj ngacmimit të Blushit mund të jetë nga frika, por edhe nga marrëzia e mediokriteti; sigurisht edhe nga arroganca për shkak të pushtetit e pasurisë s’mund të përjashtohet. Sepse për një mendje normale, pyetja e thjeshtë e Blushit ka vetëm një përgjigje të natyrshme dhe evidente, (triviale thuhet në matematikë) për një vend demokratik pluralist: “…Vendi apo atdheu është mbi gjithçka, mbi partinë as që diskutohet”.

Ky është në njëfarë mënyre edhe “detyrim” kushtetues dhe bën pjesë në betimin që çdo deputet apo ministër, president apo kryeministër bën me dorën mbi Kushtetutë. E kundërta, dhe madje vendosja e shenjës së barazimit mes dashurisë për atdheun dhe partinë, do të tingëllonte autoritare, për të mos thënë naziste apo komuniste, ku partia, lideri dhe atdheu janë e njëjta gjë!!!

Po ashtu, çdo përgjigje e sofistikuar, që mendon se i shmanget përgjigjes së thjeshtë e direkte apo refuzimi, duke e konsideruar “pyetjen idiote” apo duke tentuar për të mos dhënë përgjigje, do të klasifikohej po ashtu naziste apo komuniste, ose do të tregonte një gjendje të rënduar nga një sindrom i rrezikshëm, për të mos thënë më shumë se kaq.

Po me të njëjtin epitet do të cilësoheshin edhe të gjithë ata që, për të mos iu përgjigjur pyetjes, do të tentonin përmes sofizmave të jepni përgjigje të ndryshme nga përgjigjja evidente.

5. TEZA E RILINDJES SË PATRIOTIZMIT KOMUNIST, TRAGJIKE, KOMIKE, E TURPSHME…

Insistimi te përgjigjja idiote do të tregonte se një sekt i rrezikshëm autoritarist ka marrë peng një parti dhe përmes kësaj pengmarrjeje synon të çojë vendin në drejtimin që plotëson interesat e saj apo interesat personale të drejtuesit, duke nënshtruar qytetarët e saj dhe eliminuar çdo kundërshtar. Kjo quhet diktaturë, dikur komuniste, fashiste/naziste apo skllavëri, sot qeverisje e një grushti “kriminelësh dhe kusarësh”.

Po ashtu është i habitshëm reagimi, ndërkohë që një qasje e tillë ka marrë përgjigjen e merituar prej disidentëve/ kundërshtarëve, madje edhe gjatë regjimeve fashiste, komuniste apo gjatë periudhës së skllavërisë, kur individë të rëndësishëm, me dinjitet dhe guxim, i janë kundërvënë partisë për të mbrojtur interesat e vendit apo të qytetarëve të saj; madje kanë flakur kartën e anëtarësisë për të mos u bërë pjesë e rrugëtimit drejt humnerës, duke u sakrifikuar personalisht, dhe e ardhmja u ka dhënë plotësisht të drejtë.

Të japësh një përgjigje si ajo që u dha në Asamblenë e fundit të PS-së për një pyetje të tillë, kur vendi supozohet se gjendet teorikisht e juridikisht në kushtet e demokracisë pluraliste (pavarësisht se në realitet demokracia shqiptare është hibride apo oligarkike), dhe aq më tepër në kushtet e një vendi, anëtar të NATO-s e kandidat për në BE, është sa tragjike, aq edhe komike, sa e turpshme, aq edhe shqetë- suese, sa qesharake, aq edhe për të vajtuar. Minimalisht do ta konsideroja rrënim ekstrem moral, kulturor e arsimor, marrëzi kolektive, por edhe një rrezik të madh derisa s’do të formulohej përgjigjja e qartë, e thjeshtë e evidente, apo s’do të deklarohej distancimi pa mëdyshje prej saj.

6. NGJASHMËRIA ME SLOGANIN HITLERIAN: NJË POPULL, NJË PERANDORI, NJË LIDER…

Partia naziste dhe Fyhreri synonin të vinin në kontroll gjithçka, edhe popullin, edhe vendin, madje të pushtonin edhe planetin. Në krye të partisë naziste qëndronte Fyhreri që “dinte gjithçka” dhe vendoste gjithçka. Të tjerët eliminoheshin si kundërshtarë, të tjerët duhej të nënshtroheshin, populli do të duhej të kthehej në ushtarë të perandorisë, e cila vendosej nën këmbët e Fyhrerit.

Ky natyrisht ishte një rast apo shembulli më ekstrem i mbështetur në tezën me të njëjtën përmbajtje: i pari është lideri, e para është partia, pastaj është vendi, pas tyre qëndron populli. Pra, partia dhe lideri janë mbi atdheun dhe qytetarët duhet t’i “nënshtrohen” dashurisë për liderin dhe partinë!

7. HOMOLOGU I RAMËS, JACOB ZUMA, ZV.PRESIDENT I INTERNACIONALES SOCIALISTE RIKONFIRMON: …PARTIA ËSHTË PARA ATDHEUT…

Jacob Zuma është President i Afrikës së Jugut dhe është zgjedhur njëkohësisht me Edi Ramën zëvendëspresident i Internacionales Socialiste që drejtohet nga Jorgos Papandreu. Në nëntor 2015, pasi ka bërë betimin si President, ka rikonfirmuar qëndrimin se “partia e tij qëndron para atdheut”. Ai, pasi është kritikuar nga media dhe kundërshtarët e tij, ka vijuar të insistojë në qëndrimin e tij duke u shprehur në mënyrë alternative: “Partia është jeta ime. Unë nuk njoh tjetër veçse partisë… Dhe të duash partinë, s’do të thotë se e do më pak atdheun…”.

Kjo deklaratë e bërë pas betimit si President vlerësohet antikushtetuese, sepse Presidenti është simbol i unitetit kombëtar dhe përfaqëson interesat e të gjithë qytetarëve. Kjo deklaratë ka nxitur reagime shumë të ashpra, përmes të cilave Presidenti Zuma stigmatizohet për “kufizime të theksuara ideologjike” dhe “ambicie autokratike”, ndërkohë që konstitucionalisti Pierre De Vos është shprehur se “kjo deklaratë e bërë nga zyra e Presidentit ka ulur dinjitetin dhe ka dëmtuar statusin e institucionit të Presidentit si kryetar i shtetit…”.

8. SHKRIMTARJA AMERIKANE: LARGOHEM NGA PARTIA, SE DUA MË SHUMË AMERIKËN

Marojorie Romeyn-Sanabria është një shkrimtare e lindur dhe e arsimuar në Nju Jork të SHBA. Për të kuptuar mentalitetin e një qytetari të vendit më demokratik të planetit dhe dallimin e madh me qëndrimet e imponuara në vendet me regjime autoritare, më poshtë mund të lexoni çfarë ka shkruar kjo shkrimtare në momentin kur është larguar nga Partia Demokratike e SHBA.

http:// mic.com/articles/52535/why-i-am-leavingthe-democratic-party#.59iasYI1r: “Motoja konservatore amerikane ‘Idetë mbi ideologjinë, Parimet mbi Partinë’ rezonon më mirë me mua, sepse unë më së fundmi kam zbuluar se ajo që unë kam kërkuar gjatë të gjithë jetës ka qenë më shumë se të ndjek vijën e partisë. Unë kam ndjerë të nevojshme t’u jap vlerë bindjeve të mia të thella, të cilat janë mbi çdo parti apo mbi çdo ideologji politike.

Unë besoj në lirinë personale, e cila përfshin mbi të gjitha edhe të drejtën për të mos u terrorizuar nga çfarëdolloj qeverie… Unë jam duke e lënë partinë, sepse dua më shumë vendin tim. …Para se ne të jemi liberalë apo konservatorë, feministë apo aktivistë, të shkolluar apo biznesmenë të mëdhenj, ne jemi amerikanë, dhe ne duhet të kuptojmë se ne të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin që vendi të ecë në drejtimin e duhur, përpara…”.

9. ZËVENDËSI I LINKOLNIT LARGOHET NGA PARTIA: “DUA MË SHUMË ATDHEUN SE PARTINË…”.

Senatori Hamlin, zëvendësi i Presidentit amerikan Linkoln (1861-1865), ka deklaruar: “Dua më shumë vendin tim sesa partinë time”, në shenjë proteste, kur partia e tij kishte mbështetur zgjatimin e skllavërisë, madje për këtë arsye senatori Hamlin do të kthehej nga demokrat në republikan (http:// www.readex.com/blog/i-love-my-countrymore-i-love-my-party-highlights-americanslavery-collection-1820-1922).

Në kontrast të fortë, janë bërë të njohura nga media deklarimet e disa anëtarëve të Asamblesë së PSsë, konkretisht të Ballës se “mes Shqipërisë e partisë, zgjedh partinë”?! Kundërshtimi i Majkos se nuk shtrohet çështja nëse “Shqipëria ka më shumë rëndësi se partia”?! Apo pohimi i Ditmir Bushatit, që, nëse është i vërtetë, do ta konsideroja mediokër, se “Nuk shoh ndonjë ndryshim mes Shqipërisë e partisë”.

10. SLOGANI I (ATRIBUUAR) ÇURÇILLIT: I PARI ATDHEU, E DYTA VENDLINDJA, E TRETA PARTIA…

Qëndrimi më i qartë lidhur me këtë çështje konsiderohet ai i Uinston Çurçillit, i cili është një politikan i njohur me famë botërore, që më shumë ka dëgjuar ndërgjegjen e tij, sesa i është bindur verbërisht linjë/disiplinës partiake. Dy herë kryeministër i Britanisë së Madhe, Çurçilli i njohur për vendimet e tij të rëndësishme gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk ka hezituar, për shkak të karakterit të fortë, të kalojë në 1909-n nga partia konservatore në atë liberale dhe në 1924-n të kryejë kalimin e kundërt, duke vendosur interesat e vendit mbi gjithçka.

Çurçillit i atribuohet maksima e famshme: I pari është atdheu, e dyta vendlindja ose zona zgjedhore dhe e treta është partia. Nuk besoj se do të kishte nevojë për argumente të tjera logjike, morale apo politike për t’i vendosur përballë “marrëzisë” apo “qasjes” naive të “patriotizmit rilindas” që realisht ka në themel mediokritetin apo arrogancën tipike të një qeverisjeje oligarkike, sektare apo klienteliste, për të mos shkuar në opsionin e kokëfortësisë ballkanike që për të kundërshtuar gjithçka, thotë kundërshtari i tyre, në rastin konkret Blushi, janë gati të hidhen në humnerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura