Rama i pezulloi, por si do veprohet me tenderët në proces. Del udhëzimi: Këto prokurime vazhdojnë

Jul 10, 2017 | 9:52
SHPËRNDAJE

Pas vendimit të qeverisë shqiptare për të bllokuar realizimin e të gjitha prokurimeve deri në muajin shtator, kur të krijohet qeveria e re, Agjencia e Prokurimit Publik ka nxjerrë një njoftim ku sqaron se si do të veprohet këta dy muaj.

tender

Sipas njoftimit, nga ana e autoriteteve kontraktore duhet të merren të gjitha masat paraprake për mosnisjen e procedurave të reja të prokurimit si dhe për pezullimin e përkohshëm të të gjitha procedurave të prokurimit të filluara.

Prokurimet e njoftuara dhe që presin ofertat

Për procedurat e prokurimit, të cilat janë publikuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik dhe janë në fazën e pritjes së ofertave, pra janë para datës së përcaktuar si “Afati i fundit për pranimin e ofertave”, duhet të bëhet menjëherë pezullimi i tyre teknikisht, nga roli i Administratorit të Sistemit të autoritetit kontraktor, sqaron APP.

Këto procedura prokurimi do qëndrojnë të pezulluara në sistem, deri në daljen e një njoftimi tjetër për këtë qëllim.

Prokurimet në proces vlerësimi

Lidhur me procedurat e prokurimit të cilat janë në proces vlerësimi duhet të bëhet menjëherë pezullimi i vlerësimit të tyre dhe më pas nga ana e autoritetit kontraktor nuk duhet të kryhet asnjë veprim tjetër, deri në daljen e një vendimi tjetër. Ofertuesit pjesëmarrës duhet të njoftohen ndërkohë për vendimin e pezullimit. Ky njoftim do u dërgohet atyre nga llogaria e njërit prej anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, me anë të butonit “Kërkesë e re”.

Përjashtimet

Sipas njoftimit të APP, përjashtohen nga vendimi iKëshillit të Ministrave për pezullimin e përkohshëm të procedurave të prokurimit për vitin 2017, të datës 5 korrik, kontratat e nënshkruara para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe prokurimet me vlerë të vogël.

Vendimi

Pak ditë më parë u publikua në Fletoren Zyrtare vendimi i Kryeministrit Rama pë pezullimin e përkohshëm të prokurimeve publike për vitin 2017.

Vendimi qarkullues pezullon nisjen dhe vijimin e procedurave të prokurimeve të fondeve në dispozicion të njësive të qeverisjes qendrore dhe të autoriteteve kontraktore në varësi të tyre, për vitin 2017.

Vendimin parashikon lejimin e një procedure prokurimi me kërkesë të argumentuar të titullarit të autoritetit kontraktor, për raste të veçanta dhe të nevojave urgjente, me miratimin e Kryeministrit.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura